Vazhdon bashkëpunimi kulturor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim ministrin e Kulturës të Republikës së Kroacisë, Zlatko Hasanbegović, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe atyre kroate, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Kulturor që u realizua para disa ditësh në Zagreb.

Ky takim është në vazhdën e takimit të Zagrebit, të cilin dy ministrat e vlerësuan si shumë pozitiv, meqë janë hapur rrugë që bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të konkretizohet me nisma dhe veprime korrekte.

Ministri Kujtim Shala e vlerësoi lartë këtë vizitë, e cila zhvillohet vetëm pak ditë pas takimit në Zagreb, dhe si e tillë është në funksion të thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet  dy vendeve.

Shala u shpreh se marrëveshja protokollare ndërmjet dy vendeve dhe takimet e shpeshta ndërmjet institucioneve të dy shteteve, hapin rrugë për bashkëpunim në fusha specifike.

Ai më tej u shpreh se institucionet e Kosovës kanë filluar përgatitjet që bashkëpunimi të bëhet sa më konkret, sidomos në trashëgimi, në fushën e konservimeve, kinematografisë, letërsisë, përkthimeve etj.

Ministri i Kulturës i Kroacisë Zlatko Hasanbegović u shpreh se bashkëpunimi  ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kroacisë është i shkëlqyeshëm dhe lidhet me të kaluarën, meqë bëhet fjalë për dy vende mike, dhe shtoi se ky bashkëpunim, pas nënshkrimit të marrëveshjes kulturore ka një karakter më të qartë dhe do të thellohet me nisma konkrete e në funksion të interesit të përbashkët kulturor të dyja palëve.

Ndërmjet ministrave Shala dhe Hasanbegović u bisedua edhe për mundësinë e specializimit të stafit tonë në fushën e trashëgimisë kulturore në institucionet e Kroacisë, veçmas në fushën e konservimeve, meqë Kroacia shquhet për një traditë në këtë fushë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …