Garda Ceremoniale e FSK-së, më 11 nëntor 2022 ka marrë pjesë në ceremoninë e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës. Ushtarët e FSK-së kanë qëndruar gatitu edhe para pllakës përkujtimore të ushtarëve vrarë serbë në vitet 1912-1918 gjatë pushtimit të trojeve shqiptare.
Para pllakës së pushtuesve çetnikë, shkruar në gjuhën serbe, kanë qëndruar gatitu, ushtarët e FSK-së, të cilët kanë nderuar dhe përkujton ushtarët shqiptar-vrasës që cilët u vranë gjatë kohës së pushtimit të trojeve shqiptare, në vitet kur ata vranë dhe dëbuan nga trojet e tyre rreth 400 mijë shqiptarë.
Kjo ceremoni u organizua nga Ambasada Gjermane dhe ajo Franceze në Prishtinë, kurse i pranishëm ishte edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Përpjekja për ta fshehur këtë marrëzi i vesh me turp të gjitha institucionet e Kosovës, veçmas ministrat e Albin Kurtit, të cilët nuk i njohin as edhe mësimet elementare të historisë, pasi mendojnë se Historia nuk ka filluar as në vitin 1912 kur është pushtuar Kosova e trojet shqiptare, as në vitin 1999 kur shqiptarët janë çliruar nga robëria, por ka filluar me kohën kur Albin Kurti është bërë kryeministër, afër dy vjet më parë.
Është për keqardhje veprimi i turpshëm i Gardës Ceremoniale, e cila identifikohet me emrin e Legjendarit Adem Jasharit. Nëse është bërë nga mosdija kjo edhe falet, nëse është bërë me detyrim qeveritar, turp për komandantin e Gardës, turp për Qeverinë për ministër Xhalalin e ministër Armendin, dhe për të gjitha ata që janë betuar të mos përmendin emrat e çlirimtarëve, por rrinë gatitu para pllakave me emrat e atyre që kanë vrarë e masakruar dhjetë fish më shumë shqiptarë sesa Millosheviqi në kohën e tij.
Nuk është i rastësishëm angazhimi i ambasadës së Francës dhe i Gjermanisë, që t’ i detyrojnë autoritetet e Kosovës dhe gardistët ceremonialë të FSK-së, të bëjnë nderime para varrezave të shqiptarë-varësve serbë, sepse ishte Franca ajo e cila e ndihmoi ushtarakisht Serbinë për të pushtuar tokat shqiptarë dhe për t i vrarë, masakruar dhe dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre të cilët dashur pa dashur u shpërngulën për në Turqi sepse nuk mund të shpërnguleshin në Serbi, në Francë e Gjermani, madje as në Angli.
Aleanca aktuale diplomatike gjermano-frënge e cila ka marrë përsipër planet dhe projektet për të ardhmen e Kosovës, qëndron pikërisht në këtë përkujtim të fitores së Serbisë mbi Kosovën, në vitet 1912-1918, dhe nuk përmendet me asnjë rresht se Serbia bashkë me Francën Austro-Hungarinë i pushtuan këtë troje, madje bënë masakra ndër më të çmeriturat, vranë qindra mijëra shqiptarë, dëbuan qindra mijëra të tjerë dhe pushtuar dy të tretat e territorit të trojeve shqiptare.
Tani Gjermania e Franca kanë publikuar projektin e bashkimit të dy gjermanive, i cili parasheh që pas dhjetë viteve Kosova dhe Serbia të bashkohen si dy shtete, me të drejta të barabarta në ndonjë federatë apo konfederatë.
Ata shqiptarë zezë që mendojnë të pajtohen me Serbinë dhe të përkulën para varrezave të vrastarëve e kolonizatorëve serbë, janë më të ligj se Sinan Hasani, Ali Shurija, Azem Vllasi, Xhevdet Hamza, Rrahman Morina e soji i tyre, sepse këta të paktën nuk i kishin nderuar fitimtarët e Luftërave pushtuese Ballkanike as të Luftës së Parë Botërore, as çetnikët e Drazha Mihajlit, por vetëm partizanët e Titos e të Rankoviqit.
Si mund të qëndrojnë gatitu në nderim me Flamurin e Gardës, ushtarët e FSK-TMK-UÇK-së, para vrastarëve të nënave, grave e fëmijëve shqiptarë në vitet 1912-1918?!
Natyrisht se turpi nuk ka brirë, por ky akt i zi do të mbetet shumë më gjatë, si një njollë e zezë në historinë më të re të Kosovës, sesa brirët në kokat ka trup e pa turp të kujtdo qoftë.
Pretendimet për fshehjen e këtij akti të poshtër e mizor, nga FSK-ja, nga ministrat e Kurtit janë një faqe tjetër e turpit, janë përpjekje për ta larë atë që nuk lahet dot…
Për për tri ditë me radhë asnjë gardist, asnjë ish luftëtar i lirisë, madje as dy tre albinistët e njohur të FSK-së, që rrahin gjoks se kanë qenë më trima se Adem Jashari, nuk dhanë asnjë lajm, nuk reaguan, apo kjo sipas tyre kjo qenka diçka që nuk po merituaka vëmendje, sepse qenka vetëm çështje protokolli.
Të gjithëve na kujtohet se Komandanti i Gardës së FSK-së, bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Nuredin Lushtaku, i cili nuk e kishte lejuar Gardën të merrte pjesë në ceremoninë mortore të Ibrahim Rugovës, në shkurt të vitit 2006, vetëm sepse ai nuk e kishte pranuar publikisht UÇK-së, ndërsa tani gardistët e Armend Mehajt, për hir të Francës dhe Gjermanisë, u bëjnë nderime varrezave të serbëve që kishin okupuar Kosovën, në vitin 1912, dhe nesër mund të shkojnë edhe në Mitrovicën e veriut dhe të bëjnë nderime para monumentit të Car Llazarit dhe ku jo…
Sesi janë sjellë dhe çfarë krime mizore kanë bërë serbët, sllavët, grekët, francezët austro-Hungarezët e të tjerë mbi shqiptarët, në vitet 1912-1918 do t i referohemi fjalimit të Gjergj Fishtës të mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919.
Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën, në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo vetëm për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sado që populli hoqi zi e si asht me zi prej tij…
E tash dëgjoni si u soll i krishteri me Shqipëri e me shqiptarë.
Në vitin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqind mijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado që Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë. E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme! (Ahmet Qeriqi Fjala e Fishtës në Konferencën e Paqes në Paris katër studime… Faqja e Radios Kosova e Lirë, ose google).
Fshehja e këtij veprimi antikombëtar nga FSK-ja, nga ministrat Sveçla e Mehaj, të cilët çdo lëvizje e postojnë në fejabuqet e tyre, tregon më së miri se ata e dinë shkeljen që e kanë bërë, por nuk kanë pikë trimërie apo burrërie të pranojnë hapur, nëse kanë qenë të detyruar, të shantazhuar, apo nëse diçka e tillë parashihet në protokollet zyrtare.
Nuk pritet që këta ta pranojnë fajin e të kërkojnë falje, pasi si duket pikërisht kjo ua përforcon pozitat aktuale në Qeveri dhe “nderin e respektin” që do të marrin nga të gjithë votuesit e Vetëvendosjes, për fleksibilitetin e tyre, për diplomacinë tyre…
Ahmet Qeriqi
- 11. 2022
Prishtinë