Edhe pse pozitat e fotove flasim më së miri, Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas lajmeve të publikuara se Roja e Nderit e FSK-së nderoi një pllakë dedikuar ushtarëve serbë të vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18. Në një reagim thuhet se më datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francezë dhe gjermanë, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918, por nuk tregohet se kundër kujt ranë duke luftuar ushtarët gjermanë e francezë dhe dihet botërisht, dihet 100 për qind se nuk ranë duke i ndihmuar shqiptarët nga masakrimi prej serbëve, bullgarëve e grekëve.
Po kështu reagimi fokusohet në vitet 1914-1916, e pllaka para së cilës shihet Xhelal Sveçla shënon vitet 1912-1918. Ky është fshati që shihet dhe nuk do kallauz.
Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, ( të rënë do të thotë dëshmorë, pali su za domovinu, kanë rënë për atdhe, duke vrarë e masakruar shqiptarë) por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje. Në reagimin e Ministrisë së Armend Mehajt, thuhet se rastësisht pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serbë. (sërish përsëritet se është fjala jo për të vrarët serbë por për të rënët, pasi ashtu shkuan në pllakë “pali za domovinu”, kanë rënë për atdhe) . Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit”, thuhet mes tjerash në reagimin, aspak bindës, aspak sqarues, aspak argumentuese, që nuk ka merituar as të publikohet, sepse ata e dinë mjaft mirë se cilën të vërtetë e kanë heshtur dhe e cila u ka avulluar… (RKL)