(Sherr midis Bikes dhe Babales për Kongresin e Manastirit)
Mund t’ju duket çudi, por ja që ndodhi ajo që s’pritej, sepse dhe në përkujtimoren e alfabetit të shqipes së shkruar e kënduar me germa latine në Manastir këtu e 114 vite më parë, plasi një debat i madh midis dy personazheve kryesore përfaqësues tipik të Vlorës, jo vetëm partish,por dhe besimesh fetare. Ideja e Babales i cili denbabaden ka qenë me origjinë myslimane qëndronte te fakti se cilat ishin shkaqet që në atë Kongres të Manastirit, komisionerët nuk vendosën të shkruhej me alfabetin e Turqisë.
Kjo Babalen e pat irrituar shumë, irritim ky, që sipas tij ishte me te drejte, për faktin e thjeshtë se shumica e popullsisë shqiptare ka besimin mysliman. Historianët e kohës ”sllavo – komuniste” e kanë bërë kastile pa e kuptuar se kështu do dëmtonin fenë tonë islame, madje ai prifti Gjergj Fishta që e patën zgjedhur kryetar ishte katolik dhe Mithat beun qe ishte i fesë bektashiane e patën zgjedhur nën/kryetar. Plasi nga inati Tatja ama duroi sa duroi por mbas 33 vitesh u bë që u bë kryetar madje në ballë të kryetarëve ndaj dhe sot konsiderohet Kryetari i Ballit...
Nga ana tjetër Bikja i cili nuk është as mysliman as i krishtere dhe as ateist “sllavo-komunist” që një dreq e di se çfarë është i ishte kundërvënë Babales duke theksuar se Pashko Vasa ka thënë se ne…” duhet t’i lemë mënjane kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria..” madje duke marrë rolin e një profesori po i shpjegonte Babales se germat latine janë përdorur që hershëm qe nga Marin Barleti e deri te “Meshari” i Gjon Buzukut kështu qe nuk ka pse te kërkojmë germat arabe kur Shqipëria ndodhet ne Evropë dhe vet pothuaj e gjithë Evropa shkruan me germa latine, për më tepër se Shqipëria si vend i vogël nuk mund te kishte nje alfabet të veçante që të mos e kish askush në Evropë dhe që ta kuptosh ti Babale ky alfabet i shërbeu çështjes tonë të madhe kombëtare ndaj dhe jo pa qëllim dikur ne kishim dhe një emision “ Me pushkë e penë për Mëmëdhenë”.
Babalja në fakt u ndez keq nga inati dhe për të kapur gafil Biken i pat thene: Prandaj Ramë aga me çitjane e me tespie arabie është bërë vëlla me hajmali me Erdoganin? Nuk e kupton or Bike se ne Evropa na e ka pat dhe na e ka me hile? Nuk e kupton se me ato germa latine ne i bëmë varrin vetes ? Po të ishte se ajo rospia Evropë na donte, atëherë pse na copëtoi me 1913-ten ? E kupton ti apo jo se na e kishte me te futur si ma futi mua Salinjani? Sos vetëm mua…po lere lere atë kusur ziun e kapen ata te TV për gryke si “maçin e Thomait” me ca sms që i thoshte të bijës së botës se ti je me rrospi se gjithë rrospitë e Evropës.
Bike, dëgjomë mua ke për ta parë po nuk e ktheu Rama alfabetin në gjuhën arabe dhe që ta dish ti negociatat e para për këtë punë i ka bërë “Sali Baba” i cili se nga na formoi apo u anëtarësua në ca organizata islamike që sapo të thoshe “Hapu Sazan”, Sazani menjëherë hapte portat e bazës ushtarake për flotat e huaja dhe kur Sala thoshte “Mbyllu Sazan”, Sazani me njëherë mbyllej, ndërsa ai Rama yt ngeli duke hapur e mbyllur portën e Ballkanit aq sa po i prishen dhe menteshat. Rama yt me të vërtetë është i papara e i pa parashikueshëm jo që kohët e fundit po e kupton dhe ai vet se Evropa ja ka me gisht në… nuk po e them se e dua dreqin po aq sa dhe Salën tim.
Po unë një gjë bëj habi ai Rama yt me origjinë është i krishterë dhe miqësinë e ka me myslimanët. Fiks vëlla dëgjomë mua lere se ç’thonë po ju e kini të zgjuar Ramën sepse i përmbahet parimit të vëllazërimit të feve ndaj dhe ai ha bukë nëpër Evropë dhe bën dava në Stamboll e në Ankara. Ama dhe Evropa ka kaq vite që i thotë : Turqinë do ti ? Mirë atëherë duaje , por ama për të parë Evropën hip këtu e të shohësh Stambollin ! Ore tani ai është mirë, por në ja marrtë pushtetin Sala, atëherë ke për ta parë ti se ai ,ose do përfundojë me azil politik si puna ime ose do e bëjnë hoxhë në Fterrë ,sepse Fterra që thua ti vëlla ka qenë e famshme për hoxhallarë…
Por fakiri Bike i cili shquhet për shkallë të lartë durimi më së fundi ja plasi ballë për ballë: Kopan ngele tërë jetën tënde! Po pse ore kështu e paske kuptuar ti Kongresin e Manastirit, apo inatin e ke që duhej të bëhej të Xhamia e Tabakëve e jo në Manastir? Tuaf njeri, si nuk arrite të kuptosh se janë pikërisht këto germa që kanë zhvilluar gjithë shoqërinë e sotme. Gdhë ngele tërë jetën dhe kohën tende ! A nuk i shikon ti se sa shkolla të larta institute e Universitete kemi ngritur e që kanë shkuar deri te “Plepat e Durrësit” ?! Qorr je që nuk e vëren se një plejadë e tërë shkencëtaresh doktorësh profesorësh, akademikë, juristësh, janë në fund të fundit rrjedhim pikërisht i vendimeve të atij Kongresi nga ku filluan dhe te ndërtohen e te hapen shkollat shqipe ne tere Atdheun?!
E kupton ti sa injorante kemi qenë apo jo ? Dikur në labërinë tonë vjedhja nuk ishte e dënueshme madje një djalë i ri i cili kish lenë nam në të vjedhur. merrte femrën me të mirë të krahinës. Po sot kanë ardhur kohë të tjera. Kaq ta bësh dhëmbin nuk të jep më njeri nuse pa vjedhur me shkollë. Madje po të kesh mbaruar doktoraturën e të mos kesh vjedhur asnjëherë o ngelesh pa nuse o do marrësh rrugët e mërgimit Sepse nusen me të mirë or lum miku e merr ai qe vjedh me shkollë. Kusar or Babale nuk është ai që vjedh as ai qe kapet, por ai që bërtet me shumë “Kapni kusarët…. se më vodhën ato që kisha vjedhur”! Ja këtë na bëri Kongresi i Manastirit u hapi sytë dhe kusarëve. Nuk e thonë kot se shkolla të jep sy. Unë i ziu ngela qorr dhe ti Babale po ashtu më keq se unë….