Arben Mustafa

Arben Mustafa: Projekt-buxheti i vitit 2023, buxhet i varfërisë dhe jozhvillimor

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mungesë vizioni në hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2023. Mustafa, në një konferencë për media tha se ky projekt-buxhet nuk i reflekton kërkesat e qytetarëve të Kosovës në ekonomi, krijim të vendeve të punës dhe ngritje të kualitetit të jetës. “Ky buxhet më së shumti mund të quhen një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e vitit 2022. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosovë në fund të vitit 2023 – se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023”, theksoi ai. Mustafa shtoi se projekt-buxheti i propozuar në asnjë mënyrë nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor për vendin, por kryesisht është i bazuar në shpenzime sot-për-sot, të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim afatgjatë.

“Kjo Qeveri assesi nuk po mundet të dalë me një vizion konkret që tregon se ku synon ta çojë vendin në vitet e mbetura të mandatit të saj. Nga ajo që po shihet, kjo Qeveri do të mbahet mend vetëm për shpenzime enorme për nisma të pa menduara mirë, me efekte shumë afatshkurtra, të cilat nuk do të lënë gjurmë në rritjen afatgjatë të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Sipas Mustafës, buxheti i këtij viti po rezulton më i lartë në krahasim me vitet paraprake kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve në ekonomi dhe jo për shkak të rritjes së aktivitetit ekonomik.

“Raporti i projekt-buxhetit ka paraparë një rritje ekonomike prej 5.5% për vitin 2023, që paraqet pothuajse dyfishim të normës së rritjes ekonomike nga viti aktual, e qe nuk përkon me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore si institucionet më kredibile e të cilat sugjerojnë se rritja ekonomike në vitin 2023 nuk pritet të jetë më e lartë se rreth 3%”, shtoi ai.

Mustafa nënvizoi se parashikimet e fryera të rritjes ekonomike në këto kushte të brishta janë një rrezik i lartë për qytetarin dhe Kosovën.

“Shembull konkret e kemi vitin 2022, kur kjo Qeveri me fjalë shumë të mëdha kishte prezantuar shifrën e buxhetuar të investimeve kapitale prej mbi 700 milionë euro, ndërsa tashmë kur ka kaluar pjesa më e madhe e vitit 2022, investimet kapitale të realizuara nuk rezultojnë të jenë më të larta se 200 milionë euro. Prandaj, në vend të numrave dhe fjalëve të mëdha, Qeveria e vendit duhet të tregoj se si synon t’i përmirësojë kapacitetet e saj për t’i realizuar ato investime që i ka paraparë në buxhet”, shtoi ai.

Mustafa konsideron se Kosova do të ketë një vit të humbur, sepse Qeverisë po i nevojiten dy vite për t’i kryer punët që do të duhej përfunduar brenda një viti.

“I vetmi dallim është se punët që nuk janë përfunduar në vitin 2022, në vitin 2023 do të duhet të përfundohen me një kosto shumë më të lartë për buxhetin e shtetit për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore, gjë e cila nënkupton humbje të parasë publike”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka kërkuar që Qeveria t’u dalë në ndihmë qytetarëve për të përballuar krizën e rritjes së çmimeve.

“Zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e drejtë në këto kushte do të ishte rritja e pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale për të paktën aq sa është rritur niveli i përgjithshëm i çmimeve. Mirëpo, duket që Qeveria ka vendosur ta refuzojë këtë ide edhe për vitin 2023, duke qenë se nuk ka planifikuar buxhet që do të mundësonte një rritje të tillë. Me këtë, Qeveria ose ka vendosur të pajtohet me varfërimin e qytetarëve nga rritja e çmimeve, ose ndoshta po planifikon që të vazhdojë praktikën e pakove të njëhershme të ndihmave për kategori të caktuara të qytetarëve, të cilat nuk janë treguar efektive në adresimin e nevojave të tyre”, theksoi Mustafa.

Mustafa tha se praktika e ndërmarrjes së masave ekonomike nga Qeveria Kurti për të tentuar uljen e pakënaqësive sociale do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023, duke pasur parasysh faktin se Qeveria ka ndarë 273 milionë euro pa destinim të caktuar, pra mjete që do të ju lihen në dorë Ministrave që t’i shpenzojnë sipas dëshirës se tyre.

“Kjo është e pa precedentë dhe ngritë tepër shumë dyshime se si po menaxhohen paratë e taksave të qytetarëve. Këto para Ministrat do te munden t’i shpenzojnë pa asnjë filtër të mbikëqyrjes nga Kuvendi.Një praktikë e tillë së fundi është kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që ka kërkuar rritje të transparencës dhe dobisë për qytetarët në procesin e menaxhimit të buxhetit nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Koordinatori i Departamentit për Financa në KQM, Arben Mustafa tha në projekt-buxhetin për vitin 2023, Qeveria e Kosovës nuk ka buxhetuar mjete as për procesin e vetingut e as për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka paraparë mjete për reformat në Policinë e Kosovës dhe freskimin e strukturës përmes pensionimit të parakohshëm dhe vërehet një shpërfillje e plotë e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare e cila u miratua së fundi.

“Në shëndetësi, paradoksi është që buxhet po krijohet, por nuk ka ministër për planifikim dhe zbatim te këtij buxheti. Ministri është hartues i politikave, por nëse nuk është aty për ta bërë këtë, kush është duke bërë planifikimin e politikave për qytetaret tani kur ata kanë nevojë aq shumë për shërbime shëndetësore. Për sa i përket projekteve kapitale në këtë sektor, asnjë projekt nuk ka përfunduar në vitin 2022 e as parashihet të përfundojë në vitin 2023 e as në 2024.  Kjo është tregues i saktë që jo që nuk ka arritje deri më tani, por nuk do të ketë as deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie – gjithnjë sipas këtij buxheti. Për projektet e mëdha që janë proklamuar në programin qeveritar, si sigurimet shëndetësore apo sistemi informativ shëndetësor nuk ka asnjë indikacion buxhetor që tregon seriozitet apo ambicie për t’i realizuar këto projekte”, shtoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …