Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me organizatën KEC- Qendra për Arsimin e Kosovë, me qëllim të shënimit të 19 Nëntorit, “Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin e Abuzimit me Fëmijë’’ organizoi një defilim në sheshin e qytetit me pankarta dhe me vizatime të nxënësve me temë: “Së Bashku Kundër Abuzimit të Fëmijëve”. Pas defilimit, u organizua edhe një debat me nxënësit nga shkollat e ndryshme të komunës sonë, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues nga komuna, psikologë të shkollave, mësimdhënës si dhe përfaqësues të projektit. Përmes këtij aktiviteti, shumë nxënës shprehën idetë e tyre, preokupimet e tyre të lidhura me abuzimet si dhe kujdesin që kërkohet nga shteti, shoqëria dhe prindërit që duhet t’iu ofrojë çdo fëmije që mund të jetë pre e abuzimit. Nxënësit kishin të veshura bluzat me mbishkrimin Së Bashku Kundër Abuzimit të Fëmijëve dhe shenjën përkatëse që simbolizon abuzimin. Sipas koordinatorit të terrenit të projektit TACA për komunën e Ferizajt, Arben Aliu, gjatë këtij aktiviteti morën pjesë dhjetëra shkolla me qindra nxënës, mësimdhënës të cilët dhanë kontributin e tyre në forma të ndryshme. Për mbarëvajtjen e aktiviteteve u përkujdes edhe Policia e Kosovës. Projekti TACA ka filluar të zbatohet në shkurt të vitit 2020 dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjithë fëmijët të trajtohen me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tyre duke promovuar mjedis pa abuzim në shkollat e Kosovës. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Instrumentit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR).