Ilmi S. Qazimi

Ilmi Qazimi: I dashur qen, po të shkruaj nga Tirana e tiranizuar nga qentë e udhëheqjes

Jam shumë i malluar për ty, (po të drejtohem kështu sepse ti je ndër të paktit qen, nga ata të cilët  njoh unë, që nuk pranon të të flasin me ‘Ju’). Dëshiroj që të jesh mirë me humor, jashtëqitje dhe  gjumë. Dua të të pyes që në fillim: a i ke bërë tërë vaksinat që rekomandon Organizata  Botërore e Shëndetësisë për kafshët shtëpiake, bashkëjetuese me njeriun?

Të lutem , mos i neglizho ato!

Ti e kupton që këto këshilla janë sëmundja ime profesionale.

A të kujtohet dita e parë kur  ti u bëre me pronar të ri, nipin tim, të cilit e dashura  e përkohshme, pikërisht ty të dhuroi tek ai? Ti, i futur në një kuti si dhuratë, ishte shenja më e lartë  e dashurisë së saj për  bashkëjetuesin! Dhe domosdo ne të tjerët, dhëndri, vajza, unë gjyshi, madje edhe nipi, nuk dinim se do të kishim edhe një anëtar tjetër në familje, me emrin Qen. Saktësisht atë ditë, kur unë të pashë që po lëvizje  me lajle-lule nëpër parket, në vetvete shpreha i ndrojtur habinë dhe  tronditjen si mjek tepër strikt në  profesion, por i kurseva ndjenjat e mia të mbrapshta, duke  biseduar thjeshtë më dhëndrin.

Mora vendimin dhe i thashë atij:” Dëgjo, biro! Tani që erdhi qeni, vetëkuptohet duhet të iki unë. Jo se qeni dhe unë s’mund të rrimë në një dhomë, apo se vlera ime e vendi im, karrigia, dysheku, barazohen më ato të Qenit.

Por sepse …më telefonoi halla nga Tirana dhe ajo ka një hall të madh që më duhet të jem atje  nesër.

Tani shyqyr Zotit, të vish nga Roma në Tiranë është më  lehtë se sa të lëvizësh nga  qendra e Tiranës në Laprakë. Të lutem më pri biletën në internet.” Ai hapi sytë i befasuar nga kjo kërkesë por unë, si burri me burrin, e gjeta llafin me të vetëm me kaq fjalë. Ishin fjalë fundore, ndaj e prenontoi biletën. Bëra gati valixhen.  Kur hyri vajza u shqetësua pa masë. Me fuqinë e fjalës sime prindërore ajo mbylli gojën dhe nisi të qante. Të nesërmen as “udha e mbarë “nuk më tha.

Lexuesi të më falë se nuk e shpjegova që në krye të herës: dhurata e futur në kuti kartoni të paketuar si jo më bukur, që na solli e dashura e përkohshme italiane e nipit tim, e ka të shkruar në  pasaportë “Qen”. Kuptohet gjatë shqiptimit dikush i thotë ‘cen’, një tjetër ‘çen’ a ‘kane’, ndonjëri ‘çaen’, apo ‘shen’ ; por emri i tij, është e kthjellët: ‘Qen’.

I dashur Qen! Këto nuk t’i pata treguar më përpara edhe pse kanë kaluar dy vjet nga takimi ynë i parë ‘live'(lexo” ashtu siç ndodhi në Romë), mbasi kam qenë i zënë me ca probleme të tjera ‘rrugore’ që ma kanë rënduar humorin.

Sot jam pakëz më i qetësuar edhe nga ana e dhembjes  së zemrës, veshit të mesëm të majtë, artritit të këmbës së djathtë. Po ashtu  edhe dhimbjet frenetike të pjesës veriperëndimore të kokës pasi mbaron së broçkullituri në parlament politikani më i lakuar i krahut të djathtë, dhe gënjeshtrat me batuta trotuaresh i kreut të majtë, më janë larguar ca se më është prishur televizori. Celularin e kam nga ata të vjetrit, siç i thonë”me vajguri” dhe nuk punoj në internet.

Nuk e harroj dot kurrë, ardhjen tënde të parë e të fundit në Tiranë.

 Më ke lumturuar atë ditë që sapo shkele në Rinas, kur më përshëndete me dorë. Domethënë ti ngrite këmbën e parë të majtë( ti e di që unë jam  me bindje të këtij krahu)dhe më salutove. E ç’mund të kërkoja unë më tepër? Më ke imponuar respekt. Pastaj kur erdhëm në shtëpi, ti punën e parë që bëre ishte  vendosja me një okë ëmbëlsi e kokës në prehrin e  zonjës së shtëpisë.

Ishte gjesti më  i lartësuar që  një shumicë e njerëzve  këtu në Tiranë nuk e bëjnë ndaj  nënave të tyre. Më pas kërkove të shijoje ndonjë gjë për ‘zemër’ , të shkoje  në tualet dhe dole në dritare…Nipi dhe ti qëndruat vetëm tri ditë dhe u kthyet në Romë…Eeh, kohë të arta!

Tani këtu në Tiranë janë shtuar shumë qentë. Më duket sikur në  dhjetë familje njëra ka në shtëpi një qen. Dhe asnjë deri tani nuk kam dëgjuar që të ketë emrin tënd. Kryesisht janë me emra amerikanë. Por janë shumë të rregullt. I zbatojnë të gjitha ligjet  që ka nxjerrë parlamenti dhe kërkesat e aktet nënligjore  të qeverisë, në mënyrë perfekte.

Qentë  që jetojnë në rrugë apo qentë rrugaçë, siç i emërtojnë disa pushtetarë të vegjël, janë rralluar që kur atyre ua hoqën të drejtën e riprodhimit. Vendin e tyre tani e kanë zënë disa njerëz që shkelin të drejtat e tjera të qenve. Ja p.sh. kur dalin në shëtitje në park me qenin, ata ia heqin të drejtën qenit për të shëtitur i lidhur me zinxhir e me gojëz.

Të tillët, pa pikë qederi e lëshojnë qenin azat dhe qeni-në fund të fundit qen është!- kafshon kë të mundet. Kështu i ndodhi mbesës së Ligorit para ca ditësh.

 Kur është i pa lidhur, qeni  ndot ku të mundet dhe urinon ku ta gjejë të arsyeshme. Jam dëshmitar e kundërshtar i të tilla sjelljeve  të këtyre  njerëzve  që kanë zëvendësuar qentë rrugaçë, por nuk më dëgjon njeri! Le pastaj kur ka shumë të tjerë që hyjnë në mezeri, restorante, kafehane, etj, ia futin me pije e meze dhe qenin nuk e sajdisin.

Dhe qeni ankohet duke lehur hidhur me sa fuqi ka! Dhe vepron pastaj siç i thonë instinktet. Egërsimi, shpërfillja, mungesa e edukatës që nga parlamenti deri tek portieri  janë bërë  thuajse normë e shumë njerëzve nën shembullin e atyre të rrugaçërisë.

Madje të thonë “do hysh në shtëpinë tënde vetëm duke paguar te porta” siç po u ndodh atyre në Divjakë. Të lutem mos u  bezdis kur të të rrëfej se ajo që zëvendëson kryetarin e qeverisë, një javë thotë “do të vë fashën e tetëqind kilovat” dhe javën tjetër  bën sikur thërret me kënaqësi: “po na bie shi,  kemi kursyer se burrat hoqën kollarot” ndaj fashon e rritjes së pagesës për kilovat do ta shtyjmë për më vonë”…Ndaj jam i mërzitur dhe  shpesh mendoj: a mos vallë është më mirë të vij aty në Romë e të jetojmë bashkë?! Ma turbullojnë këtë mendim vetëm dy lulet që kam në ballkon. Njëra çel gonxhe të kuqe në agim dhe i mbyll ato në mbrëmje. Tjetra bën të kundërtën: ditën vetëm jeshilon. Sa  nis të errësohet  hap disa lule ngjyrë të murrme si kurriz ujku, që kanë  një aromë vrasëse. Si ai që tregojnë  i cili   të puthte ditën e të vriste natën.

I dashur Qen! Jam i lumtur që ndava me ty disa  emocione dhe  bëma të këtushme, të Tiranës. Dëshiroj që letra të të gjejë shëndoshë e mirë. Pasi të lexosh, të lutem më kthe përgjigje edhe për hallin tim  që të thashë më lart. Jetojmë kohën kurë mendimet e tua si qen, janë më të vlefshme se të shumë deputetëve  e  ministrave tanë të vjetër e të rinj… (Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …