Dëshmori Nuhi Krasniqi, u rivarros me nderime ushtarake

Të enjten me nderime të larta ushtarake nga Forca e Sigurisë së Kosovës, u bë rivarrimi i dëshmorit Nuhi Krasniqi, i vrarë në gusht të vitit 1992, gjatë luftës në Kroaci. Dëshmori Nuhi Krasniqi është shpallur edhe hero në Kroaci, pasi kishte treguar trimëri dhe heroizëm, në mbrojtje të qyteteve kroate, gjatë luftës së fundit në këtë vend.

Paraprakisht, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, është mbajtur një akademi përkujtimore, në nderim të dëshmorit Nuhi Krasniqi, e ku morën pjesë, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ministri i veteranëve të Kroacisë, Tomo Medved, i shoqëruar edhe nga ministri i kulturës Zllatko Hasanbegoviç, ambasadorja kroate në Kosovës, Marija Kapitanoviç, zv/ministri i FSK-së, Fadil Gashi, deputet të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta në Kroaci, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, eprorë dhe ushtarak të FSK-së dhe të ushtrisë kroate, bashkëluftëtar të Nuhiut, familjarë e qytetarë të shumtë.

“Nuhiu, ju bashkua Gardës Ushtarake të Kroacisë, sikur edhe 2900 shqiptarë të tjerë, për të luftuar në mbrojtje të Kroacisë, përkrah kroatëve. Ai ra heroikisht, më 6 gusht të vitit 1992, duke ju bashkuar edhe 85 dëshmorëve të tjerë shqiptar, që jetonin në Kroaci, apo kishin braktisur ushtrinë e atëhershme jugosllave, e që kishin rënë në front të luftës. Kosova dhe Kroacia, kishin një armik të përbashkët, por shqiptarët njihen edhe si komb që e do lirinë dhe që kanë ndihmuar edhe popujt tjerë në luftë për liri. Dëshmia më e mirë është lufta në Kroaci, ku edhe ra heroikisht, dëshmori Nuhi Krasniqi”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Ndërsa ministri i Ministrisë së Veteranëve në Kroaci, Tomo Medved, tha se “shqiptarët i kanë dhënë Kroacisë shumë gjeneral e heronj. Një prej tyre është edhe Nuhi Krasniqi”. Ministri Medved, i cili ishte edhe i dërguari presidentes kroate, në këtë ceremoni, i falënderoi të gjithë shqiptarët, që morën pjesë në mbrojtje të Kroacisë. “Ne nuk i harrojmë kurrë, të gjithë ata që luftuan”, tha mes tjerash ministri Medved.

Zëvendësministri i Ministrisë së FSK-së, Fadil Gashi, nderimin që Kroacia po ju bën dëshmorëve shqiptar, e quajti “vlerësim të madh për familjet e dëshmorëve dhe për shtetin e Kosovës”. Dekorimi që sot po i bëhet dëshmorëve shqiptar në luftën e Kroacisë,  na bën të ndihemi krenar. Kjo është edhe një lidhje e fortë mes dy shteteve që luftuan kundër të njëjtit pushtues”,  tha zv/ministri Gashi.

Në këtë akademi, në emër të Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, foli edhe kryetari shoqatës Xhavit Jashari, i cili tha se “ me këtë rivarrim dhe me këtë nderim, po e nderojmë rrugën e lirisë mes dy popujve”. Për biografinë e dëshmorit, foli Çerkin Dukolli, në emër edhe të  veteranëve të Malishevës. Dukolli, foli për jetën e Nuhiut, nga fëmijëria, deri në angazhimin e tij në Gardën Kroate, si dhe për heroizmat e treguar gjatë luftës në Kroaci, në mbrojtje të Zarës dhe qyteteve tjera kroate, deri në rënien e tij.

Tomë Kaçinari, kryetar i Bashkësisë të shoqatave vullnetare të Luftës Atdhetare në Kroaci, th  se “jeta e Nuhiut, është në themelet e Kroacisë. Rivarrimi i tij sot, është lidhje e rrugëve mes Kroacisë dhe Kosovës. Zoti e bekoftë shtetin e Kosovës dhe të Kroacisë”.

Ndërsa Gjeneral Major-Esad Çollaku, në emër të shoqatës së Veteranëve Shqiptar në Kroaci, tha se “lufta për çlirim është krenaria më e madhe, jo vetëm për një individ apo familje, por krenari e kombit. Ne jemi kalorësit modern të Skënderbeut dhe ndihemi krenar që kemi luftuar për lirinë e vendit, si në Kroaci, ashtu edhe në Kosovë”.

Pas fjalimeve, me urdhër të veçantë, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kroacisë, u dekoruan me medalje familjet e dëshmorëve shqiptar në Kroaci. Këto medalje, me ceremoni ushtarake, familjeve të dëshmorëve Nuhi Krasniqi, Samet Bugujveci dhe Fadil Salihut, ju dha nga ministri i veteranëve në Kroaci, Tomo Medved.

Në emër të familjes së dëshmorit Nuhi Krasniq, i ka falënderuar Gëzim Krasniqi.

Më pas me nderime të larta ushtarake nga Forca e Sigurisë së Kosovës, eshtrat e dëshmorit Nuhi Krasniqi, janë rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” në Kleçkë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …