Sakip Xhemajli Bellaqa (14.11.1964 - 27.5.1998)

Sakip Xhemajli Bellaqa (14.11.1964 – 27.5.1998)

Me instalimin e pushtetit të dhunës, të terrorit e të turpit shekullor, shtohen edhe format e ndryshme të manifestimeve të revoltës, të mllefit, prandaj edhe të urrejtjes ndaj tërë ingranazhit juridik, administrativ, policor e paramilitar të kriminelëve e të violentëve qoftë të ngjyrave politike, qoftë policore e ushtarako-fetare, sepse çdo e keqe kurdisej nëpër zyrat e Akademisë serbe, por me bekimin e Pavlit të Pakracit.
Format e përmendura të dhunës e të krimeve serbe mbi shqiptarët ndikuan në mënyrë permanente në shtimin e tubimeve protestuese kundër një regjimi të përmendur që evoluan në imperativin e formimit të instrumentit të forcës dhe kjo u bë formë dhe rrugëdalje e vetme për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë prej pendrekut të ,,xhandarit” e prej ,,kutit të agrarit” serb. Fryma mobilizuese që përmbushte manifestimet gjithëpopullore shtohej gjithnjë e më shumë në Rrafshin e Dukagjinit, prandaj edhe në Has dhe në fshatrat e Anadrinit, që mbushnin Prizrenin, Therandën, Malishevën, Klinën, Gjakovën dhe Rahavecin, veçanërisht pas vrasjes së mësuesit patriot, Halit Geci dhe pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e pas Betejës në Prekaz.
Fshatrat e Anadrinit në të cilët vepronte ilegalja, veçanërisht Krusha e Madhe, Qëndresa, Vneshti, Hoça e Vogël, Drinasi dhe Drenaj, zënë ta shtrinë veprimtarinë e vet edhe në vendbanimet përreth, prandaj edhe filloi kthesa e madhe të cilën e bëri plejada e djelmoshave të kalitur gjatë veprimit ilegal, duke u forcuar nëpër kazamatet serbe. Kësaj plejade, që në ditët e para të Marsit ’98 i bashkohet edhe Sakip Xhemajli Bellaqa i Burimit të Epërm të Anadrinit të Rahavecit.
Sakip Xhema, i vëllai i Ibrahimit dhe i Mazllumit, të rritur me djersën e ballit dhe bukën e vreshtarit, është i lindur më 14 nëntor të vitit 1964. Doli prej një familje të varfër bujqësore-vreshtare, në të cilën Xhemë Bellaqa me Hatixhe Zyberajn e fshatit Drenaj, rrëzë Zatriqit, kishte tetë fëmijë; tre djem e pesë vajza. E Sakipi ishte i katërti në këtë çerdhe luftëtarësh e trimëreshash që sot kujdesen për nënën Tixhë e për nusen e Sakipit, Lejlanë me Antigonën, Beratin, Blerimin dhe Mendimin të cilët po rriten me krenarinë për Sakipin e për dajallarët: Mensurin, Tafilin, Isufin, Eshrafedinin, Bedrushin e Fehimin, sot dëshmorë të kombit.
Shkollën fillore Sakipi e nisi në fshatin Burim i Poshtëm, e pastaj e vazhdoi në Burim të Epërm, në Drenaj dhe e përfundoi në Rahavec. Edhe në bujqësi, Sakip Bellaqa, del prodhues i vyeshëm, ashtu si të parët, por përherë i preokupuar me ,,Çështjen e Madhe” e veçanërisht pas ndenjave që i bënte në Drenaj me: Osman Zyberajn, Mensurin, Tafilin e Bedriun, Isuf Gashin, me Bedrushin e Fehimin, me Milaim Krasniqin, Eshrafedin Kastratin, sot të gjithë dëshmorë të kombit, invalidë të luftës dhe veteranë të burgosur. Për Sakipin dhe formimin patriotik, rëndësi të veçantë kishte fjalimi i profesor Ukshin Hotit, mbajtur në Fortesë kur akceptoi imperativin për formimin e Ushtrisë dhe të Policisë së Kosovës dhe maksima ,,Bëje ose vdis!”, e cila i printe si fanar veprimtarisë së Sakipit.
Në janarin e vitit 1990, Anadrini vlonte për ta ndezur ,,Flakën e Janarit” në Rahavec, ku priteshin protestuesit varg e vistër prej fshatrave: Drinas, Krushë e Madhe, Apterrush dhe Drenaj, e Sakip Bellaqa u printe bashkëfshatarëve për të dalë në ,,Kuvendin e Burrave të Anadrinit”, më 27 janar. Por, mu në këtë ditë të muajit të Gërvallajve, të Kadri Zekës, të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës, në fshatin Brestos, krisën pushkët dhe ranë dëshmorët e parë të Anadrinit.
Më 1992, Sakipi përballet edhe me një tronditje në strukturat organizative dhe veçanërisht në segmentin e logjistikës të ilegales së Anadrinit. Në kufirin shqiptaro-shqiptar, Sakipit i mbeten dy shokë të veprimit; Jahë Hoti i Drinasit dhe Shkëlzen Krasniqi i Hoçës së Vogël, ndërsa ilegalja e Anadrinit mbetet edhe pa dy vigaj dhe kështu për pak kohë pushon së vepruari korridori logjistik i Hasit, të cilin Sakip Bellaqa e njihte mirë sepse kishte shokë sa në Hasin andej, aq në Hasin këndej Pashtrikut.
Ishte koha kur ingranazhi i dhunës, të cilin në Kosovë e kishte instaluar Milosheviqi, kishte marrë përmasat e përshkallëzimit. Ilegalja e Anadrinit shënonte suksese në shtrirje, në veprimtari dhe në krijimin e atmosferës për përkrahjen që gëzonte nga popullata. Të gjitha këto ndikonin në stimulimin e veprimtarisë së Sakip Bellaqës, i cili tashmë kishte grumbulluar njohuri teorike, por edhe përvojë organizative.
Me format e këtilla të aktivitetit, Sakip Bellaqa vepron deri në nëntor të vitit 1997. Gjatë nëntorit më shpesh viziton Drenicën, për t’u lidhur me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kishte dëshirë për t’i takuar anëtarët e treshit të parë publik të kësaj ushtrie: Mujë Krasniqin, Daut Haradinajn dhe Rexhep Selimin, të cilët i kishte parë me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci.
Menjëherë, pas rezistencës në Prekazin legjendar të Mehajve e të Jasharëve, në javën e parë të marsit 1998, Sakip Bellaqa me vëllezërit Zyberaj (Osmanin e Mensurin), me të bijtë e Avdi Sherifit (Bedrushin e Fehimin), me të bijtë e Isuf Sherifit (Flurimin e Islamin) dhe me Haxhi Hotin e Rogovës së Hasit, gjendet në Likoc. Në vatrën e rezistencës kombëtare, grupi takohet me Rexhep Selimin-,,Dhjetëshin” dhe Sakipit i plotësohet dëshira për të cilën kishte ëndërruar prej 28 nëntorit të një viti më parë. Tani është ballëpërballë me njerin prej “Atyre treve ” që i kishte parë në Llaushë me rastin e përcjelljes së dëshmorit Halit Geci.
Tashmë, Likoci, Açareva, Likoshani, Qirezi, Prekazi, Palaci e Llausha u bënë çdo gjë për jetën e Sakip Bellaqës. Këtu, anadrinasit dhe hasjanët themelojnë iniciativën me imperativ që ,,Secili fshat i Hasit ta ketë nga një bazë për logjistikë dhe operativë” dhe të niset me formimin e dhjetësheve të para të Hasit, ndërsa, tërë veprimtarinë rreth organizimit dhe koordinimit të veprimeve do ta kontrollonte Haxhi Hoti i Rogovës për Has dhe Osman Zyberaj – Baca i Vogël, për fshatrat e Anadrinit. Sakipit i mbetet vija logjistike, që për të fillonte në fshatrat e Hasit dhe përfundonte në Drenaj e Zatriq, duke shfrytëzuar korridorin: Rogovë-Celinë-Fortesë-Sopaj-Burim i Poshtëm-Burim i Epërm-Nushpal e Drenaj, duke iu ruajtur udhëkryqit Xërxë-Rahavec. Kështu edhe u themeluan formacionet e para; për Hasin si zonë kufitare dhe për Anadrinin si areale për komunikim prej kufiri deri në Drenicë.
Më 3 prill, në mëngjesin e hershëm, bartësit e zjarrit dhe Çlirimtarët e Kosovës braktisin Hasin dhe futen në Rrafshin e Anadrinit nëpër Celinë e Fortesë, duke trupuar rajonalen Rahavec-Xërxë afër fshatit Fortesë ku vepronte grupi për përcjelljen e lëvizjeve të forcave serbe dhe për informim të pikave ndërlidhëse.
Sakip Bellaqa pati arritur ta njohë armatimin e të gjitha llojeve dhe gjinive ushtarake. Kur fliste për armatimin, të krijohej përshtypja se ke punë me ndonjë ekspert të armatimit, kurse gjatë analizave rreth kalimit të kufirit, kuptoje se ke të bësh me një ushtarak të rryer.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme që u parapriu aktiviteteve operative të Sakip Bellaqës dhe daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Anadrinit, është prita në Krushën e Vogël në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, ndërmjet fshatrave Piranë-Krushë e Vogël, te “Përroni i Keq”, më 24 mars të vitit 1998. Matanë magjistrales, në brigjet e Drinit të Bardhë, nëpër Has, vepronte Batalioni i Hasit, me të cilin koordinonte Haxhi Hoti.
Më 24 prill, operativa e Drenajt, me të marrë lajmin se një grup eprorësh të Shtabit të Përgjithshëm e patën thyer Pashtrikun, niset me mjetet e transportit, nëpër Grykën e Brestosit (Brestos, Hoçë e Vogël, Nagac, Krushë e Madhe) dhe kalon Drinin e Bardhë. Në të kthyer, te ura e ,,Përronit të Keq”, afër pikës së karburanteve ,,Fatoni”, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ballafaqohen me konvojin e policisë serbe dhe zhvillohet një luftim i ashpër, me të cilin shënohet edhe fillimi i aksioneve, betejave dhe luftimeve të Rrafshit të Anadrinit, që zgjatën trembëdhjetë muaj, filluan te Ura e Krushës së Vogël, më 24 prill 1998 dhe mbaruan, pak mbi urë, në Grykën e Mileskës, më 28 maj 1999.
Këto, por edhe mobiliteti patrollues i skuadrave, u bënë parametra se forcat serbe do të përballen me një kundërshtar shumë serioz në rrugë, në fusha e male, por edhe në fshatra e në qytete, u bënë sinjale për kalimin e shpejtë prej linjave guerile në zjarrin konkret, se do të zhvillohen betejat e hapura në fronte e në thellësi, siç ishte Beteja e Bardhatinit, më 12 maj të vitit 1998.
Më 12 maj të vitit 1998, Sakip Xhemaili Bellaqa, pas shumë aksioneve rreth furnizimit me armatim dhe materiale të tjera që lidheshin me zjarrin e lirisë, merr pjesë në Betejën e Bardhatinit, kur formacioni i Drenajt zë të zhvillohet në brigadë. Atë ditë, në një betejë të përgjakshme plagoset rëndë edhe njëri nga bartësit kryesorë të të gjitha aktiviteteve organizative të rezistencës së armatosur në fshatrat e Anadrinit, Osman Zyberaj-Baca i Vogël, ndërsa me heroizëm të pashoq në tërheqjen e të plagosurve u shquan: Selajdin Mullabazi-Mici, Sakip Bellaqa, Mensur Zyberaj, Bedrush Gashi, Fehim Gashi, Gani Paçarizi, Selim Krasniqi, Xhemë Gashi-Gjermani dhe Mahir Hasani.
Më 27 maj 1998, duke trupuar kah “Përudha”, në një pritë të kurthuar fort nga policia serbe, merr përjetësinë luftëtari i lirisë Sakip Xhemë Bellaqa, së bashku me Fehim Avdi Gashin dhe Përparim Ali Thaçin, ndërsa në luftime për ta shpërthyer pritën dhe rrethimin, plagoset rëndë Islam Isuf Gashi, sot çlirimtar i burgosur në ditët kur është dashur ta gëzojë lirinë. Rënia e Sakip Bellaqës, përkrah dy studentëve të Universitetit të Prishtinës, ishte edhe një argument bindës se në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patën hyrë djelmosha të grupmoshave, të gjinive dhe të strukturave të ndryshme profesionale; bujq, studentë, punëtorë dhe intelektualë, të rinj e të reja.
Sot dëshmori i kombit Sakip Bellaqa pushon në Varrezat e fshatit Burim i Epërm, ndërsa në vendin e rënies është ngritur lapidari që ndriçon me rreze lirie. Bashkëfshatarët e dëshmorit janë duke përgatitur monografinë për Sakipin e rënë për lirinë e Kosovës, e bijëve të dëshmorit u mbetet që ta ruajnë krenarinë për të anë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Fshati Kopiliq i Drenicës është fshat i njohur i historisë shqiptare. Aty ka lindur dhe …