Me 29 nëntor do të festohet 78 vjetori i Çlirimit të Atdheut. Pinjollët e ballistëve dhe fashistëve të djeshëm, që kur fitoi pushtetin PD në 1992, janë munduar më kot të errësojnë madhështinë e Luftës ANÇSH. Të frymëzuar nga antishqiptari Berisha, ata kanë patur synimin të mohojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar për të krijuar psikozën, se historia e kombit shqiptar nis me themelimin e PD. Për të arritur qëllimet e tyre të errta, ata u munduan fillimisht të heqin nga kalendari 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit dhe 5 majin, Ditën e Dëshmorëve, por nuk ia arritën dot, sepse këto dy data madhështore, i kanë rrënjët thellë në zemrat e të gjithë të brezave të popullit.
Më pas Berisha me neofashistët që e ndjekin, u mundua të errësojë madhështinë e Luftës, duke e quajtur atë si “luftë civile, vëllavrasëse” që “u zhvillua për pushtetin e komunistëve”. Me këto pseudo-akuza ata përpiqeshin të mohonin edhe rolin e Enver Hoxhës si udhëheqës i LANÇ. Këto pretendime të neofashistëve, faktet i hedhin poshtë. Vetë Sali Berisha, për t’u konsoliduar në pushtet, në fjalën që mbajti në mitingun e PD para studentëve dhe popullit të Tiranës deklaroi: ”Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe, pa dyshim shkon së pari te Presidenti, shoku Ramiz Alia,i cili me një mençuri të madhe dhe guximi që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimin të Shqipërisë.“
E si mund ta quash “civile”, një luftë që në betejat legjendare, për katër vjet rresht, u derdh gjaku i 28 mijë bijve më të mirë të Shqipërisë. Pastaj kush tha se ajo ishte luftë “e komunistëve” kundër nacionalistëve? LANÇ e organizuan e drejtuan jo vetëm komunistët, por edhe shumë nacionalistë të ndershëm si Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Baba Faja Martaneshi, Ymer Nishani, Medar Shtylla, Haki Stërmilli, Riza Kodheli, Ollga Plumbi, Aleks Buda, e shumë të tjerë, të cilët jo vetëm u angazhuan shpirtërisht në këtë luftë, por vunë në shërbim të saj edhe pasurinë e tyre.
“Ne -pati deklaruar Haxhi Lleshi- nuk e kërkuam lirinë në diskoteka, por në male me pushkë në dorë. Në ditën e Çlirimit unë isha në listën e gjeneralëve, por mund të isha edhe në listën e dëshmorëve”. Për të argumentuar më tej se ajo ishte një luftë që përfshiu të gjitha shtresat që e donin vendin, e tregon fakti tjetër se mjaft batalione e brigada partizane mbajtën emrat e patriotëve të mëdhenj si Avni Rustemi, Abdyl Frashëri, Hoxha Tahsimi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Bajram Curri, Ismail Qemali, Riza Cerova, Halim Xhelo etj. Neofashistët përpiqen të minimizojnë edhe numrin e dëshmorëve që dhanë gjakun për liri, ku midis tyre ishin disa në moshë fare të njomë. 28000 dëshmorët që ranë për Atdhe janë me emra të gdhendur në zemërate jo vetëm të afërmëve të tyre, por në lapidaret e çdo fshati e qyteti.
Janë mijëra fshatra të Shqipërisë dhe në çdo fshat ka një lapidar.
Psh. zona e Funarit me nëntë fshatrat e saj përkujton dhjetë dëshmorët e saj në çdo përvjetor. Le të thonë neofashistëve një emër ballisti që ka rënë dëshmor për Atdheun. Përkundrazi ata u kthyen pushkët partizanëve. Po sjellim vetëm një shembull të nxjerrë nga Fondi 270, dosja 11 e AQ të PPSH, ku kryetari i ballistëve, Mitat Frashërit më 7 tetor 1943, urdhëron: “Të sulmohen forcat partizane dhe të propagandohet kundër partisë nacionalçlirimtare.”
Ne jemi i vetmi vend që jemi çliruar krejtësisht me forcat tona dhe LANÇ të popullit tonë, si pjesë modeste e koalicionit antifashist e njohën fuqitë e mëdha, qysh në vitin 1942. Po ashtu këtë Luftë e kanë vlerësuar edhe bashkohës të Enverit, edhe pasi ai i dënoi si kundërshtarë politikë, si Dr.Ymer Dishnica, Prof.Sejfulla Malëshova, Rrahman Perllaku, Muhamet Prodani etj, të cilët ishin pjesëmarrës me armë në dorë në këtë Luftë. ”Mua s’më pëlqen hiç Enver Hoxha, biles kam kërkuar të dënohet si diktator- shkruan gjeneral M. Prodani,- por ama s’kam si ta mohoj Luftën ANÇL dhe rolin e Enver Hoxhës si komandant dhe udhëheqës i kësaj Lufte. Qefi, ndoshta ma ka, por s’kam se si ta dredhoj historinë.” Duhet ta dinë falsifikuesit e historisë se Luftën ANÇL e kanë vlerësuar personalitete të vendit, si Rexhep Qosja, Agolli, Kadareja, dhe historianë të huaj, të cilët para çdo presioni, nuk pranuan shtrembërimin e së vërtetës. Misionari britanik, Fertitta Tilman, pjesëmarrës në koalicionin e madh antifashist botëror, në librin e tij ”Atje ku takohen malet dhe njerëzit” shkruan: ”Gjatë misionit tim u binda fare qartë, se vetëm Lëvizja ANAÇ kishte qëllime lufte me të tonat, kur njëra nga partitë, Partia Komuniste Shqiptare, luftonte e sakrifikohej, dy të tjerat, Balli dhe Legaliteti, ose ishin aktivisht armiqësore, ose mbanin një asnjanësi, sa për sy e faqe”. Gjithashtu dëshmitari tjetër okular, gjermani R.Hilbert, në librin ”Lufta Nacionalçlirimtare Shqiptare”, shkruan: “Nacionalistët e humbën shansin e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve. Madje as çastet e fundit, duke i ruajtur forcat e veta vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve.
Enver Hoxha dhe kolegët e tij, kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalisti, por ata nuk e kishin vënë asnjëherë në dyshim, se u duhej të luftonin me armë në dorë për çdo gjë që kërkonin.“Se sa e ashpër qe LANÇ, e tregon deklarata e Komandanti gjerman, Herman Frank, për betejën e zhvilluar në Arbanë të Tiranës: ”Në këtë aksion të parë të vërtetë të gjermanëve në Ballkan, gjithçka dukej sikur ishte përbetuar kundër nesh.” Në Konferencën e Paqes në Paris, ku morën pjesë vendet fituese mbi fashizmin dhe nazizmin, u ftua edhe delegacioni shqiptar për kontributin e dhënë në fitoren ndaj fashizmit.
Përvjetorëve të Çlirimit të Atdheut, shteti duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje e respekt, jo siç ndodhi me përkujtimin e zbehtë të 75 vjetorit. Akoma më keq, kur para ca kohësh u mbajt një konference, gjoja akademike, e cila nuk foli për Luftë Antifashiste, por për “rezistencë popullore antifashiste”, nuk u fol më për armë e gjakderdhje të partizanëve tanë për lirinë e kombit, por për “rezistencë popullore pa uniformë e pa armë”, që shqip do të thotë t’i veshësh luanit puplat e laraskës. Kush nuk do ta njohë madhështinë e LANÇ, nuk bën tjetër vetëm se inkurajon oreksin neofashist.
Mbetet aktuale deklarata e legjendës së rezistencës antifashiste, Manolis Glezos, bërë para ca kohësh: “Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur”, e cila të kujton thirrjen e gazetarit Julius Fuçik, i cili para litarit, bëri thirrje: “Njerëz ju kam dashur! Jini vigjilentë”! (Gazeta Sot)