SHPENDI TOPOLLAJ: POEZITË E HAVA MUÇOLLARIT ME ZJARR MALLI PËR VENDLINDJEN

(Rreth përmbledhjes poetike “Qyrku i lutjeve”)

   Për promovimin e krijimtarisë poetike të Hava Mihasi Muçollarit, na mblodhi gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur Albert Zholi, në kompleksi luksoz FAFA Durrës, ku falë dashamirësisë së pronarit të saj, gjithçka ishte përgatitur mësë miri. Sapo kishin dalë në qarkullim vëllimet e saj “Mesazh në krahët e një fluture” dhe “Qyrku i lutjeve”, botuar me mjaft cilësi nga Elvet & Group, me sponsorizimin e “H Auditing” SHPK, pas dy vëllimeve të mëparshme. Diskutantët folën me shumë dashuri si për autoren ashtu edhe për veprën e saj.

 

Disa prej poezive u deklamuan me elegancën dhe mjeshtërinë artistike të Nderit të Kombit, Margarita Xhepa dhe poetit zëkumbues Agim Xheka. Personalisht nuk isha njohur më parë me këtë autore e cila kishte studiuar për Financë, Drejtësi e Diplomaci dhe i qe akorduar titulli Honoris Cauza. Kur papritur m`u dha fjala edhe mua, i zënë disi ngushtë, dhe duke parë që përveç Agim Bajramit, thuajse të gjithë edhe pse aty i morën librat ndër duar, flisnin shumë saktë e bukur, citova T. Eliotin i cili një herë kishte thënë se “Poezia e vërtetë, mund të komunikojë edhe para se të kuptohet”. Dhe në vazhdim e perifrazova kështu: “Poezia e vërtetë mund të komunikojë edhe para se të lexohet”, duke pasur parasysh ato çka dëgjuam në sallë. E thashë sinqerisht këtë, dhe u binda akoma më shumë kur u ktheva në shtëpi dhe i lexova ato dy libra, ku menjëherë binte në sy jo vetëm çiltërsia, por edhe thjeshtësia, si në shprehjen e mendimeve ashtu edhe në dhënien e mesazheve.

 

Poezitë e Havasë as të lodhin e as të mundojnë për t`i kuptuar. Ato futen lehtësisht dhe njëherësh, si në mendje ashtu edhe në zemër. Janë poezi, pa pretendime të mirëfillta metrike që prekin ndjenjat njerëzore të gjithëkujt. Duke qenë se për librin “Mesazh në krahët e një fluture” e ka thënë mjaft mirë fjalën e saj e nderuara Klara Kodra, unë po përqendrohem te “Qyrku i lutjeve”, ku sikurse pohon vetë autorja, kryesisht trajton mallin e kujtimet për vendlindjen e cila sipas saj “Edhe pse do kalojnë vitet e ti nuk do jesh më aty, ato kujtime do jenë me ty kudo e kurdo, do të përkëdhelin me erashkën e flladit të munguar dhe nëpërmjet vizatimit të reve dhe mjegullës lart në qiell do të të çojnë aq lart sa do të ndjesh nevojën të prekësh yjet”. Dhe në rrugëtimin e saj për t`u ngjitur te yjet e dashurisë për gjithçka e lidh me vendlindjen, ajo në stilin e saj nuk ka nevojë për maniera. Ajo nuk preferon të përdorë fantazinë për zbukurime të kota dhe as kërkon të tregohet nazike në të shkruar. Është e drejtpërdrejtë në ato që thotë, njësoj sikur bisedon me lexuesin rreth tavolinës. Evokon në përsiatjet e saj njerëz, por kryesisht natyrën.

Se është ashtu sikurse thosh filozofi stoik Zeno i Citium – it që “Qëllimi i jetës është të jetosh në pajtim me natyrën”. Ja si shkruan vetë poetja: “U spërkata në Adriatik! / U laga në detin Jon! / Në mallin e vendlindjes u thava! / Për të qenë me të gjithmonë!” (Përgjithmonë). Madje edhe në një poezi disi më intime ajo shprehet me të njëjtat metafora: “Unë dhe ti! Ti dhe unë! / Një mal me borë! / Një det me shkumë! / Një re që shkon e lëshon shi! / Ja, kush jemi unë dhe ti!” (Unë dhe ti). Asaj edhe hëna i duket e mençur, vetë, herë bëhet oaz e herë kthehet në re, i duket se me vrunduj resh qan era, se nga tradhtia edhe Vjosa kish ndryshuar rrjedhë, se era pyet por gurët fshehin historinë, se vjeshta trembet njësoj si të gjithë qeniet e gjalla, se era e trëndelinës së dhuruar, kthehet në aromë kujtimesh, se vetë ajo ndihet si kulpër mbi drurë, se pishat ecin drejt, se toka e qielli bashkohen me shpirtrat lart, se nata ka planet e saj, se muzgu ikën mbi male, se pishat shtërngojnë njëra – tjetrën, se nata s`përton t`i vjedhë ditës ca orë, se vetë ajo kur lutet, kërkon veç qiell të pastër, se rëra trishtohet, se njerëzit me lavde pa shkak si pemë pa diell hanë hijen e vet, se yjtë frymojnë, se vjeshta zgjat njërin krah, se era kreh flokët, se ujvarat ia kthejnë përshëndetjen, se flladi i Jugut i thotë poetes si të ishte njeri: “Ti je bijë Vjose!”.

 

Dhe këtij flladi Havaja i është mirënjohëse pasi: “Që fëmijë më pëlqen flladi! / Ajo erë, erë aq e butë! / Të më ketë zënë çfarëdo lloj inati, / Ma sill pak fllad, që mendimet zbut” (Flladi që mendimet zbut). Dhe është pikërisht ky fllad që me fëshfërimën e vet ndër gjethe i sjell asaj të gjallë gjyshen që se njohu pasi iku nga kjo botë fare e re. Dhe natyrisht, meraku më i madh i saj është për fëmijët që i ka larg. “Oh! Sa rrugë malli merr ajo me ju! / Sa male brengash, veç për ju kalon! / Të lutem moj erë, më jep hapin tënd! / Të arrij tim bir, ta shoh ku jeton!” (Merak nëne). Dhe ajo sa i gëzohet komshijes që e sheh nga dritarja duke u rregulluar për takimin që e pret, aq dhe lumturohet nga gjesti i shitësit ambulant me arkë në kurriz që i dhuron një banane një zonje në plazh. Për të, bujaria është pasuria më e madhe edhe kur varfëria kish qëndisur veshjet e tij (Vargu i përlotur). Por ajo e ka shpirtin aq të ndjeshëm, sa i mbetet në mendje nostalgjia e pashuar e mikut që sa herë pi kafe me të e çon fjalën tek ajo vajza flokëartë e dikurshme, me të cilën qe dashuruar marrëzisht edhe pse nuk kishin qëndruar kurrë bashkë (E fshehta e flokëve të artë). Por jeta kështu është. Ndaj dhe kukuvajka në majë një peme përherë këndon. “Këndon a qan e vë në dyshim, / Moti ka ndërruar, por dhimbja jo, / Një dhimbje që s`pyet a ka drejtim…!” (Kukuvajka).

Ka dhimbje, por poetja është kujdesur që të mos mbisundojë hija e saj në faqet e këtij libri. Ajo fluturon nga kënaqësia fjala vjen kur i vijnë fëmijët. Ajo ato ditë i quan qiellore, ku netët e errta bëhen të bardha dhe lumturia zbret vetë (Lumturia zbret vetë). Dhe beson se ata dhe gjithë të tjerët, do të kthehen në këtë vend të bekuar që Zoti e krijoi si përrallë. Dhe për këtë ajo lutet të ndodhë sa më shpejt që të bëhet më mirë. Por nuk i ka lënë shumë vend këtij optimizmi, pasi ai është i nënkuptuar; “Në vargjet e mia… Atë që s`them dot, malli im ta thotë”. Dhe ajo në të gjithë poezitë e saj të ndjera, pikërisht mallit të pashuar për vendlindjen, atdheun e njerëzit e tij i këndon dhe i ka kushtuar shpirtin e saj, aq sa nuk bije në sy edhe mos zbatimi rigoroz i rregullave të ngurta metrike, sidomos te rrokjet dhe rimat që gjithsesi do ja shtonin vlerat kësaj lloj poezie, siç vëren me të drejtë profesore Klara Kodra. Rëndësi ka fakti që poezia e Hava Muçollarit komunikon pa asnjë sforco me lexuesin. Madje, ajo të josh edhe vetëm duke e dëgjuar, siç më ndodhi mua, pasi është ashtu sikurse thosh J. L. Borgesi se “E ndjejmë bukurinë e një poezie që para se të mendojmë për domethënien e saj”.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …