Ish-politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq që është dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, ka thënë se serbët duhet të krijojnë vet Asociacionin e Komunave, pa i pyetur fare shqiptarët. Përmes një letre të dërguar nga burgu, ish-udhëheqësi i Rojave të Urës ka thënë se shqiptarët do të zbuten vetëm kur ta kuptojnë se Asociacioni do të formohet edhe pa u pyetur ata. “Mendoj se nuk ka arsye të presim për vullnetin e mirë të Prishtinës, sepse nuk do të ketë asnjëherë diçka kësisoj. Në mënyrë të vazhdueshme, Prishtina do të paraqesë kushte të reja për themelimin e Asociacionit”, thuhet në letrën e Ivanoviqit. Ai ka vlerësuar se Serbisë do t’i kërkohen edhe më shumë koncesione, pavarësisht se sipas tij, shumë të tilla janë arritur gjatë bisedimeve lidhur me Asociacionin.
