Agim Xh. Dëshnica: XHA AVDYLI

Qyteti i bardhë, ku jetonte Xha Avdyli, struket nën muret e kullat e gurta të kalasë e mbi urën me shtatë harqe, me pamje nga Tomori, nën borë e dritë, tek dielli shfaqet çdo mëngjes, mandej zhduket matanëShpiragut dhe nuk dihet, se nga humbet…
Xha Avdyli banonte në lagjen Murat Çelepi, pranë banesës me disa kulme, dritare e oxhakë, e njohur dikur në tërë qytetin, me emrin Sarajet e Pashait, rrafshuar nga një zjarr i madh. Nga ajo ndërtesë e djegur afër lumit, mbeti vetëm emri Saraje! Saraje, seç kishte diçka të frikshme, tragjike. Një mur i ulët, i gjatë me gurë i veshur me myshk, zgjatej më kot dhe e ndante truallin e shkretë, gjithashtu më kot, nga sokaku e nga shtëpitë përbri. Porta e zymtë me hark të lartë, as hapej e as
mbyllej. Pluhuri i tre shekujve mbulonte oborrin. Askush nuk guxonte të ndërtonte atje, ndonjë shtëpi apo kasolle. Në bahçenë e madhe, pranë lumit, asnjë lis, kumbull a fik, nuk hidhte hije.

Asnjë shpend fluturak nuk ulej kund. Gjarpërinj të rrezikshëm lëvrinin nën gurë e shkurre e nëpër barin e egër. Nuk ndihej asnjë cicërimë bengu, as xhi-xhia e gjinkallave. Në shtëpitë pranë gratë e moshuara rrëfenin me pëshpërimë, se natën në Saraje dukeshin xhinde,- vajza të bukura me veshje të bardha, tek vallzonin pa këngë e pa saze. Nuk dihej nga vinin. Vallë mos dilnin nga valët e lumit, apo uleshin nga yjet në qiell?

Në atë mëhallë, më i urti qe Xha Avdyli. Plak shtatshkurt, zeshkan, i qethur zero, me takien e bardhë në kokë në çdo stinë, këmishën po me atë ngjyrë, kur moti ngrohej, ndërsa aty nga mbarimi i tetorit me pelerinën e zezë.
Xha Avdyli, jetonte me plakën e mirë, Xho Gjylen, pak më larg murishteve te Sarajes, Përmes portës së vogël, dukej shtëpia e bardhë përdhese, oborri me lule në saksi, pus, kova për ujë, shporta e kosha, litarë e rrjeta për peshkim. Xho Gjylja, kujdesej për gatimin, pastrimin e shtëpisë, larjen e robave dhe për veshjen sa më mirë t Avdylit, pa harruar lulet. Hera -here të shtunave ajo me shpirt të bardhë, priste e gëzuar mikeshat nga mëhalla e re, në hyrje të qytetit.
Xha Avdyli pasi dilte nga shtëpia dhe ikte sokakut, çunat e shtëpive, diku pranë, e përshëndetnin:
-Mirëmëngjes, pepe Dydyl!
Ai, s‘ua dinte emrat, njihte vetëm prindërit e tyre, ndaj ua kthente shkurt:
-Mirëmëngjes, trimat e Dylit! – Dhe ecte tutje sokakut.
Xha Avdyli në atë qytet të lashtë kishte ndëruar tre zanate, nga kovaç në nallban, e më së fundi e mbylli si vozaxhi. Sapo u largua nga punishtet, nisi të merrej me punë nga më të ndryshmet. Në shkurret e zallit të lumit priste me sëpatë e nagaçe degë të njoma. Pastaj në shtëpi i hante hollë e hollë për thupra. Deri në orët e vona me to thurrte kosha për ngjala dhe shporta për peshk. Me spango liri e litarë sajonte rrjetat e lidhte grepat.

Xho Gjylja pasi mbaronte punët e shtëpisë, i vinte në ndihmë Dylit të saj. Në çastet, kur ai dëgjonte uturimën e lumit, linte çdo punë e nxitonte për në breg. Atje, futej gjer në bel në rrymën e turbulluar dhe kapte me shportë peshqit gojëhapur, që dihasnin sipër ujit. E shihnin xha Avdylin mbi shkëmb tek hidhte grepat në pellgjet e thella. E shihnin tek hapte krahët e hidhte rrjetën mbi valë.
Xha Avdyli shpesh herrë u jepte falas fqinjëve peshk e sidomos ngjalat, që kapte me kosh në remën buzë bahçeve. Ai ishte edhe druvar i shkathët. Veç nuk shkonte për dru në asnjë pyll.Miku i tij bujar, lumi, kur vinte i egërsuar nga grykat e maleve, e mbulonte kumsallën me gurë, drurë e shkarpa. Xha Avdyli përgjonte ditë e natë ushtimën e rrymës së vrullshme. Aty nga ora katër e mëngjesit, merrte karrocën e dorës me tri rrota gome, ecte duke e shtyrë mbi gurët e sokakut, kalonte më tej Teqesë së Rufaijve, ku kryhej riti i faljes me shisha e shtiza. Andej ecte nëpër urën e vogël me gurë, , hynte në shtratin e lumit
hidhte hapat në zallishten e mbuluar me degë e trungje të këputur nga pyjet. Mandej, posi djalë i  fuqishëm, i mblidhte poshtë e lart, dhe i priste me sëpatë e nagaçe. Ndërsa punonte, ia merrte këngës:

“Okëndo, moj qyqe, se po vjen behari!” Emrin behari e zgjaste me afsh: “beejaari!” Së fundi, ngarkonte karron trirrotake.
Fqinjët e donin Xha Avdylin, ndaj s’harronin kurrë pa e ftuar nëpër dasmaAtje, me zërin paksa të ngjirur,si më të qarë, ua merrte këngëve me def në duar..
Gjatë luftës për ca muaj u trondit nga bombat e ajrorëve anglezë dhe mitrolozët gjermanë nga kalaja. Në kohën e paqes ata të frontit nisën t’i binin më qafë. Një ditë erdhën dhe i hodhën një sy shtëpisë.
-Ti, shoku Avdyl, – i thanë ata, – ke filluar t’u ngjashë agallarëve! Ai vinte buzën në gaz dhe vazhdonte punën. Njëherë tre policë erdhën natën dhe e morën të lidhur në polici. Dikush e kishte kallxuar se ai ankohej për jetën e vështirë. Ditën e tretë e lanë të lirë pasi i bërtitën:
-Qepe! E mos llap poshtë e lartë, se burgu të pret!
Plaku i gjorë ato ditë nuk u pa askund. I mësuar me peshk e ngjala, tek vriste mendjen i mbyllur në shtëpi, iu shkrep, që përveç peshkimit, të merrej me një punë të vështirë, të kapte, nën gurë e shkurre në Saraje, nëpërka! Ditën e katërt ia nisi punës me gjarpërinj. Ashtu siç qenë, i mbështillte në disa shami të bardha, i fuste në xhepat e këmishës e të xhaketës dhe ecte sokakut.

Një ditë, tek kthehej në shtëpi, me shportën në dorë, çunat e rrethuan dhe iu lutën të shihnim se ç‘kishte zënë. Ai u ndal, buzagaz, nxori shaminë nga xhepi i këmishës dhe e hapi ngadalë. Ç’të shihnin ata! Një nepërkë e frikëshme me ca sy të ndritur, u ngrit mbi pëllëmbën e tij, duke lëvizur kokën djathtas e majtas. Trupi i saj i ajthëm ngjyra – ngjyra, dridhej e përdridhej. Çunat u zbrapsën të tmerruar dhe krisën e ikën në pikë të vrapit.
Tri nga gratë e mëhallës, teksa fshinin para portave, flisnin edhe për punët e fshehta të Avdylit.
– Mirë, peshqit e ngjalat i zë dhe i nxjerr në pazar, po nepërkat kujt ia shet?- pyeti njëra.
– Ku i dihet? Çudi, thonë, se i shpie në spital! – ia ktheu e dyta.
-Unë them, – pëshpëriti e treta, – ia çon një plake në Palikësht, që merret me magjira…
Mësuesi i vjetër Ymeri, ndërsa kalonte aty pranë u ndal e u tha:
– Prapë me Avdylin, ju? Shihni punët tuaja!
Qysh atëherë, atë peshkatar plak, që mbante nëpër xhepa nepërka të mbështjella me shami, kur çunat e hasnin udhës, kalonin me dridhmë mënjanas, veçse nuk harronin ta përshëndetnin:
-Mirëmëngjes, pepe Dydyl!
E ai u përgjigjej buzagaz:
– Mirëmëngjes, trimat e Dylit!
Një ditë u përhap një lajm i hidhur, Thanë, se Xha Avdylin e pat pickuar keqas një nepërkë jeshile. Që nga ajo ditë e trishtuar, ai nuk u pa të dilte në breg të lumit, as në zall, as mbi shkëmb. Nuk u dëgjua më as kënga e tij aq e dashur: “O këndo, moj qyqe, se po vjen behari!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …