“Republika e Kosovës si gjithmonë angazhohet maksimalisht për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global”. Ky ishte mesazhi kryesor i Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë fjalimit të tij në Forumin e iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC+WB) të mbajtur në Vjenë para homologêve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. Ndër të tjera, Ministri Mehaj theksoi se forumi përkatës ishte një mundësi e shkëlqyer për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të ndajmë interesat dhe qëllimet tona duke qenë së bashku në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qëndrore në fushën e mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar homologen, njëherit nikoqiren e forumit, ministren e Mbrojtjes të Republikës së Austrisë, Klaudia Tanner. Me këtë rast, Ministrja Tanner shprehu vlerësimet e saj në lidhje me avancimet e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, qëndrimin proevropian sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës, si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes, përmes trajnimeve të përbashkëta ndërmjet forcave të dyja shteteve. Nga ana e tij, Ministri Mehaj falënderoi për ftesën si dhe për pjesëmarrjen e autoriteteve austriake në konferencën “FSK dhe partnerët”, për gatishmërinë e vazhdueshme për bashkëpunim, si dhe i kërkoi përkrahje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në iniciativat rajonale, në NATO dhe BE.
Gjithashtu në margjinat e këtij forumi, Ministri Mehaj takoi edhe ministrin kroat të mbrojtjes, Mario Banozic.
Me këtë rast, Ministri Mehaj ritheksoi se miqësia me shtetin kroat daton qysh herët.
” Si dy shtete që kemi një të kaluar të ngjajshme, kuptojmë shumë mirë seriozitetin e situatës aktuale gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit të shteteve të Evropës në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor, aty ku vërehen haptasi tendencat e ndikimit rus” tha ai.
Në vazhdim dy ministrat diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet ministrive të mbrojtjes dhe forcave të të dyja shteteve, që do të avancoj edhe me nënshkrimin sa më parë të marrëveshjes SOFA, që do thelloj dhe konkretizoj edhe mê shumë bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime në shërbim të paqes në rajon, por edhe më gjerë.
Në vazhdim, Ministri Mehaj rikujtoi se e kaluara është mësim që nuk përsëritet më, andaj qëllimet tona janë të qarta, e ardhmja jonë është pranë familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe aleancës së NATO-s.
Në fund, ai ritheksoi se në rrugëtimin tonë kemi aleat Kroacinë, ashtu si edhe shumë shtete të tjera partnere që vlerësojnë pozicionimin proevropian të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve tanë.