Pleqtë tanë, dikur i seleksiononin mysafirët;
” Kur të vjen Filani, fëmijtë duhet me i nxjerrë jashtë, se është i mprapsht e na prishen fëmija.
E, Filan Fistekun , me ba e me e çue Zoti, është mirë me i thirr fëminë e me iu thanë, ngoni e merrni mësim e naj fjalë të mirë , se ju duhet për jetë”
Oda, ishte një lloj shkolle, parlamenti !
Aty sitej e shoshitej mendja, matej e peshohej e mira e e keqja, aty kishte burra e pleqë mendjehollë, të cilëve u jepej përparësi në fjalë e vendimmarrje, si një nevojë e nivel i lartë përgjegjësie për progres shoqëror e, në të shumtën si një nevojë, për të gjetur ,,ilaçin” problemeve shoqërore të kohës .
Me zhvillimin e teknologjisë, nëpër Oda ,,hyri” Një ,, mysafir” që, deri diku ndërrojë edhe ,,muhabetet” e Odës, Televizori !
Në fillim shumë pleqë, mbase edhe nga naiviteti, thanë ; Na ka hy shejtani në shpi !
Mund të mos e konceptonin, këtë zhvillim teknologjik por, edhe seleksionimin e ” mysafirëve” më, nuk arrinin ta bënin.
“Mysafiri” i TV-së, përzgjidhet diku tjetër, mund të jetë i mirë, mendjendritur, i mbarë; për të cilin duhej thirrur fëmijtë ….por, mund të jetë edhe shejtan, e fëmijtë s’mundesh me i nxjerr jashtë….
Lindën kontradita, si ,, luftë” mes gjeneratave….e theksuar kjo, sidomos nga komunizmi, për të thyer autoritetin e një gjenerate, të cilët nuk e pranonin komunizmin si ideologji, koncept e praktikë!
Tradita, që kishte ndërtuar themele të forta në shoqëri, merr një “goditje” , por nuk humb, meqë pushteti depërtonte me vështërsi në institucionin më të shenjtë – Familjen.
Depërtimi i pushtetit , që mëtonte modernizmin, e përmes tij edhe synimet e pathëna, arrihej të bëhej vetëm përmes punësimit, që njerëzit e shihnin( në të shumtën, me ndonjë përjashtim) vetëm si interes financiar por, pa i lëkundur aspak vlerat tradicionale, që ishin kultivuar nëpër kohë, si garancë kompaktësie e mbijetese!
U krijuan autoritete siç ishin mësuesit, të cilët nderoheshin, sidomos Ata që në popull kultivonin , përpos mësimeve, edhe atdhedashurinë, e të cilët ndikuan në emancipimin e shoqërisë por, gjithnjë duke ruajtur balancën e respektin me e për traditën.
Populli hapi dyert për mësuesit e vet, u bëri konak, u dha bukë e zemër !
Baballarët, ishin selektiv, duke nderuar mësuesit atdhetar e duke porositur fëmijtë për të dëgjuar, veshët katër, për filan mësuesin, siç kishin edhe vërejtje, për ndonjë që joshej nga ofertat antishqiptare, e sjellje devijante !
Më kujtohet baba, tek na fliste për mësuesin Ismajl Gërvalla, nga Duboviku , i cili në fshatin tonë, ishte bërë model se si duhej të ishte Shqiptari, një kombinim , një shkrirje perfekte e modernes dhe traditës !
Kjo balancë e, emancipimi gradual i familjes shqiptare siç ishin shkollimi i rinisë e posaqërisht i femrës; Familjen shqiptare, jo vetëm nuk e trandi por, e pasuroi me vlera , virtyte e mundësi për përparim.
U arrit, poashtu që, tradita e familjes shqiptare, gradualisht por pakthyeshëm të ,,krehet” e pastrohet nga elementet primitive e prapanike.
Kësaj ,, ngrehine” (familjes shqiptare) iu hapen ” dyer e dritare” të reja, pa iu lëkundur themeli , tradita e mirëfilltë e familjes shqiptare si; nderi, mikpritja, respekti, besa…!
Shkolla, Universiteti , krijonte djemë e vajza të ditura, të cilët ushqeheshin me aspirata individuale e shoqërore, se duhej avansuar shoqëria, se ky popull e ky atdhe duhej çliruar nga armiku …..
Për këtë aspiratë Ata, merrnin dije nga librat, nga rilindasit por, edhe nga baballarët, Nënat, Gjyshërit e Gjyshet !
Kjo sinergji, Familjen Shqiptare e bëri kala !
Kot gjëmonin topat, mbi Jasharët !
Ata, i bënë gjokset barrikada!
Aty, ishin tri gjenerata !
Aty Komandanti, kishte babën Shaban, mësuesin e popullit ! Vëlla Hamzën, Nanëmadhen e fëmijtë, djemë e vajza ….!
Tek Jasharët , nuk ishte as rastësi, as një kryeneçësi koti, por një ideal që ishte bërë program e platformë, që burimin e kishte në dijen e idealin e tyre!
Nuk, po flasim për kohët antike , por vetëm dy dekada na ndajnë nga ajo kohë , të gjithëve na kujtohet, ajo QËNDRESË!
Nëna shqiptare, lindi e rriti vajza e djemë , të armatosur me edukatë, atdhedashuri, besë, nder e respekt!
Të tillë qëndruan heroikisht nëpër burgje e gjykatoret i shëndrruan në gjyqe , që moralisht dënonin pushtetin antipopullor , që mëtonte ti dënonte Ata !
Nanat e baballarët i inkurajonin, për këtë QËNDRESË!
Liria e Kosovës , u keqkuptua nga shumëkush , u keqpërdor poashtu !
Hajdutë e matrapazë , korrupsion, keqbërës të të gjitha llojeve, e bënë ,, arenë” të zhvatjes e përfitimit…, e mjelën e rrjepën, si mbi prenë ia ngulitën dhëmbët , bisha të çartura , që si ndaloi askush, mbase vetëm sa u joshën në këtë çoroditje.
Çoroditja ishte shumëdimensionale!
Politika , art i së mundshmes!
Ekonomia, art i së mundshmes!
Kaos gjithandej, mbase edhe i indukuar nga qarqet armiqësore, i programuar, joshje e inkriminim, rrënim vlerash në çdo sektor, punë djalli!
Këtë trandje e përjetojë edhe Familja shqiptare!
Meqë e keqja doli fitimtare, as nuk u ndëshkua e as nuk u përqesh, edhe të ndershmit u ndjenë në defansivë!
Asnjanësit , në të shumtën, kaluan në aksion; në artin e së mundshmes, edhe Ata, hynë në garë Fort e Keq, duke u ndjerë edhe të vonuar!
U krijuan “aliazhe” të çuditshme e të panatyrshme !
Bashkpunëtorët e arkanëve e të regjimit kriminal të Milosheviçit, kërkuan, gjetën e joshen ca kopukë duke hyrë në simbiozë me ta……
Autoritete të tilla falso, populli i njihte, por meqë ata “gufonin” , popullin, familjen e njeriun shqiptar e kaploi dëshpërimi.
Shpresa e besimi u thyen !
Njerëz të ndershëm shpesh dëgjoheshin duke thënë ,,Nuk kishte qenë gjë kjo punë”!
Tashmë kemi me dhjetëra Televizione, që në logjikën e pleqëve të dikurshëm me dhjetëra ” shejtanë” në shtëpi!!!
Mysafirë në Televizione të lloj-llojshëm, që shpesh derisa komandojmë telepilotin , na kujtohet fjala e popullit ; ” Zgjedhma një dreq”, me ndonjë përjashtim Televizionet , nuk është se impenjohen fort për mesazhin që përcjellin tek publiku, duke filluar që nga bastardimi i gjuhës, përmbajtja programore; e cila lë për të dëshiruar.
Mbi dy dekada serialet e huaja janë bërë pjesë e pandashme e familjeve tona, kanë ndikuar e janë bërë deri-diku mënyrë sjellje e jetese të pjesës dërmuese të familjeve tona.
Kjo kulturë e huaj , ka krijuar mënyrë të re të të konceptuarit të gjërave, fenomeneve, dukurive, duke lëkundur edhe disa vlera të çmuara tradicionale, që koha i kishte verifikuar si të dobishme madje identitare për kombin!
Kjo lëkundje e themeleve ka shkaktuar trandje, keqkuptime, kontradita e konflikte, sidomos në familjet ku niveli intelektual e kulturor ishte relativisht i ultë, por edhe tek brezi i ri , tek Ata në ndërtim e sipër të personalitetit.
Të gjendur në udhëkryqin e jetës, në rrethana të caktuara socio- ekonomike, ata bijnë pre e këtij ndikimi , duke u shkëputur nga “shinat” e traditës!
Abuzimi me lirinë, pabesia, kurthet e intrigat në jetën reale shkaktojnë dëme dhe përherë marrin ndëshkim, për gjërat e paduhura njeriu ka reperkusione, pasuria pa djersë duhet të hetohet e konfiskohet…
Njeriu në këtë botë ekziston e sillet në bazë të një kontrate fillimisht me Krijuesin-Zotin, me rrethin, popullin e pastaj me shtetin, ligjin !
Të gjithë këta përcaktues e mbikqyrës të sjelljes sonë kanë të përbashkëtën ; E jotja është e jotja, E huaja është e huaj, dhe një mori rregullash e normash që orvaten për paqen e mirëkuptimin !
Familja shqiptare, ku është në këtë trekëndësh, apo më shumë i shkon shprehja popullore ” As me shehër, as me Barilevë” !
Liria është e pamjaftueshme për secilin, është e kufizuar, normat e përpjestojnë dhe si e tillë askujt si mjafton, as gardianët nuk janë të lirë , edhe Ata janë të ” burgosur “, as vet ligjbërësit nuk kanë liri të mjaftueshme, askush e asnjëri….
Keqkuptimi i lirisë ose abuzimi me lirinë sot, Familjen rrjedhimisht shoqërinë shqiptare e ka vënë në zgripc !
Normat nuk janë e, nuk ishin përjashtuese;
Dikur, babai që martonte vajzën e këshillonte; Shko bija ime, përshtatju atyre njerëzve, siç i kanë doket e zakonet, puno e përkushtoju hakikat familjes…!
Fisheku në pajë, nuk vlente vetëm për vajzën që bëhej nuse , por e obligonte poaq, edhe djalin që bëhej dhëndër !
Ky zakon patriarkal, tejet i vrazhdë e rrëqethës po mbetet ,, lule” karshi sherreve e krimeve që po ndodhin tash në familjet shqiptare, ku viktima bëhen edhe Ata me të pafajshmit, fëmijët !
Ku është roli i prindit sot, a guxon prindi me “komandu” telepilotin, prej djalit e vajzës?!
A sqaron prindi sot djalin a vajzën se, të krijosh familje dmth të sakrifikosh, të privohesh nga liritë, të reduktosh të drejtat e të dyfishosh a shumfishosh obligimet…!
A u tregon dikush se rrita e fëmijëve kalon nëpër një urë që quhet prind !
Shfrenimi, ka lëkundur themelet e Familjes Shqiptare, kësaj kalaje të dikurshme !
5.12.2022