Njëri prej luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjen atdhetarizmi dhe me ndjenjë sakrifice për liri, ishte edhe atdhetari i brumosur me trimëritë e Drenisës së Azem Bejtës, Ahmet Delisë, Emin Latit e të Shaban Palluzhës, Mustafë Haxhiu nga Ternaci i Skënderajt. Dalja publike e formacioneve të UÇK-së në Llaushë, më 28 Nëntor të vitit 1997, kishte bërë që Mustafa të kthehej nga Gjermania, ku dy vite më parë kishte shkuar për të punuar. Ai u kthye në atdheun që po lëngonte nën sundimin serb, me një mendje që ta luftonte deri në fund sunduesin serb, me forcën e armëve. Organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si për të gjithë atdhetarët e devotshëm, të gatshëm për të luftuar për liri, edhe për dëshmorin Mustafë Haxhiu ishte bërë shpresë, lajtmotiv dhe kushtrim lirie. Prandaj, pas kthimit nga mërgimi, ai rrëmbeu armën e lirisë, veshi uniformën e lavdisë dhe mori përgjegjësi ushtarake, fillimisht për të bërë roje në fshatin e tij, e pastaj edhe për kryerjen e aksioneve luftarake. Në këtë angazhim iu bënë krahë të fortë edhe vëllezërit Aliu e Haxhiu, bijtë Afrimi e Besimi, nipërit Nasufi e Isufi, si dhe kushërinj e bashkëfshatarë të tjerë. Me zell të pathyeshëm, përkushtim të palëkundur dhe me aktivitet të pandërprerë, Mustafa vazhdoi rrugën e luftës për lirinë e Kosovës, deri në çastin e rënies në fushën e nderit, më 28 maj të vitit 1999. Brenda kësaj periudhe njëkohësisht dramatike dhe heroike të luftës, me shembullin e tij personal, me përvojën e pasur jetësore, me vendosmërinë e luftëtarit të rryer të lirisë dhe me autoritetin e pakontestueshëm të njeriut të mirë e atdhetar, ai ishte bërë frymëzim lufte e qëndrese për bashkëluftëtarët e tij më të rinj. Prandaj, në shenjë respekti e nderimi ata e thërrisnin me emrin Bacoku, i cili u bë edhe emri i tij i luftës.
Dëshmori Mustafë Haxhiu ka lindur më 11 qershor të vitit 1945, në fshatin Tërnac të komunës së Skënderajt. Prindërit e tij, Murseli e Ajetja kishin nëntë fëmijë: Mustafën, Aliun, Haxhiun, Shahinin, Silemen, Mehrien, Fazilen, Sadien dhe Myrveten. Mustafa ishte i martuar dhe në bashkëshortësi me Shefkien kishte ngritur në familje të shëndetshme e të qëndrueshme. Ai ka lënë shtatë bij, të cilët me krenari ruajnë kujtimin dhe pastërtinë e sakrificës së babait dëshmor: Afrimin, Bashkimin, Muhametin, Fidaimin, Besimin, Arbenin dhe Bejadinin.
Pasi kryen shkollën fillore, për shkak të nevojës ekonomike të familjes, Mustafa, si shumë të rinj te tjerë e burra shqiptarë nga Kosova, kishte shkuar për të kërkuar punë në Mal të Zi. Atje vendoset në Podgoricë, ku disa vite punon punë të ndryshme fizike. Pastaj ishte kthyer në Kosovë, ku arrin të punësohet në ndërmarrjen ndërtimore “Ndërtimi” me seli në Pejë. Në kuadër të kësaj ndërmarrjeje punoi në qytete të ndryshme të Kosovës, në fushën e ndërtimtarisë, derisa në vitin 1989, pas suprimimit të autonomisë kushtetuese të Kosovës, regjimi serb i largoi nga puna punëtorët shqiptarë, në mesin e tyre edhe Mustafën. Pas këtij largimi, disa vite në vijim ai detyrohet të punojë punë të ndryshme për të mbijetuar në rrethanat e gjenocidit politik e ekonomik serb të tipit racist ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në pranverën e vitit 1981, kur në Kosovë kishin shpërthyer demonstratat popullore me kërkesën politike për statusin shtetëror të republikës, Mustafa ishte duke punuar në Prishtinë. Kjo rrethanë ia kishte mundësuar atij që bashkë me masën e punëtorëve, shokë të tij të ndërmarrjes, të merrte pjesë në demonstratë, më 1, 2 e 3 Prill, duke bashkuar zërin e tij demonstrues me zërin e punëtorëve të tjerë, të rinisë studentore e shkollore, fshatarëve, intelektualëve patriotë e të shtresave të tjera të shoqërisë. Që atëherë, te Mustafa kishte qëndruar i zgjuar instinkti patriotik, duke bërë që ai ta ëndërronte lirinë e Kosovës e të përgatitej për betejat e ardhshme kundër zaptuesit serb. Për këtë qëllim ai qysh herët e kishte siguruar armën personale, revolen, të cilën, kur erdhi koha të flasë me gjuhën e armës, do ta zëvendësojë me automatikun dhe me mitralozin grykëzjarrtë, me të cilët ua përcëlloi mjekrat çetnikëve. Atëherë revolen e deriatëhershme sekrete ia kishte dhuruar të birit, luftëtar lirie i ushtrisë së Adem Jasharit, Besimit, dhe sot, së bashku me automatikun e tij, ruhet si relik kujtimi i luftës i dëshmorit.
Kur fundviti i 1997-tes po jepte shenja të sigurta se lufta e armatosur çlirimtare e shqiptarëve kundër pushtimit serb, jo vetëm do të ishte e pashmangshme, por edhe e afërt, dëshmori Mustafë Haxhiu, i kthyer nga Perëndimi u mobilizua për të larë borxhin atdhetar. Tashmë në zonën e Drenicës ishin organizuar njësitet e UÇK-së, të cilat kryenin aksione të njëpasnjëshme kundër forcave policore e ushtarake të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë. Në këtë kohë, lidhjet me njësitet e UÇK-së, si dhe me luftëtarët e lirisë Adem Jasharin, Mujë Krasniqin, Ilaz Kodrën, Rexhep Selimin, Sylejman Selimin e të tjerë, në Prekaz e në Açarevë, i kishin krijuar dhe po i mbanin kushërinjtë e Mustafës, Agron e Avdullah Haxhiu, si dhe biri i tij, Besimi. Tashmë edhe Tërnaci e kishte njësitin ushtarak, ku bënte pjesë edhe Mustafa. Ky njësit stërvitej për betejat e ardhshme, vëzhgonte lëvizjet e trupave militare serbe përgjatë rrugës magjistrale Mirtovicë-Pejë, dhe qëndronte në gjendje gatishmërie për t’iu kundërpërgjigjur këtyre trupave në rast se do të tentonin për të depërtuar në fshatin Tërnac, apo për t’i sulmuar Prekazin dhe fshatrat e tjera përreth. Ndërsa shtëpia e Mustafës ishte bërë shtab lokal i UÇK-së, tërë familja e tij ishte vënë në shërbim të luftës çlirimtare, në pikëpamje të sigurimit të armatimit, ushqimit, barnave etj.
Në natën ndërmjet 4 e 5 marsit të vitit 1998, në vigjilie të sulmit të armatosur serb mbi Familjen Jashari në Prekaz të Poshtëm, Mustafa kishte qenë në pozicion vëzhgimi pranë varrezave të fshatit Tërnac. Atë mbrëmje, me qëllim konsultimi e koordinimi, ai ishte takuar në Prekaz me Komandantin Legjendar Adem Jashari, meqenëse të gjitha parashenjat e një sulmi të egër serb ishin të dukshme dhe për këtë fakt Komandanti kishte qenë fare i vetëdijshëm e në gjendje gatishmërie. Në orën 3:00 të mëngjesit të 5 Marsit, focat militare serbe, me tërë arsenalin e tyre luftarak kishin arritur nga drejtimi i Mitrovicës, duke bllokuar rrugën në drejtim të Skënderajt e duke rrethuar në formë të hekurt Prekazin. Tërë situatën e krijuar e kishte vëzhguar Mustafa me bashkëluftëtarët e vet, nga pozicioni i tij i vëzhgimit. Tri ditët në vazhdim, gjatë sulmit kriminal serb kundër Familjes Jashari, Mustafa me njësitin e tij, sikurse edhe njësitet e tjera të UÇK-së jashtë Prekazit do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të vepruar në përputhje me situatën e krijuar, por epërsia tejmase ushtarake e armikut nuk mundësonte depërtimin në Prekaz për t’iu dalë përballë topave serbë e për ta ndihmuar rezistencën e Komandantit Legjendar. Në këto rrethana të betejës së Prekazit, i mundshëm ishte vetëm betimi i madh për ta vazhduar luftën e pakompromis kundër pushtuesit serb, deri në fitore, me shembullin e Komandantit Legjendar Adem Jashari e të tërë Familjes Jashari, e me idealin e tyre në zemër. Këtë betim e kishte bërë edhe dëshmori Mustafë Haxhiu, i cili do ta shpërfillë çdo rrezik të armikut përballë, deri në momëntin e rënies heroike, duke e luftuar atë me tërë afshin e urrejtjes, në të gjitha vijat e frontit: në Tërnac, Prekaz, Mikushnicë, Klinë e Epërme, Kuqicë, Lubovec, Broboniq, e deri në Likoc, në Oshlan e në fshatrat e tjera të zonës së Shalës e të Çiçavicës. Janë të njohura betejat, si ajo e gushtit të vitit 1998, kur Mustafa me bashkëluftëtarë zbrapsi sulmin e forcave serbe, të cilat bëjnë përpjekje të futen në Prekaz të Epërm, nga drejtimi i Tërnacit. Po ashtu, është i njohur edhe sulmi që Mustafa kishte bërë me topin e tij pa dridhje mbi forcat serbe në Tërnac. Betejë të ashpër kundër forcave serbe, kishte zhvilluar edhe gjatë ofansivës serbe të vjeshtës së vitit 1998, në Malet e Çiçavicës, në mbrojtje të luftëtarëve të plagosur që ndodheshin në trajtim mjekësor në këtë trevë.
Pas ristrukturimit ushtarak të UÇK-së, në fund të vitit 1998, Mustafa ishte sistemuar në formacionet e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” të komandantit Ilaz Kodra, rrezja e operimet e së cilës, në anën veriore arrinte deri në fshatin Koshovë të Luginës së Ibrit. Mustafa drejtonte një formacion në nivel skuadre në kuadrin e Togës I, të udhëhequr nga Haxhi Haxhiu, Kompania III e udhëhequr nga Bekim Haxhiu, Batalioni III, i udhëhequr nga Rafet Rama.
Egërsimi deri në barbari i forcave të pushtuesit serb, pas 24 Marsit të vitit 1999, kur mbi caqet e tyre filloi bombardimi nga NATO-ja, sikurse banorët e fshatrave të tjera, edhe ata të Tërnocit u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre e të strehohen në vende më të sigurta, në mallet e Tërnacit, në vendin e quajtur Leska. Në ato male, nën mbrojtjen e UÇK-së ishin vendosur rreth 20 mijë banorë të fshatrave të zonës e të qytetit të Skënderajt dhe Mitrovicës. Familjarët e Mustafë Haxhiut, sikurse edhe banorët e gjithë fshatit Tërnac ishin vendosur te vendi i quajtur Leska. Gjatë tërë kohës sulmet e militarëve serbë vazhdonin me intensitet të lartë. Ishin momentet e fundit të një lufte për jetë që pushtuesi serb bënte në përpjekje për ta mbajtur Kosovën nën thundër. Nga ana tjetër, populli shqiptar dhe luftëtarët e tij, në këtë luftë nuk kishin [farë të humnbin përveç robërisë shekullore, prandaj ishin të vendosur të qëndronin e të sakrifikonin. Më 28 maj të vitit 1999, në malet e Tërnacit, në vendin e quajtur Cerofc u vra i riu (nxënës) Bedri Haxhiu. Dy të rinj të tjerë u plagosën: Ismet Haxhiu, i nipi i Mustafës dhe Gëzim Ferizi nga Tërnaci . Gëzimi i plagosur rëndë kishte mbetur nën rrethim të forcave serbe. Pjesëtarët e UÇK-së me në krye Mustafë Haxhiun ndërmarrin aksionin për ta nxjerrë Gëzimin e plagosur nga rrethimi. Për t’ia arritur këtij qëllimi, ata bëjnë strategjinë e sulmit pas shpine të forcave serbe, në mënyrë zjarri i tyre të të tërhiqet në anën e kundërt, derisa grupi tjetër i luftëtarëve të UÇK-së në krye me Bekim Haxhiun ta tërheqë të plagosurin nga rrethimi. Mirëpo, tërheqja e të riut të plagosur u pagua me plagën vdekjeprurëse që Mustafa mori në ije ndërmjet rrethatores së fishekëve, nga një plumb i armikut i kalibrit të madh, i shkrepur nga afërsia. Tërheqjen e Mustafës, të plagusur rëndë në këtë aksion e bënë ushtarët Avdullah Haxhiu, Besim Kadri Haxhiu dhe Veli Ferizi. Rreth njëzet minuta pas plagosjes, Mustafa mbyll sytë me të cilët e pa lirinë përmes grykës së pushkës. Varrimi i tij u bë po atë natë në malet e Tërnacit, në vendin e quajtur Leska. Pas kapitullimit të pushtuesit serb në Kosovë, në verë të vitit 1999 u bë rivarrimi i dëshmorit Mustafë Haxhiu, në varrezat e dëshmorëve e martirëve, në Tërnac, ku sot pushojnë eshtrat e tij. Në shenjë nderimi, disa vite pas përfundimit të luftës së UÇK-së është marrë vendimi që rruga kryesore e fshatit Tërnac të mbajë emrin Mustafë Haxhiu, ndërsa edhe rrugicat e këtij fshati të emërtohen me emrat e dëshmorëve të tjerë të tij. (N. M.)