Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka pritur në takim përfaqësuesit e projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës”. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zyrtarë komunal të cilët janë menaxher të kontratave publike, me operatorët ekonomik. Kryetari Haliti theksoi rëndësinë e menaxhimit sa më të mirë të parasë publike dhe, realizimit të projekteve në interes të qytetarëve. Ai, falënderoi përfaqësuesit e këtij projekti për bashkëpunimin e vazhdueshëm me komunën e Vitisë, duke e cilësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm. Qëllimi i këtij projekti është të ofroj këshilla, asistencë, përkrahje dhe mbështetje profesionale në fushat e prokurimit, menaxhimit të kontratave publike, menaxhimit të financave publike dhe auditimit. Përndryshe, në këtë takim nga projekti në fjalë ishin: Naim Behluli -këshilltar i auditimit, Fortuna Haxhikadrija – këshilltare për menaxhimin e financave publike, Ibadete Guri- këshilltare e prokurimit dhe Fadil Beqiri – këshilltar për menaxhimin e kontratave publike.