RrGK mbajti Kuvendin e 20-të vjetor

RrGK mbajti Kuvendin e 20-të vjetor

Sot më 17 dhjetor Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin e 20-të Vjetor të Anëtarësisë. Moderuar nga Antigona Baxhaku Idrizi, mbi 120 pjesëmarrës nga organizatat anëtare, partnerët, miqtë e përkrahësit e rrugëtimit të RrGK-së patën mundësinë të bashkëbisedojnë rreth aktivizmit të përbashkët në arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e gruas në Kosovë.

Kuvendin zyrtarisht e hapi Nermin Mahmuti, Kryetare e Bordit të RrGK-së  e cila çmoi punën e RrGK-së përgjatë viteve duke thënë se ndihet e nderuar me pjesëmarrjen e saj në këtë Kuvend.

“Rrjeti ka dëshmuar punën e shkëlqyer dhe ka qenë transparent në punë, që është e nevojshme për ata që i përkrahin dhe i përkrah Rrjeti. Përveç misonit për avokim në emër të grave dhe vajzave rrjeti ka arritur të përfaqësojë tashmë 194 organizatat e saj anëtare në ngritjen e kapaciteteve të veta,” tha ajo duke vlerësuar edhe kontributin e anëtarëve të bordit.

Ndërkaq, në fjalën përshendetëse u veçua edhe aktivistja e shquar për çrrënjosjen e analfabetizmit, zonja Naxhije Buçinca, e cila ishte edhe kryetarja e bordit të parë të RrGK-së.

“Kur shkollojmë një vajzë shkollojmë një familje, një shoqëri. 1000 gra të shkolluara kanë rezultuar me Fondacionin Buçinca. Kam dëshirë t’i shkollojmë vajzat në nivel universitar. Ne para 20 vjetësh bashkë me Igballe Rogovën e kemi filluar këtë punë, vazhdojeni ju dhe mos u ndalni!”

Anëtarët e Bordit ndër vite, Delina Fico, Besim Kajtazi, Flora Macula, Vjosa Dobruna dhe Argjentina Grazhdani gjatë panelit shpalosën kujtime e historitë e tyre lidhur me punën e RrGK-së duke e vlerësuar lart kontributin e Rrjetit në fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë.

Këtë vit, për të pestën herë me radhë u bë ndarja e çmimit “Sevdije Ahmeti” si kujtim për aktivisten feministe dhe humaniste Sevdije Ahmeti (1944-2016).

Ky çmim iu nda Resmije Rahmanit (Biba), mobilizuese e grave me aftësi të kufizuara në Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK). Çmimit i parapriu një poezi dedikuar Bibës, intepretuar nga aktorja dhe aktivistja Safete Rogova, e cila emocionoi të gjithë të pranishmit.

Tutje, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, çmoi kontributin e secilës organizatë anëtare përgjatë viteve duke bërë që objektivat e RrGK-së për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në politikë, ekonomi dhe fushave të tjera programatike të Strategjisë së Rrjetit të arrihet pothuajsë tërësisht. “Falenderoj secilin veç e veç për gjithë punën. Ka qenë energjia e 194 organizatave anëtare, bordit, stafit, partnerëve e përkrahësve tanë, bashkë me mediat që kanë qenë zëri ynë, e që falë kësaj fuqie kemi arritur ta zbatojmë strategjinë tonë katër vjeçare.”

Stafi i RrGK-së edhe këtë vit raportoi për punën e bërë gjatë katër viteve të fundit dhe këto rezultate janë si në vijim:

  • Numri i grave deputete është rritur nga 32,5% në 35,8%.
  • 2,058 gra kanë marrë pjesë në proceset vendimmarrëse.
  • 24 politika publike (ligje, strategji, të tjera) janë amendamentuar, duke integruar komentet e RrGK.
  • 50 hapa u ndërmorrën nga përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe të BE-së në adresimin e çështjeve të ngritura nga grate.
  • 150 gra që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore kanë marrë ndihmë ligjore. Ngritja e vetëdijes për dhunën me bazë gjinore është përmirësuar.
  • Ekzistojnë 19 politika për adresimin e ngacmimit seksual.
  • Më shumë se 30 iniciativa kanë përkrahur gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
  • 20,000 gra dhe burra janë informuar për të drejtat e tyre në punë.
  • 680 raste janë ndihmuar juridikisht lidhur me diskriminimin me bazë gjinore në punësim.
  • 329 gra kërkuan të drejtën e tyre për trashëgimi ose të drejtat pronësore.
  • Gjithashtu që nga viti 2012,  RrGK përmes Fondit të Grave të Kosovës ka dhënë  252 grante për 149 organizata.  4,368 gra tashmë kanë qasje në kujdes shëndetësor.

Kuvendi i 20 Vjetor i Anëtareve të RrGK-së u financua nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), Fondacioni Kvinna till Kvinna, si dhe Sigrid Rausing Trust.

Kurse, përgjatë gjithë vitit përpjekjet e RrGK-së për barazi gjinore janë mbështetur edhe nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe UN Women.

Kontrolloni gjithashtu

Arrestohet një i dyshuar për dhënie ryshfeti

Më 8 nëntor 2024, zyrtarët e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë,  gjatë një …