Sami Bogiqi u lind më 9. 8. 1961 në Komoran të komunës së Drenasit. Prindërit e tij, Ferizi dhe Nefisja lindën pesë fëmijë: Samiun, Shefkien, Avniun, Tomorrin dhe Shemsiun. Ai ishte fëmija i parë në familje, prandaj që në moshë të re u desh të kryente punë të ndryshme për ta ndihmuar familjen. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, në drejtimet teknike në Drenas.
Më 1978 filloi punën në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku” në Prishtinë ku punoi deri në fund të vitit 1983. Pastaj kaloi në Kompleksin Industrial të Ferronikelit në Drenas, ku punoi derisa shpërtheu lufta çlirimtare në Kosovë.
Samiu ishte shumë aktiv sidomos në demonstratat dhe protestat e zhvilluara në Kosovë gjatë viteve ’80-ta, të shekullit 20, e veçmas u dallua në mbështetje të minatorëve të ngujuar në zgefellën e minierës së Trepçës në fillim të vitit 1989. Gjatë kësaj periudhe, si pjesëtar aktiv i Sindikatës së Pavarua të punëtorëve të Ferronikelit, ka grumbulluar dhe shpërndarë ndihma materiale mujore për minatorët e përzënë nga puna në kombinatin “Trepça”. Po në vitet 1989-90 organizohen protesta të përditshme edhe në Llapushnik, Komoran, Drenas dhe Prishtinë, ku Samiu kishte rol mjaft aktiv.
Ishte koha kur në arkivole po vinin ushtarët shqiptarë që kishin ngelur me shërbim në Armatën Jugosllave. Vëllau i Samiut, Tomorri, i ishte nënshtruar një trysnie të paparë për t’u rreshtuar përkrah ushtarëve serbë, gjë që ai e kishte kundërshtuar me këmbëngulje. Samiu shkon për ta takuar të vëllain, por Sigurimi ushtarak i Armatës Jugosllave i bie në gjurmë, prandaj e maltreton atë fizikisht.
Në vitin 1997 policia serbe ishte përqendruar në udhëkryqin e Komoranit, ku terrorizonte shqiptarë që kalonin andejpari. Samiu, atëbotë ishte i bindur se stacionimi i policisë serbe në Komoran paralajmëronte një luftë të përgjakshme në një të ardhme të afërt, pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në prag të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Dhe, vetëm pak muaj më vonë, më 28 shkurt 1998 në Likoshan e Çirez të Drenicës, te Gjashtë Lisat Binjakë ndodhi sulmi i njësitit të UÇK-së kundër patrullës së policisë serbe. Humbja e pësuar nga forcat serbe i tërboi ato, me ç’rast pasuan aksionet hakmarrëse ndaj banorëve të këtyre fshatrave, imazhet e të vrarëve tmerruan jo vetëm Kosovën, por mbarë opinionin botëror liridashës. Pas rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe pjesës më të madhe të familjes së tij, i tërë populli u ngrit në mbështetje të UÇK-së. Pas kësaj ngjarjeje Samiu kontaktoi me Sokol dhe Gani Elshanin nga Kroikova nga të cilët merr detyra në sektorin e logjistikës të UÇK-së.
Fillimisht, ai kishte kërkuar nga Sokol Krasniqi, Ferat Shala dhe Musë Jashari që ta angazhonin në aksionet guerile, por ata me gjithë mirëkuptimin që kishin për të, nuk kishin shpreh gatishmërinë që ta pranojnë në radhët e veta, pasi që ishte faza e vendosjes së pikave në Negroc, Kroikovë dhe Poterk dhe konsolidimit të tyre. Meqenëse në “Ferronikel” kishte bërë punën e kuzhinierit, ketë profesion ai e kryen edhe gjatë kësaj periudhe, jo vetëm për ushtarët, por edhe për popullatën civile, e zhvendosur nga vende të ndryshme të Drenicës, ku po zhvilloheshin operacione luftarake.
Më 3.5.1998 Samiu bën betimin dhe në këtë mënyrë realizon ëndrrën e tij për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së, në kuadër të Njësitit “Guri”, Kompania e III-të e Batalionit të II-të të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës. Më 8 e 9 maj merrë pjesë në betejën e parë frontale kundër forcave serbe në Grykën e Llapushnikut. Ai merr pjesë betejë pas beteje kundër forcave serbe gjatë gjithë muajit maj derisa më 29. 5. 1998, kur në lagjen Çupi të Vukocit bie në altarin e lirisë. Me këtë rast plagoset rëndë Sahit Berisha, kurse Zejnullah Thaçi kapet dhe torturohet.
Më 31 maj 1998, luftëtarët Sokol Krasniqi, Nasuf Thaçi dhe Ejup Thaçi, së bashku me bashkëfshatarët e dëshmorit Sami Bogiqi, Nazmiun, Skënderin dhe Azem Bogiqin, si dhe me Ali Krasniqi, nën breshërinë e armëve arrijnë ta tërheqin trupin e dëshmorit e ta varrosin në lagjen Musaj të Llapushnikut. Është zhvarrosur nga familja më 20 korrik 1999 për ta varrosur në varrezat e fshatit, mirëpo më 5 shtator 2000 organizohet ceremonia e dytë e rivarrimit në Negroc, me nderime të larta ushtarake, ku tani prehet përjetësisht.
Familja e dëshmorit të lirisë Sami Bogiqi, ka lënë bashkëshorten, Fazën, dhe fëmijët Dardanin, Beratin, Durimin dhe Ardianin.
Rapsodë të ndryshëm i kanë kushtuar këngë heroizmit dhe trimërisë të dëshmorit të lirisë Sami Bogiqi, kurse Ministria e Mbrojtjes së QPK-së, Shoqata e dëshmorëve të lirisë, Kuvendi komunal i Drenasit dhe asociacione kulturore e sportive kanë ndarë falënderime dhe mirënjohje. (I. S.)