Rrjedha e një lumi të vërshuar bart me vete edhe mbeturina përgjatë shtratit nga i cili del jashtë tij, specifikisht në segmentin e ekonomisë, mbrojtjes dhe diplomacisë, e kjo përshkruan një nuancë të tranzicionit politik në Kosovë. Kjo rrjedhë, tranzicioni, ka prodhuar një rezultat, atë të demoralizimit të shoqërisë dhe asaj pjese të politikës patriotike.
Që nga paslufta deri më tani në relacionin Kosovë-Serbi, me dialogun, kishte përpjekje politike për narrativa, por, kërkesë konsistente për Traktat Paqe nuk kishte!, siç, rëndom ndodh ndërmjet vendeve ndërluftuese pas përfundimit të luftës në mënyrë që të normalizohen raportet e tyre. Pas mbi dy dekada të prezencës së faktorit ndërkombëtar, me motive shumëpalëshe e të shumëanëshme, është rivënë në rrezik paqja rajonale, nga një rrjedhje e heshtur e disbalancave të mëdha në rajon, të (pa) qëllimshme, dhe apetiteve territoriale historike ndaj një vendi të caktuar, të motivuara edhe nga ide marksist-leniniste, që krijon në sipërfaqe krizën. Tani, Unioni Europian, përmes emisarit të saj me origjinë Sllovake, pas viteve tensioni e krize politike ndërmjet dy vendeve Kosovë-Serbi, nga mësimet prej mbi dy dekadash, ofron “normalizimin” si zgjidhje, ashtu sikur, hyrja e Sovjetikëve më 1968 në Çekosllovaki, veçse atëherë me tankse, e Brezhnjevi deklaronte se tani marrëdhëniet përmes nesh, do të normalizohen!.
Ditët e barrikadimeve në histori njihen qysh më 1588 në Paris, atëherë, kur grupe qytetarësh Francezë e refuzonin bindjen ndaj Mbretit Henri III, duke mbyllur vendkalime të caktuara si mënyrë e ruajtjes së status-quos dhe presioni kundrejt autoritetit të tij. Po ashtu, gjatë vitit 1991 kishte barrikadat në rrugët e Rigës, Letoni, që mbronin monumentet e tyre nga njësitë ushtarake Sovjetike që tentonin ta parandalonin shpërbërjen e BRSS-së, më pas, në vitin 2006, barrikadat në rrugët e Oaxaca, Meksikë, kur qytetarët mbronin anëtarët e asamblesë popullore të Oaxaca nga njësitet paraushtarake; e të tjera raste gjithandej. Por, secili rast në veçanti dhe të gjitha në tërësinë e tyre, tregojnë se si barrikadat vazhdojnë të gjallërojnë grupe dhe imagjinatat shoqërore e politike, duke krijuar ndjesinë e solidaritetit të së kaluarës por edhe të mundësisë të së ardhmes politike.
Dështimi ndër vitesh në dialog për “normalizim”, pa Traktat Paqe, është një qëndrueshmëri fiktive, mbase duhet argumentuar se asnjë zgjidhje politike e besueshme nuk mund të arrihet ndërmjet palëve me interesa kontradiktore të cilët luftën nuk e mbyllën me Traktat. E faktori ndërkombëtar, i portretizoi dy figura, si Aleksandar Vučić e Ivica Dačić, si bashkëpunëtor të së ardhmes, e që në fakt dolën të jenë nxitës e minues të paqes!. Dialogu në Bruksel prodhoi disa marrëveshje, por jo, Traktat Paqeje. Që pas shpalljes së pavarësisë dhe konfirmimit të saj nga GjND-ja, betejat vazhduan në dy rrafshe, atë politik dhe atë psikologjik në mendjet e qytetarëve. Përkundër që, shteti i Kosovës, morri barrën për të dëshmuar dy narrativa; atë të aftësisë për shtet-bërje, po ashtu edhe aftësinë për kujdesin e të drejtave themelore për të gjitha pakicat vendase e veçanërisht pakicës serbe. Çuditërisht, pas krijimit të formacionit të quajtur ‘srpska lista’ ata përkufizuan ekzistencën e tyre institucionale në terma të konvergjencave për të minuar përpjekjet për një mirëqenie politike, po që rezultoi në marrjen e njëanshme të kontrollit të Veriut të vendit e edhe barrikadimin e ripërsëritur.
Narrativat gjeopolitike të cilat nuk dolën në sipërfaqe asnjëherë për t’u përmendur publikisht, për shkak të mos nënshkrimit të një Traktat Paqeje, tani, na rezulton me kërkesën për “normalizim”. Sfidave të ndërmjetësve u ngarkohet edhe kaosi me strukturat paralele që ngadalëson hapat mbi procesin e paqes. Për palën serbe, strukturat paralele të koncentruara në Veriun e vendit, shiheshin si “çështje teknike” apo mjet strategjik për të ndikuar në procesin e dialogut. E për rrjedhojë, dialog mbi paqen nuk u zhvillua asnjëherë drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, si ndërveprim ballë-për-ballë.
Pa asnjë dyshim se roli i ShBA-ve është krucial në Kosovë, e në rajon, por, nuk do duhej lejuar të reduktohet paqja në elementin e një marrëveshje si normalizim. Andaj, Uashingtoni zyrtar do duhej ta rishikojë procesin për një përmbyllje politike me një TRAKTAT PAQEJE KOSOVË-SERBI sepse Traktat Paqeje do nënkuptonte normalizim marrëdhëniesh; e normalizim marrëdhëniesh do nënkuptonte njohje e ndërsjellë; e njohja e ndërsjellë do nënkuptonte marrëdhënie bilaterale; e marrëdhënie bilaterale do nënkuptonte pajtim mes popujve; e pajtimi mes popujve do nënkuptonte ardhmëri rajonale e Europiane. Ky duhej të ishte apo të jetë rrugëtimi politik, siç e bërë në shumë raste, shtetet (sipas të drejtës ndërkombëtare) pas përfundimit të luftës në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet, nënshkruajnë një Traktat, dhe jo të kufizohet në normalizim si një komponentë Traktati.