Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se thirrja e kryeministres serbe Ana Brnabiq drejtuar shoqërisë civile për të folur për situatën në Kosovë është një përpjekje për të homogjenizuar opinionin e gjerë rreth barrikadave në veri. Ajo tha se situata në kufirin me Kosovën është shumë më e ndërlikuar për shkak të pranisë së njësisë paraushtarake ruse Wagner dhe ‘ujqërve të natës’, si dhe grupeve ekstremiste serbe që bëjnë gjithçka për të provokuar një konflikt dhe më pas të gjejnë justifikim për të pushtuar veriun. Kryeministrja serbe, Brnabiq ka lutur organizatat joqeveritare që të ngrenë zërin, sepse, sipas saj, situata në Kosovë është “në prag të konfliktit të armatosur”. Në këtë kontekst, Biserko, duke folur për “Danas” ka përkujtuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se “hapësira jonë për manovrim është të tregojmë unitet, vendosmëri dhe bashkim”.