Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas miratimit në Kuvend të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1 600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4-vjeçar. Kryetari i PDK-së është shprehur se misioni i ri i qeverisë Kurti është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre. “Keqqeverisja, punësimet partiake, skandalet në shëndetësi, dështimet në ekonomi dhe energji, ikja e të rinjve nga vendi, rrezikimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit – në vetëm dy vjet qeverisje – nuk po i mjaftojnë kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij. Tani, përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë, misioni i ri i kësaj qeverie është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre. E gjithë kjo, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundërkushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij”, ka shkruar Krasniqi.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …