Deputetit më lapërdhar të Vetëvendosjes, më të papërgjegjshmit dhe më naivit, Dimal Basha, përveç me veteranët, arsimtarët, sindikatat i ka dalë punë edhe me Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë, qysh nga vitit 1999. Basha shpërfillë madje edhe kërcënon KFOR-in, shumë më fortë se Xhelali i Sveçlës, i cili deri diku mendon se e ka edhe për detyrë.
Se deri ku e lëshon gjuhën kundër KFOR-it ky “trimi” i Albinit, nuk ka nevojë ta lexoni tërë shkrimin, si gjithnjë me gabime e budallallëqe por mjafton kjo fjali: Nëse, ju kfori dishironi me qëndru indiferent ndaj kriminelëve, në rregull, vetëm lishoni udhë sepse policia jonë asht deklaru që ka kapacitete me i hjek pengesat, por m’u nënshtru jok!”, ka shkruar Basha në fejsbukun e tij të mbushur me horllëqe të tilla.
Aq shumë kreshpërohet me leshra e hakërrima luanësh, ky Basha sa ta merr mendja mos është i origjinës së Gjeta Basho Mujit, i cili e gjuante Mbretin me muzdrak nga Velika Klladusha e Bosnjës, e në Pallatin e tij, në Stamboll.
Paragjykimi se Forca e vetme e sigurt e sigurisë në Kosovë, është indiferente dhe madje bashkëpunon me krimin, është konstatim naiv, të cilin nuk e merr askush seriozisht, ashtu sikur edhe nuk bën të merret seriozisht asnjë fjalë e këtij gjysmaku, por kjo nuk është e tëra, pasi në Vetëvendosje është e pranishme dhe sogjeton një armatë e tërë e naivëve të tillë, e trimave, të cilëve iu kanë dalë mbi supe flatrat e lirisë, pa dhënë as një pendël për çlirimin e Kosovës.
Të tillët po del se janë, më trimat po se po, por edhe “më të mençurit”, që i ka pasur ndonjëherë ndonjë Qeveri e vendit deri tani.
Basha po e ditka se Policia e Xhelalit ka kapacitete “m’ i hek barrikadat”, por nuk e di as do t’ ia dijë se kapacitete shumëfish më të mëdha ka Serbia e Rusisë, e cila mezi pret ndonjë aksident krejt të vogël. Kjo nuk i intereson bashës as bashëve, mujve, sveçëlve e muratëve, sokolave të Albinit.
Të tillët janë si ata, që e lehin ujkun dhe duke ikur nga frika prej tij, e sjellin në torishtë.
Vetëvendosja, si parti e cila vazhdimisht ka rrahur dhe rrah gjoks për trimëri, dhe trimërinë gjithnjë e ka treguar kundër policisë së Kosovës e kundër institucioneve, sidomos kundër Kuvendit dhe asnjëherë të vetme kundër Policisë së Serbisë, ka prodhuar një klasë të tillë të dimalëve e sveçëlve të papërgjegjshëm, naivë e shtiracakë, të cilët rrinë këmbëkryq, atëherë kur duhet të veprohet, e bëjnë turr për luftë, pa e ditur as pa e mësuar kurrë se çka është ajo.
Kjo fjala e Bashës është si ajo fjolla e borës, por një hile tjetër në këtë drejtim po e bën edhe një segment i opozitës, duke i bërë presion Qeverisë, që t’ i heq barrikadat, edhe pse e di mirëfilli, se çka ka deklaruar KFOR-i, të cilin e kanë vënë në veprim, Albini e Xhelali duke pretenduar se kanë sovranitet në Veri. Është pak më shumë se hipokrite kërkesa për përshkallëzimin e situatës në Veri, duke e ditur mirë se Kosova nuk mundet e vetme ta vë nën kontroll Veriun, të cilin, de facto nuk e ka vënë asnjëherë prej qershorit të vitit 1999, pavarësisht se kush sa është munduar, apo ka pretenduar ta shtrijë sovranitetin, në atë pjesë gjeografike të Kosovës, por gjithnjë me shumicë serbe.
Serbia me ndihmën e trupave franceze e ruse e ka ndarë veriun mbi Lumin Ibër që nga qershori i vitit 1999 dhe Kosova kurrë nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin e plotë, në atë pjesë.
Bisedimet për veriun kanë qenë dhe po mbesin alfa e të gjitha angazhimeve të Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë, BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e disa vendeve të tjera mike. Emërues i përbashkët i tërë kësaj çështjeje ende të pazgjidhur, është arritja e një marrëveshjeje me dialog, duke i njohur serbëve të veriut jo vetëm të gjitha të drejtat, të cilat i kanë pasur dhe i kanë, por edhe të drejtën e shumicës, etnike, të drejtën e një autonomie sa për fillim, të cilën, de facto e kanë, por de iure ende nuk e gëzojnë, andaj ata kushtëzojnë edhe heqjen e barrikadave me qëllim që të themelohet bashkësia e pavarur serbe në Veri e quajtur Asociacion, që është shumë më keq sesa shkëmbimi i territoreve të Kosovës lindore me ato veriore, një marrëveshje e arsyeshme dhe e natyrshme, por krejt kjo vetëm për inat të Hashim Thaçit, sepse ai përkrahte një mundësi të tillë, të cilën e ka përkrahur edhe Amerika, por jo BE-ja për shkak të efektit domino në rajon. Pikërisht për këtë ide e cila ditë e më tepër po konfigurohet si e vetmja, më e arsyueshmja, kumbara i Albin Kurtit, Mehmet Kraja e quan tradhtar Hashim Thaçin, edhe pse ajo ishte vetëm një ide një propozim, në mesin e propozimeve të tjera si ky plani i dy gjermanive, që është më i keqi dhe më i shëmtuari.