Me rastin e vdekjes së ish luftëtarit të UÇK-së, atdhetarit dhe plakut të urtë, Halil (Haxhi) Berisha, i njohur si “Plaku”, nga fshati Bardh i Komunës së Malishevës, është mbajtur një mbledhje komemorative, ku është kujtuar dhe është vlerësuar lartë për veprimtarin e tij. Më pas, me nderime është varrosur në varrezat e Dëshmorëve e Veteranëve në Kleçkë. Në mbledhjen komemorative, në mesin e atyre që folën për jetën dhe veprën e Halil Berishës, ishte edhe Fatmir Limaj, komandant Çeliku, i cili në cilësinë e bashkëluftëtarit, tha se Halil Berisha, ka qenë simbolika e trashëgimisë së kësaj treve pasi i ka pasur të gjitha virtytet, trimërinë, bujarinë, mikëpritjen dhe guximin.
Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, duke folur për jetën dhe veprimtarin e Halil Berishës, tha se ka qenë një veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare dhe ne sot kemi humbur një njeri të madh, që i ka dhënë shumë vendit. Baca Lilë, do të na mungojë të gjithëve. Ka qenë njeri i luftës dhe i paqes, tha mes tjerash kryetari Kastrati.
Në emër të OVL të UÇK-së në Malishevë, foli Metush Kryeziu, i cili Halil Berishën e ka vlerësuar si një patriot e atdhetar të madh. Jemi krenar që e patëm në mesin tonë, tha ai.
Ndërsa bashkëluftëtari dhe bashkëpunëtori i orëve të para të përpjekjeve për liri, Habib Paçarizi, ka evokuar kujtime për veprimtarin e Halil Berishës, nga vitet e’80-ta, pastaj në vitin 1996, kur kanë kryer aksionet e para kundër stacioneve policore, pastaj në luftën e UÇK-së, ku edhe shtëpia e tij ka qenë një bazë e sigurt e luftës, në UÇK TMK, e deri në ditët e sotme, nuk është ndalur duke punuar e kontribuar për vendin, duke përfshië edhe kontributin e tij në letërsi, pasi ka lënë pas vetës dy vepra të botuara e shumë dorëshkrime”. Në fund, të pranishmit në këtë komemoracion, i ka falënderuar djali i tij Haxhi Halil Berisha.