Jo zgjidhja e çështjeve, por moszgjidhja e tyre mund të çojë në luftë
Situata në në veri është mjaft e nderë dhe e mbarsur me rrezikun për
përshkallëzim të paparashikueshëm.
Qeveria e Kosovës që nga fillimi nuk është dashur të lejojë që të vijë
situata deri këtu, por së paku tani duhet ta ketë parasysh se çdo
përshkallëzim i saj mund të sjellë deri te rëndimi i mëtutjeshëm i
situatës dhe deri te viktima të pafajshme e të panevojshme.
Kryeministri Kurti, duke qenë kundër “shkëmbimit të territoreve” që do
të duhej të realizohej duke respektuar vullnetin e qytetarëve të cilët
jetojnë në vazhdimësi territoriale me shtetin amë, po del hapur kundër
vetëvendosjes së kombeve dhe rrjedhimisht edhe kundër zgjidhjes së
çështjeve të pazgjidhura në mes të Kosovës e Serbisë. Kjo politikë e tij
mbart në vete rrezikun e përhershëm të një konflikti të armatosur, që
nuk i duhet askujt. Për më tepër kjo politikë vazhdon të injorojë
çështjen e Kosovës Lindore, e që e vendos vetë Kosovën në pozitë të
pafavorshme dhe shqiptarët në Kosovën Lindore i lë nën mëshirën e
Serbisë.
Edhe thirrjet e opozitës për intervenim në veri janë dashakeqe dhe të
dëmshme për Kosovën dhe interesat e saj. Këto përpjekje të opozitës janë
nxitje e qeverisë për ta thelluar gabimin, në ndërkohë që gabimet e
mëtutjeshme nuk do të rëndonin vetëm mbi qeverinë, por mbi krejt
Kosovën.
Çështja e veriut të Kosovës është ekskluzivisht çështje politike dhe
zgjidhet vetëm me mjete politike. Çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë
çështje me mjete policore apo ushtarake, nga cilado anë qoftë, do të
sjellë gjendje edhe më të rëndë, e me pasoja edhe më të mëdha.
Kushdo që tenton ta përdorë forcën në veri duhet ta ketë parasysh se në
mënyrë automatike e aktivizon forcën ushtarake të KFOR-it, si forca e
vetme e thirrur për çështjen e paqes dhe sigurisë në atë pjesë të
Kosovës. Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e Serbisë dhe t’i acarojë
raportet me faktorët ndërkombëtarë (SHBA e BE), e posaçërisht në këto
rrethana me KFOR-in. Acarimi i raporteve të Kosovës me forcat e KFOR-it,
apo të NATO-s në asnjë rast nuk janë në interesin e Kosovës dhe
qytetarëve të saj.
Lëvizja për Bashkim
27.12.2022