U zbulua lapidari për dëshmorin e kombit Afrim Krasniqi

Sot në fshatin Bardh të Komunës së Malishevës, u bë zbulimi i lapidarit kushtuar dëshmorit të kombit Afrim Krasniqi, nga ky fshat. Në ceremoninë e organizuar, morën pjesë strukturat komunale, bashkëluftëtar të dëshmorit dhe qytetarë të shumtë. “Është kënaqësi e krenari për këtë investim që kemi bërë. Do të vazhdojmë të përkrahim vlerat kombëtare, sepse sa më shumë gjurmë e shenja për vlerat, është më mirë për të ardhmen e gjeneratave që vijnë. Urime për fshatin Bardh, bashkëluftëtarët dhe gjithë Llapushën”, ka thënë mes tjerash në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Duke folur për dëshmorët dhe rëndësinë e ngritjes së lapidarëve, si ky sot,  Fatmir Limaj-Çeliku, tha se, “dëshmia e parë që përnjëmend e duam, e nderojmë këtë vend, janë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës. Ngritja e shenjave dhe e vlerave si ky lapidar, është dëshmi tjetër e madhe se populli ynë i do dhe krenohet me kontributin e tyre, me luftën e lavdishme të tyre dhe në përgjithësi me të kaluarën tone historike. Nderimi që i bëjmë dëshmorëve është falënderim për lirinë, për shtetin, e për Kosovën e pavarur, që në themele të saj ka gjakun e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë kontribuar për të ndër breza”. Ndërsa, zëvendëskomandanti i FSK-së, Gjeneralmajor, Enver Cikaqi,  duke folur në këtë ceremoni, tha se “lufta e UÇK-së, është themeli i lirisë dhe shtetit, dhe një bazë e fuqishme e ushtrisë që është duke u zhvilluar çdo ditë e me shumë”. “Ky lapidar është një shenjë që tregon se liria jonë, shteti ynë, është arritur e ndërtuar falë gjakut të dëshmorëve të kombit”, ka thënë Fatmir Shurdhaj, ish bashkëluftëtar me Afrim Krasniqin. Në këtë ceremoni të zbulimit të lapidarit kushtuar dëshmorit të kombit, Afrim Krasniqi, biografinë e tij e ka lexuar, anëtari i Kuvendit të Komunës në Malishevë, Valon Krasniqi nga fshati Bardh.

Mund të jetë një imazh i 8 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot …