I gjithë imperializmi e kapitalizmi, reaksioni ndërkombëtar dhe forcat e tjera të errëta janë hedhur në një sulm frontal kundër ideologjisë marksiste duke e konsideruar atë si një fatkeqësi të madhe, si një rrezik eminent që i kanoset demokracisë e me këtë rast nuk lënë pa mallkuar përfaqësuesin më në zë të kësaj ideologjie Marksin, por dhe Leninin që guxoi dhe për herë të parë e vuri në jetë në Rusi, në përmjet revolucionit socialist.
Të jetë e vërtetë se “marksizmi” e “shpiku” Marksi apo idetë e revolucionit proletar lindën një ditë pa pritur nga gjenialiteti i Leninit si individ? Nëse kjo çështje do mendohej se na qënkish një punë individësh do ishte e gabuar. Si Marksi, por dhe Lenini nuk bënë gjë tjetër, veçse përgjithësuan në teori dhe vendosën në praktikë atë çka kish përgatitur vet borgjezia. Mos vallë në këtë mes ka ndonjë kontradiktë?
Si është e mundur, që borgjezia para revolucionit francez në të gjithë Evropën Azinë e deri në Amerikë, kish bërë hapa gjigante përpara, duke shpartalluar “marr- dhëniet” e vjetra feudale, kishte ngritur një industri të tërë me fabrika uzina manifaktura, transport te zhvilluar detar e rrugor me eksplorime të mëdha, me shkencë e teknike te përparuar, me lëvizje e tregti ndërkombëtare nëpërmjet një rrjeti të tërë të mirë organizuar shpërndarje. etj ?!
Me qenë se revolucionet me karakter demokratik e borgjez, pra kalimi nga rendi feudal i “marr- dhënieve” ekonomike në atë kapitalist, ishte jo vetëm një hap i madh e gjigant përpara por dhe një meritë e borgjezisë, një domosdoshmëri objektive, sepse zhvillimi i madh dhe gjigant ekonomik i asaj periudhe historike, nuk mund të përballohej e të ecte më tej me “marr-dhëniet” e vjetra feudale. Atëherë si na qenka e mundur që vet borgjezia dhe kapitalizmi të bëheshin promotorë të lindjes së “marksizmit”?!
Historikisht, dihet shumë mirë se borgjezia dhe kapitalizmi në një periudhe të caktuar, luajtën një rol të madh e revolucionar dhe paralelisht me borgjezinë dhe kapitalistin si klasë dirigjente e këtyre “marr-dhënieve” lindi dhe klasa tjetër, e kundërta e tij, proletariati, tërësisht i zhveshur nga prona, por që shiste vetëm fuqinë e krahut të vet sikur të ishte mall. Idetë e filozofëve të lashtë për një botë të lirë e të barabartë pa shtypje e shfrytëzim, sikurse dhe mendimi iluminist i kohës nuk po gjenin dot zbatim, Nuk po gjenin, sepse borgjezia dhe kapitalizmi vërtetë luajtën një rol jashtëzakonisht përparimtar e revolucionar për kohën, por ata nuk mundën dot të hiqnin shfrytëzimin e njeriut nga njeriu.
Disa mendimtarë madje dhe komunarë të Parisit me gjithë aktin e tyre revolucionar tremujor të komunës, përsëri barazinë e shikonin te “filantropizmi” i kastës së pasanikëve borgjezë, apo dhe në kufizimet e burimit të fitimeve të tyre pa prekur aspak “marr- dhëniet” punëtor-kapitalist.
Askujt deri në atë kohë veç Marksit nuk kishte mundur dot të zbulonin se ajo çka përbënte thelbin e shfrytëzimit, ishte kontradikta midis punës dhe prodhimit, që do të thotë se puna ka karakter të barabartë e kolektiv, taksa prodhimi merr karakter privat, sepse administrohet nga kapitalisti, i cili duke pasur të vetat mjetet e prodhimit, te ky prodhim (por që i ve në lëvizje me krahët e punëtorit), një pjesë të mirë të tij, ja vjedh punëtorit nëpërmjet një page minimale aq sa për të jetuar, shkurt i plotëson kushtet më minimale të jetesës, sepse do t’i duhet dhe të nesërmen për në punë.
Ky është thelbi jo vetëm i gjithë shfrytëzimit kapitalist, por përbën dhe rolin reaksionar të borgjezisë dhe kapitalizmit. E gjithë periudha e sundimit të kapitalizmit kalon tre faza kryesore, atë të lindjes së tij, lulëzimit në pikën më të lartë, që në vendet me hapësirë gjeografike, popullatë dhe ekonomi te zhvilluar konsiderohen imperializëm dhe faza e tretë dhe e fundit e tij, që është kalbëzimi, rënia e shkatërrimi tërësisht nëpërmjet revolucioneve proletare. Por kapitalizmi në dy fazat e para me rritjen e potencës ekonomike, kërkon zgjerimin dhe shtrirjen e tij, jo vetëm për eksportin e kapitalit por dhe lëvrimin e fuqisë punëtore, ndaj nuk janë dhe të rastësishme që paralel me atë hop të madh, linden dhe mënyrat e reja të skllavërimit të popujve nëpërmjet kolonizimeve të vendeve shumë të varfra sikurse ndodhën në Azi, Afrikë, Amerikë Latine, nga kolonizatorët anglezë, francezë, spanjollë, gjermanë, portugezë, danezë, italianë holandezë etj. Pra shtypja e shfrytëzimi kapitalist nuk do të kishin më karakter nacional por dhe internacional.
Fuqitë e mëdha kapitaliste si rezultat i përqendrimit të kapitalit “mall- para” u shndërruan në vende imperialiste dhe u futën dhe në kontradikta të ashpra me njëra tjetrën, për zona influence duke krijuar premisat e kacafytjeve me njëri tjetrin por dhe lidhur aleanca shumëpalëshe e grupime mbi baza interesash ekonomike. Në këtë mënyrë lindën premisat e luftërave botërore që do të çonin popujt drejt tragjedive të mëdha, kështu që nga shtypja dhe shfrytëzimi kombëtar, kalohej në shtypjen me karakter ndërkombëtar.
Vërehet se veç këtyre plagëve kaq të mëdha për popujt e vet, imperializmi po për interesat e veta i hedh popujt e shumë vendeve në kacafytje ndërkombëtare ose sikurse njihen me termin “luftëra botërore”, sikurse ndodhi në Luftën e madhe nga ku Gjermania, Austro – Hungaria e disa shtete aleate u ndeshën me Anglinë, Francën dhe Rusinë e që pasoi me shkatërrim jo vetëm të forcave prodhuese dhe ekonomisë së këtyre vendeve, por dhe me humbjen e jetës mbi 4 milionë njerëzve.
Nga ana tjetër kjo luftë ndër imperialiste u bë dhe prelud i hapjes së epokës së revolucioneve sikurse ndodhi me Rusinë e Leninit që luftën imperialiste ata e kthyen në revolucion proletar, revolucion ky, nga ku për herë të parë në botë u zhduk shtypja dhe shfrytëzimi kapitalist. Sikurse të mos mjaftonte kjo 20 vite më vonë po këto fuqi imperialiste do të shpërthenin luftën e dytë botërore, që për ëndrrat e çmendura të imperializmit gjerman për një” rend të ri botëror” do të përfundonin me tragjedi apokaliptike ku dhanë jetën mbi 50 milionë njerëz.
Duhet nënvizuar se popujt arritën jo vetëm një fitore mbi fashizmin por u ngritën në niveli më të lartë nga ku shumë vende realizuan me sukses shndërrimin e luftës çlirimtare dhe në çlirim shoqëror, që do të thotë se paralel me luftën kundër nazi fashizmit realizuan dhe luftën për çlirimin e brendshëm nga skllavëria kapitaliste. Aktualisht, situata në botë është e turbullt sepse fuqitë e mëdha e super potencat janë zhvilluar shumë ekonomikisht. Përqendrimi i kapitalit nuk ka vlerë nëse ai nuk gjen tregje të reja.
Rruzulli është ky që kemi, popujt janë po ata që kemi pasur, zona të lira nuk ka. Si i bëhet?! Në këtë rast imperializmi dhe super potencat përgatisin Luftën e Tretë Botërore. Çështja e Ukrainës dhe vatrat e nxehta në Ballkan ( Serbi- Kosovë) apo përqark Kinës, Indisë e Japonisë, janë një apel i madh për popujt. Imperializmi Amerikan, ai i BE, Rusisë Kinës dhe gjithë aleatëve të tyre, janë të gatshëm t’ i venë flakën globit dhe nëse kjo do të ndodhte, çdo të bënin popujt të strukin kokën nën krahët e imperializmi për tu mbrojtur nga tjetri, apo duhet të ngrihen në një revolucion të përbotshëm?
Mos vallë fajin e ka Marksi apo Lenini?
Po ëndrrat e popujve për të qenë të lire te barabarte dhe vëllezër me njeri-tjetrin dhe ato i shpiku Marksi ? Është e qartë ”marksizmin” si ideologji pa dashjen e vet e lindi kapitalizmi, sepse është ideologji e proletariatit te organizuar si klasë me pararojën e vet udhëheqëse Partinë Komuniste. Pa proletariat s’ka e s’mund te ketë borgjezi dhe ideologji të saj, por dhe pa borgjezi nuk do ekzistonte aspak proletariati dhe ideologjia e tij e Marksit dhe Leninit. Proletariati dhe borgjezia pushojnë së ekzistuari vetëm në komunizëm, atëherë kur bota të heqë një herë e përgjithmonë shtypjen nacionale dhe internacionale. Ndaj dhe proletariati botëror domosdoshmërisht është e do te ngelet varr rremihës i borgjezisë deri sa në botë të ekzistojë dhe një shtet i vetëm kapitalist.