Krasniqi: Qarkorja e parë buxhetore është “qesharake”

Nën drejtimin e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, ku në mesin e shumë çështjeve, drejtoritë janë njoftuar edhe me qarkoren e parë buxhetore për vitin 2017. Sipas drejtorit për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, kjo qarkore, e përpiluar dhe e dërguar nga Ministria e Financave, është “qesharake”.

“Qarkorja e parë buxhetore, për vitin 2017, është e përgatitur në mënyrë jo profesionale nga ana e nivelit qendrorë dhe ka shumë defekte. E para, është dërguar me dhjetë ditë vonesë, që përbën shkelje, ndërsa planifikimi i nivelit qendrorë, është në kundërshtim me nevojat dhe mundësitë e Komunës së Malishevës. Edhe pse planifikohet të jetë rreth 500 mijë €uro më shumë buxhet se ky vit, ka shumë defekte, pasi planifikimi për të hyrat vetenake, është rritur, jashtë mundësive të komunës që ti realizoj ato, pastaj, 113 punëtorë janë planifikuar më tepër në listën e pagave. Defekt tjetër shumë absurd është edhe fakti se sipas kësaj qarkoreje, s’ka planifikim për shërbime komunale dhe projekte në arsim, por nga pesë kategori, i kanë futur vetëm pagat dhe mallra e shërbime në arsim, si dhe nuk është futur në planifikim edhe buxheti i Qendrës së Kompetencës. Është thjeshtë qesharake”, ka thënë drejtori për ekonomi, buxhet dhe financa në komunën e Malishevës, Vesel Krasniqi, gjatë prezantimit të qarkores së parë buxhetore, para drejtorëve të drejtorive komunale.

Përndryshe në mbledhjen e sotme të Këshillit të drejtorëve, u raportua për vazhdimin e shumë projekteve dhe pritjen e përfundimit të disa projekteve gjatë kësaj jave, siç janë rrugë, infrastrukturë përcjellëse shkollore, kanalizime, dhe disa projekte tjera në bujqësi.

Ndërsa u bë e ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit të maturës 2016, pastaj për shënimin e 1 Qershorit të Ditës së Fëmijëve, si dhe po vazhdojnë përgatitjet për shënimin e 16 Qershorit, Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.

Sa i përket situatës epidemiologjike, u bë e ditur se është në kontroll dhe me gjithë rastet e shtuara të pickimeve, tani pas ngrohjes së motit dhe punëve në fushë, nuk ka asnjë rast të infektuar. Po ashtu u tha se “këto ditë pritet të filloj edhe faza e dytë e dezinsketimit selektiv kundër rriqrave”. Kurse, sa i përket gjendjes së studentëve të helmuar në mensën e studentëve në Gjakovë, nga studentët e Komunës së Malishevës, mësohet se një student vazhdon të trajtohet në klinikën infektive në QKUK në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …