leoni

Sot mbushen 20 vjet nga rënia në altarin e lirisë të dëshmorit të kombit, Jetë Hasani nga fshati Godanc

Jetë Aziz Hasani (2.2.1956 – 16.10.1998)

Fshati Godanc ndodhet në afërsi të Shtimes, rrëzë maleve të Blinajës. Godancasit janë shquar për qëndresë kundër pushtuesit, qysh nga koha e turkut. Banorët e këtij fshati kanë rezistuar trimërisht në luftë dhe beteja të pareshtura ndër mote. Pikërisht në Godanc të Epërm, më 2 shkurt të vitit 1956, lindi Jetë Hasani, djali i Azizit dhe i Hatixhës. Gjyshi i tij, Jetë Hasani ka qenë luftëtar i shquar i Organizatës Nacionaldemokratike Shqiptare, i dënuar dhe i përndjekur nga pushteti komunist titist.

Në rininë e hershme, Jeta kishte dëgjuar me vëmendje rrëfimet e babait, për bëmat e gjyshit dhe të luftëtarëve shqiptarë, që kishin rezistuar kundër pushtuesit serb. Familja Hasani e Godancit, ka qenë në shënjestër të pushtetarëve titistë. Jeta, edhe pse ishte regjistruar në shkollë, nuk arriti ta kryente, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, për shkak të injorimit dhe të përbuzjes së familjes së tij nga pushtetarët serbë dhe shërbëtorët e tyre. Nga babai dhe gjyshi kishte trashëguar tiparet fizike, si dhe besën, trimërinë, guximin e mbi të gjitha urrejtjen e papërmbajtur kundër pushtuesve dhe kundër bashkëpunëtorëve të tyre.

Ai ishte i çiltër, i dashur, korrekt, por shumë i rreptë kundër padrejtësisë. Së bashku me vëllezërit ishte angazhuar në punë të ndryshme fizike, për të ndihmuar dhe për ta ngritur familjen. Në janar të vitit 1989, me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin nga Krojmiri, anëtarësohet në Lëvizjen Revolucionare për Çlirim dhe Ribashkim Kombëtar.  Në marsin e atij viti, Jetë Hasani, me shumë bashkëmendimtarë të tjerë, merr pjesë në protestat gjithëpopullore, që ishin organizuar kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga Federata Jugosllave. Duke qenë se ishte treguar tejet këmbëngulës, u kap nga Sigurimi serb.

Për pjesëmarrjen në protesta, Gjykata Komunale e Ferizajt e dënon me dy muaj burg, të cilin e vuan në Ferizaj dhe në Prishtinë. Pas lirimit nga burgu, Jetë Hasani jo vetëm që nuk e ndërpret veprimtarinë atdhetare, por, përkundrazi, e intensifikon atë. Për shkak të eksponimit të tij si atdhetar militant, policia vendore e Shtimes e kish arrestuar disa herë. Në nëntor të vitit 1989, polici Bedri Peçani, me disa policë serbë, e ndalon në qendër të Shtimes dhe fillon ta rrahë fizikisht. Jeta iu kundërpërgjigjet goditjeve. Katër policët e rrahin brutalisht, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore. Shokët e ilegales fillimisht e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Prej andej, Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi e nxjerrin tinëz dhe e dërgojnë në një spital të Tiranës. Në muajt e parë të vitit 1990, Jeta ishte përmirësuar dukshëm.

Më vonë Jeta, së bashku me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin, kontakton me grupet nga Kosova, që kishin filluar stërvitjet në kazermën e Linzës të Tiranës, në tetor-nëntor të vitit 1991. Jeta, asokohe kishte siguruar një pension invalidor në Gjermani, ku kishte punuar disa vjet. Gjatë qëndrimit për shërim në Tiranë kishte ndihmuar materialisht grupin e të rinjve dhe të rejave të Drenicës, për të qëndruar dhe për t’u stërvitur atje si: Ilaz Dërguti nga Rezalla, Hysen Ngucati nga Skënderaj, Sanie Geci nga Llausha e shumë të tjerë. Asokohe atje ishte stërvitur edhe komandanti i ardhshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, legjendari Adem Jashari. Grupi i të rinjve dhe të rejave, të cilit Jeta ua kishte mundësuar qëndrimin dhe stërvitjen ushtarake në kazermat e ushtrisë shqiptare, qysh nga ajo kohë filloi veprimtarinë e vet ilegale me qëllim të krijimit të bërthamave të para çlirimtare dhe disa herë kishte sjellë armë nga Shqipëria.

Më 28 nëntor të vitit 1993, Jetë Hasani, së bashku me disa bashkëveprimtarë, në Krojmir, kishte themeluar grupin vendor, i cili më vonë do të veprojë në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Grupi u betua para flamurit kombëtar dhe u zotua se do të luftojë derisa të çlirohej Kosova nga pushtuesi serb. Jeta me bashkëveprimtarët e tij, ka kryer shumë aksione, ka kaluar kufirin, që asokohe i ndante mes për mes trojet shqiptare, për të sjellë nga Shqipëria armë e pajisje të nevojshme për nevojat e zgjerimit të radhëve ushtarake. Ai, me konspiracion të thellë, kishte bashkërenditur veprimet duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me bërthamën çlirimtare të Drenicës. Pensionin, që e merrte nga Gjermania, e kishte vënë në shërbim të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Krahas ndihmës së pazëvendësueshme që Jetë Hasani i kishte dhënë ilegales atdhetare, kontribut të veçantë ka dhënë sidomos për shkollën shqipe në Shtime, në kohën kur regjimi serb i kishte mbyllur shkollat për nxënësit shqiptarë. Shtëpinë e tij në Shtime e kishte meremetuar dhe e kishte adaptuar për nevojat e nxënësve të gjimnazit ‘Naim Frashëri’. Janë të shumtë nxënësit dhe arsimtarët, të cilëve Jeta nuk ua kishte kursyer ndihmën për sigurimin e teksteve e të mjeteve mësimore. Shtëpia e tij ka qenë në shërbim të shkollës shqipe deri me fillimin e luftës në Kosovë, kur mësimi u ndërpre në të gjitha nivelet arsimore.

Përmes shokut të tij Muhamet Malësori nga Krusha e Madhe, ka mbajtur kontakte dhe e ka ndihmuar materialisht profesor Ukshin Hotin. Ndërsa me rastin e burgosjes së Ukshin Hotit nga regjimi kriminal serb, Jeta dhe Muhameti një kohë të gjatë kanë bërë përpjekje për të asgjësuar inspektorin serb, i cili e kishte arrestuar atë në maj të vitit 1995. Në fund të marsit të vitit 1998, në radhët e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u organizuan pikat ushtarake të njohura me emërtimet: ‘Çeliku I’, ‘Çeliku II’, ‘Çeliku III’ etj., që shumë shpejt zgjeruan veprimtarinë duke filluar prej Grykës së Llapushnikut-Qafë të Duhlës e deri në Anadrin.

Më 14 qershor të vitit 1998, rreth orës 16.00, Jeta merr pjesë në sulmin mbi kolonën e ushtrisë dhe të policisë serbe në vendin e quajtur Te Ura e Sahitit, në Carralevë, kolonë kjo e cila me mjete të motorizuara ish nisur në drejtim të fshatrave të Drenicës. Në këtë aksion u zhvilluan luftime të pandërprera deri në orën 20, me ç’rast armiku pësoi humbje të konsiderueshme. Më 19 qershor të po atij viti, Jetë Hasani me disa luftëtarë të tjerë patrullonin në rrugët e Carralevës. Spoti filmik i CNN-it, që kishte incizuar Jetën dhe luftëtarët e tij në vëzhgim e patrullim, ishte ritransmetuar në shumë rrjete televizive botërore. Në periudhën kohore prej 21 qershorit e deri me 25 korrik të vitit 1998, Jetë Hasani, me njësitin e tij sulmues ka goditur pikat e armikut në Carralevë. Në Blinajë, në Fushticë e në Vërshec. Me rastin e ifansivës së parë të armikut, në Grykën e Llapushnikut dhe në pikën ushtarake të Zborcit,  ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Zborc, më 25 korrik të vitit 1998.

Gjatë atyre luftimeve u plagos për vdekje luftëtari Ruzhdi Salihu. Jeta me shokët e tij e nxjerrin nga rrethimi dhe e nisin në drejtim të spitalit ushtarak të Gajrakut. Ai, me automjetin e tipit ‘Niva’, kishte arritur t’i tërhiqte nga fusha e betejës edhe pesë të plagosur të tjerë. Gjatë tërë kohës sa kanë zgjatur luftimet, Jeta ishe në veprim për furnizim me municion dhe në tërheqjen e të plagosurve, duke e drejtuar veturën nën breshërinë e predhave, e cila ishte bërë shoshë nga breshëria e plumbave.

Vendosmëria dhe guximi, zhdërvjelltësia dhe gjeturia, kanë qenë anët më të shprehura të temperamentit luftarak të Jetë Hasanit. Ishte shumë i afërt me shokët, por po aq i pakompromis kundër armikut dhe atyre që ishin vënë në bashkëpunim të okupatorit. Pas ofensivës së korrikut, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, Jetë Hasanin, Shtabi i Zonës e kishte caktuar në policinë ushtarake, e cila vepronte në kuadër të batalionit ‘Ruzhdi Salihu’ të brigadës 121 ‘Kumanova’ të Zonës Operative të Pashtrikut. Në detyrën e policit ushtarak, kishte vepruar në forcimin e rregullit dhe të disiplinës, si dhe të stërvitjes së luftëtarëve të lirisë. Kurdo herë detyrat i kryente me përgjegjësi të lartë, në çdo kohë, ditë e natë kudo ku e kërkonte nevoja. Në tetor të vitit 1998, kishte filluar konsolidimi i radhëve të njësiteve dhe formacioneve ushtarake në terren. Jetë Hasani, së bashku me luftëtarin e njohur Ajvaz Karpuzi nga fshati Shalë, ishte caktuar të patrullonte në relacionin Shalë-Blinajë.

Më 16 tetor të vitit 1998, ishte në krye të detyrës në Shalë. Atë ditë, disa fshatarë të Shalës kishin vërejtur një veturë civile një polic serb të uniformuar i cili gabimisht ishte futur në zonën e luftës, që kontrollohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Fshatarët e lajmërojnë Jetën dhe Ajvazin, të cilët me shpejtësi lëshohen në ndjekje të policit serb. Ata arrijnë ta godasin veturën e policit, i cili mundi të ikte nga Rusinovci në drejtim të Magurës. Në orën 11:30 të po asaj dite, Jeta plagoset rëndë në krye të detyrës. Bashkëluftëtari i tij, Ajvaz Karpuzi, me të shpejtë arrin ta dërgojë Jetën e plagosur në Spitalin Ushtarak të Shalës. Edhe pse mjekët Jakup Ismaili, Fitim Selimi dhe Abdullah Fazliu bënë gjithçka për t’ia shpëtuar jetë, kjo ishte e pamundur, pasi plagët ishin shumë të rënda. Në orën 13:00 të 16 tetorit të vitit 1998, Jetë Hasani për herë të fundit e thith ajrin e Drenicës, e cila ishte përflakur nga zjarri i luftës çlirimtare.

Të nesërmen në mëngjes, pasi paraprakisht ishin njoftuar familja dhe të afërmit, bashkëluftëtarët e varrosin me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Krojmir. Pas luftës, në tetor të vitit 2000, trupi i dëshmorit Jetë Hasani rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Mollopollc. Me rastin e rivarrimit, është mbajtur tubim përkujtimor, ku kanë marrë pjesë bashkëluftëtarë dhe mijëra liridashës nga mbarë Kosova. Jetë Hasani ka lënë pas dy bijtë, Avniun dhe Naimin, si dhe pesë bijat, Myrveten, Valdeten, Zyrietën, Mirjetën dhe Arbenitën, të cilët kurdoherë do të jenë krenar për veprën dhe jetën e babait të tyre dëshmor. Në nderim dhe përkujtim të veprës së tij heroike, familja dhe bashkëluftëtarët i kanë ngritur pllakë përkujtimore, në oborrin e shkollës së fshatit Godanc në afërsi të Shtimes. ( Feniksët e lirisë II)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …