Sabit Syla

Prof. dr. Sabit Syla, Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” II

Mehmet Kraja përpiqet të argumentojë teorinë mbi shqiptarët që konvertimi i vonë dhe i paqëndrueshëm mund të kenë qenë një arsye, që përqafuan bektashizmin, si variant më liberal i myslimanizmit duke theksuar se: “Si do që të ketë qenë historia, shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët në këtë kuadër nuk e vendosen asnjërin besim fetar në themel të identitetit të tyre kombëtar”. Ajo që bie në sy në këtë rast është se dallohen dy entitete kombëtare. Por rrethanat historike, zhvillimi ekonomik, interesat e shteteve të ndryshme etj., kanë bërë që një komb të ndahet në dy ose më shumë shtete. Shqiptarët kanë dy shtete të tyre dhe një pjesë tyre jeton në trojet e veta etnike, por, jashtë këtyre dy shteteve. Megjithatë, në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë për dy apo më shumë kombe të ndryshme. Kjo për faktin se shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë ndjenjën e përbashkët të përkatësisë së tyre kombëtare; ndjenja e përkatësisë së tyre shqiptare. Shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, kanë gjuhë të përbashkët, prejardhje historike të përbashkët, për mijëra vjet kanë jetuar brenda të njëjtit trung etnik. Andaj, në këtë rast nuk mund të flitet kurrsesi për “..shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët..”, në veçanti. Kjo i shkon për shtati vetëm përjekjeve të dikurshme të udhëheqjes politike jugosllave, e cila ndoqi rrugën e krijimit të një identiteti të veçantë të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera, të ndryshëm nga ai i bashkëkombësve të tyre në Shqipëri, në fundin e vitet 50-ta, ku autoritetet jugosllave u përpoqën t’i dallonin shqiptarët e dy anëve të kufirit edhe në përdorimin e nocioneve shqiptar “Albanci” për të Shqipërisë dhe “šiptari” për ata të Jugosllavisë.

Kraja më tej përmes shkrimit mohon qëndresën shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore dhe lëvizjet shtetformuese sikur ato të jenë shterpë përgjatë historisë, kur shkruan se: “Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria serbe i dogji njerëzit e gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar. Më pas, theksohet: “Edhe pse marrëdhëniet më Jugosllavinë u prishen shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e panë si ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioritetit) Jugosllavinë e Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklipsojë çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikojë atë”.

Historikisht një qëndrim i tillë nuk qëndron, në shumë dimensione. Qëndrimi i udhëheqjes politike shtetërore të Tiranës, në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare, ka qenë që ata të mos shpërnguleshin për në Turqi, por të qëndronin në vend si popullsi kompakte. Informimet për shpërngulje bënë që qeveria shqiptare të koordinojë veprimtarinë e saj në planin politik e diplomatik. Madje edhe vetë ministri shqiptar, kishte bërë një vizitë në Kosovë e Maqedoni me qëllim që të njihej për së afërmi rreth gjendjes së shqiptarëve, se sa prej tyre largoheshin për në Turqi.

Shteti shqiptar edhe në mënyrë zyrtare, bëri përpjekje për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Më 1959, përfaqësuesi diplomatik shqiptar ndërhyri pranë autoriteteve turke për të mos pranuar emigrimin e shqiptarëve në Turqi dhe qeveria turke kishte dhënë sigurinë disa herë se, “duke kuptuar drejt ndjenjat kombëtare, do të merrte masa për të ndaluar emigrimin e duke vazhduar një kontroll të fortë mbi kombësinë e personave emigrantë”. Përveç ndërhyrjes pranë autoriteteve turke, Tirana zyrtare u angazhua maksimalisht që t’i kundërvihej propagandës jugosllave në forma të ndryshme në mënyrë që popullata shqiptare të mos dekurajohej nga propaganda jugosllave dhe të bënte përpjekjet e veta që ta ruante qenien e vetë kombëtare. Masat e ndërmarrura në një masë të madhe penguan masat e emigrimit, asimilimit dhe shkombëtarizimit të jugosllavëve ndaj masës shqiptare në Kosovë e në viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.

Edhe në vitet ’70 të shek. XX, afrimi midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, për këtë të fundit nënkuptonte mundësinë për të ndihmuar e ndikuar mbi shqiptarët jo vetëm në aspektin arsimor e kulturor, por edhe në atë kombetar. Vitet shtatëdhjetë hapen perspektiva të reja për një periudhë të gjatë kohore edhe për përfaqësitë e jashtme diplomatike të Shqipërisë që kishin detyra të mëdha në drejtim te çështjes se Kosovës. Shkëmbimet arsimore, shkencore dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës ngritën vetëdijen kombëtare shqiptare në Kosovë. Si rezultat i këtij ndikimi forcat ilegale politike në Kosovë arritën t’i artikulonin kërkesat për avancimin e statutit juridik të Kosovës dhe të të drejtave politike të popullit shqiptar në Kosovë e në viset tjera të banuara me shqiptarë nën Jugosllavi, të cilat u shprehën përmes demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Edhe me 1981, demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, patën jehonë sidomos në Shqipëri, e cila jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve, por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre. Shqipëria ushtroi rolin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar. Është i vetmi vend në botë që zyrtarisht përkrahi statusin Kosova Republikë.

Edhe në fillim të viteve 90-të shek. XX, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës një kontribut të veçantë dha Tirana në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe telegramin e dërguar, në shkurt 1990, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Javier Perez De Cullar, si dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit Ekonomik e Shoqëror dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë. E mbi të gjitha, në fillim të viteve 90-të, ishin disa grupe nga Kosova dhe viset tjera shqiptare që u stërviten ushtarakish në bazat e ushtrisë shqiptare, në mesin e të cilëve komandanti legjendar Adem Jashari. Për vitet 1998/1999 është dëshmitar e gjitha bota e civilizuar sesi shqiptarët në Shqipëri hapën shtëpitë e tyre dhe pritën vëllezërit të dëbuar nga vatrat e tyre. Por mos të harrojmë këtu që edhe shumë dëshmorë nga Shqipëria ranë në frontet e luftës çlirimtare e shumë prej tyre dhanë kontribute në forma nga më të ndryshmet në aspekt të zhvillimit të luftës çlirimtare e në politikën e brendshme dhe të jashtme kombëtare.

Atëherë z. Kraja ku merrni guximin që të godisni kaq ashpër politikën e qeverisë shqiptare të Tiranës në raport me çështjen e Kosovës? Ju lutem na ofroni dokumente relevante të kohës lidhur me atë që shkruani.

Kraja rreth idesë së ndarjes së Kosovës barazon hartuesit e eleaborateve serbe me njërin nga ish-themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe personalitetin kryesor të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Hashim Thaçin, kur shkruan se: “Pavarësisht se si u paraqitën në opinion dhe në kancelaritë diplomatike, ideja për ndarjen e Kosovës është ide e nacionalizmit serb, madje e dishepujve të saj më të spikatur, siç ishin Çubriloviqi dhe Qosiqi. Që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u pa se problemi i Kosovës do të bëhej i papërballueshëm për Serbinë, në fillim Çubriloviqi dhe më pas Qosiqi nxorën idenë e shkëputjes përfundimtare mes veti të serbëve dhe shqiptarëve përmes ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes Qosiqi e ripërsëriti disa herë edhe pas vitit 1999, duke nxjerrë në opinion argumente serbe për një zgjidhje të këtillë. Por gjithsesi në agjendën politike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndarja u fut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2008)”.  Për të vazhduar më tutje: “Hashim Thaçi, herë si kryeministër dhe herë si president, futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, qoftë duke bërë marrëveshje të fshehta me Serbinë, qoftë duke pretenduar një amnisti si “mirënjohje botërore”, për arritjet e tij në promovimin e paqes midis dy popujve”.

E habitshme një fakti i tillë, të barazosh në këtë aspekt!  Lind pyetja, në çfarë niveli të tillë krahasoni idetë e këtyre dy shovinistëve të Çubriloviqit e Qosiqit me atë të Hashim Thaçit?

Në përpjekjet për të laboruar këtë çëshje, shihet se kemi të bëjmë me një narracion të stilizuar sesa me një analiz studimore, qe ndjek metodologjinë shkencore. Të dhënat që na paraqiten për aspektet e ndryshme diplomatike duken sikur diplomacia ndërkombëtare njeh traditën, farë e fis. Pasi analizat për gjendjen politike në Kosovë konsiderohen të dëmshme e vlerësohet se çështja ka ngecur në mjedisin politik të udhëhequr nga Hashim Thaçi, nëpërmjet kombinimit të dhunës me demagogjinë politike të Tiranës e Shkupit, dhe të gjitha këto z. Kraja pretendoni t’i rregulloni në emër të Vetëvendosjes. Me këto teza e të tjera, Kraja insiston edhe për teorinë e ndarjes së dy popujve (Shqipëri-Kosovë), dhe të arsyetojë në një masë pabarazinë e tyre biologjike, psikologjike e shoqërore duke ruajtur vetëm atë politike të nivelit jo recidivist për qëllime të mira kombëtare, në këtë rast partisë politike, VV-së.

Me këtë mendim ka një perputhje edhe me dëshirën për gjykimin e drejtuesve të UÇK-së, pse jo mund të shërbejë edhe si dëshmitar i Gjykatës Speciale. Përballë kësaj qëndron edhe e përgjithshëmja që edhe shumë të tjerë të kenë një fat të tillë. Opinioni i gjerë nuk e di nëse një material i tillë më herët është shpërndarë ndonjë agjencie të huaj. Nga përmbajtja e materialit shikohet qëndrim mjaft i ashpër ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare. Tërheq vëmendjen edhe fakti, që analiza e Krajes del në momentet që siç dihet pritet gjykimi i drejtuesve të luftes çlirimtare. Andaj jo pa qëllim filloi kjo fushatë e ndërmarrë në këtë drejtim për të intensifikuar më tej, të gjitha veprimtaritë antishqiptare, për gjykimin e liderëve të luftës. Në vend që z. Kraja të punonte për të frenuar një proces të tillë, mbi bazën e fakteve dhe argumenteve shkencore, pasi në zhvillimet historike, në rrjedhën e viteve dhe shekujve, ka ngjarje që për domethënien e tyre, qëndrojnë si udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë e ajo që zë vend nderi në histori është Lufta e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës. UÇK-ja pavarësisht lëkundjeve nëpër kundërthëniet e kohës tashmë 23 vite me radhë, ka ngel projekti themeltar i shtetit modern shqiptar në Kosovë, shkëlqimi i së cilës nuk shuhet kurrë.

Kraja duke bërë përpjekje në analizën e tij destruktive shkruan: “Por nga të gjithë skeptikët e një “përmbysjeje” të këtillë, më së shumti mosbesues ishin kosovarët, të cilët kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe bashkëngjitja e veriut të saj Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës. Çfarë të kuptojmë me fjalën kompensim, për Luginën? Lugina e Preshevës gjithnjë është parë si çështje shikuar nga këndvështrimi etnik – si një pjesë e pandashme e trungut etnik shqiptar, e kulturës, historisë dhe traditave të njëjta, dhe jo nga ai politik – si një nocin administrativ apo element në rregullimin e çështjes se Kosoves, siç pretendoni ju.

Në analizën e Krajës në raport me Serbinë hidhet faji ngjashëm se shqiptarët kanë vrarë e masakruar më 1998/1999 edhe pse në disa raste brenda fjalive të gjata në mënyrë perfide, ua lë fajin më tepër serbëve. Por në kontekstin koptimplotë të fjalisë kuptohet ngjashmëria e madhe në këtë drejtim, vetëm se theksi vihet në mos forcën e duhur që kishin shqiptarët për të realizuar edhe ata ngjashëm dhunën, krimet dhe masakrat. Kështu ai shkruan: “Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë”.

  1. Kraja pse mbështeteni në krimet e pasluftës në të njëjtën linjë me studiues serb e të dhënave të shërbimit për zbulimin e krimeve të luftës pranë MPB së Serbisë, që ata i pretendojnë ato deri në dhjetor të vitit 2004? Andaj, me të drejtë do parashtroj pyetjen. Dokumento ku ka bërë UÇK krime, sa serbë lokalë, ka vrarë e në këtë mes sa janë: pleq e plaka, gra shtatzëna e fëmijë?

Konsideroj që në këtë drejtim jeni i ndikuar kur flisni për serbët lokalë, për faktin se: Sa i përket serbëve lokalë në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 ekzistuan dy lloj organizimesh të forcave rezervë policore: rezervistët e rregullt, të cilët pas mobilizimit kishin uniforma të policisë së rregullt dhe gëzonin po të njëjtat të drejta, si dhe njësia e policisë rezervë që në fakt ishin njësitë lokale të përbëra ekskluzivisht nga serbët vendorë, të cilat, që nga fillimi i vitit 1998 u armatosën nga qeveria e Serbisë, një proces që u intensifikua në muajt qershor-korrik po të të njëjtit vit. Krahas armatimit, këta edhe u trajnuan nga MPB dhe Ushtria Jugosllave (më tej: UJ) në përdorimin e armëve të zjarrit dhe organizimin e mbrojtjes së vendbanimeve të tyre. Mobilizimi dhe armatosja e serbëve vendorë kishte karakter masiv. Një raport nga mbledhja e Shtabit të MPB të mbajtur me datë 28 korrik 1998 thuhej se ishin formuar 243 njësi të policisë rezervë në të cilat bënin pjesë banorët e fshatrave/qyteteve përkatëse dhe ishin armatosur rreth 54.683 njerëz, 12.170 prej të cilëve u armatosën nga MPB kurse 34.716 nga UJ, derisa 7.797 ishin armatosur qysh më herët. Për më tepër raporti theksone se në Kosovë kishin arritur edhe 5.070 armë shpërndarja e të cilave ishte duke vazhduar. U vlerësua se në këtë proces duhej të armatoseshin rreth 60.000 persona. Kjo shifër prej 60.000 serbësh vendorë jep të kuptohet se ishin mobilizuar pothuaj të gjithë meshkujt serbë të aftë për armë. Këto të dhëna të mësipërme janë nga pala serbe, andaj për çfarë civilësh flisni, pasi ata ishin të armatosur?

Së dyti, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë jugosllave në luftë më 1998/1999 humbën jetën 1008 policë e ushtarë. Serbët e Kosovës ishin të angazhuar në gjitha hallkat apo në gjitha strukturat e aparatit shtetëror policor e ushtarak serb, pra që nga pjesëmarrja në policinë e rëndomtë, atë të sigurimit shtetëror, policinë rezervë e deri tek strukturat e rregullta ushtarake, ato rezerve, vullnetare e të mbrojtjes territoriale. Nëse krahasohet shifra e serbëve lokalë që humbën jetën në ballafaqimin me forcat e UÇK apo të NATO-s, 225 prej numrit zyrtar 1008 të pranuar nga qeveria jugosllave, që është mbi 27 % të numrit të përgjithshëm të pjesëtarëve të rënë të forcave serbe-jugosllave, del se serbët vendor ishin pothuaj të gjithë të mobilizuar në luftë kundër fqinjëve të tyre shqiptarë. Roli i serbëve vendor u ngrit jashtëzakonisht shumë pas fillimit të bombardimeve të NATO, atëherë kur nga Serbia erdhën përforcime masive, erdhën policë e ushtarë rezervistë që nuk e njihnin edhe aq shumë terrenin dhe popullsinë shqiptare të Kosovës, kurse serbët lokalë, që njihnin gjuhën shqipe dhe terrenin u bënë udhërrëfyes të tyre në planet shtetërore antishqiptare. Shifra prej 250 vetëve është nga pala serbe por ata i paraqesin si luftëtarë të tyre në front të luftës me UÇK-në, ashtu siç na japin edhe një sërë të dhënash të tjera për ushtarët e UJ e zyrtarët tjerë të MPB e në sektorë të tjerë. Kurse të dhënat tuaja për vrasjet e serbëve lokalë është mirë të na i publikoni.

Dr. Sabit Syla, Instituti i Historisë – Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …