24-vjet më parë, në malet e fshatit Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, ka filluar transmetimin, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress, dy institucionet informative të kohës së luftës, që i kishte themeluar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vendimin që kishte marrë, më 13 nëntor të vitit 1998. Prej 4 janarit të atij viti e deri tani kjo Radio e luftës dhe e paqes në vendin tonë është ballafaquar me të pritura e të papritura, duke qenë e pranuar dhe e papranuar në të njëjtën kohë nga shoqëria dhe institucionet, duke u përballur me mohuesit e saj, por edhe me ata nuk janë pajtuar as pajtohen me programet, emisionet e konceptin e saj transmetues dhe iu duket anakronike qe 24 vjet kjo Radio po transmeton emisione për dëshmorët e kombit, martirët dhe personalitetet kombëtare, pasi pretendojnë se i ka kaluar koha madje edhe vlerave të luftës çlirimtare. Sot kujtojmë jo vetëm 4 janarin e vitit 1999 por edhe 23 janarët e tjerë në vazhdim, sepse nga viti në viti kemi përcjellë porositë e dëshmorëve dhe heronjve të kombit, nuk kemi reshtur së përkujtuari për asnjë ditë të vetme, ata që derdhën rrëke gjakun e tyre për çlirimin e vendit nga robëria shekullore serbe.
Prej 8 korrikut të vitit 1999 e deri sot në këtë lokal tashmë pronë e Radios-Kosova e Lirë kanë punuar pandërprerë dhjetëra gazetarë, operatorë, janë larguar të gjithë ata që kanë gjetur vend pune më të mirë, kanë ardhur të tjerë, kanë shkuar edhe ata, por gjithnjë ka mbetur konstantja, pa të cilën nuk funksionon dot një medium i këtij niveli, me këtë trashëgimi dhe diapazon angazhimi e veprimi.