Sa herë që afron data 4 janar me shumë emocione që ta ndryshojnë gjendje e qetësisë fizike e shpirtërore të trupit në mend më vjen themelimi dhe fillimi i punës së radios Kosova e Lirë, më 4 janar të vitit 1999. Ndonëse nuk është hera e parë që shkruaj për radion Kosova e Lirë, por korrelacioni apo ndërlidhja e saj më shpirtin liridashës është aq e fuqishme, sikur tërheqja e gjakut nga ashti i origjinës në vërtetimin e ADN-së, prandaj për këtë institucion që është vlerë kombëtare nuk konsumohet asnjëherë motivacioni dhe dashuria për të e cila sa vjen e rritet duke rrjedhur nga krojet e shpirtit diku thellë, aty ku burojnë sentimentet më të sinqerta të atdhedashurisë.
Pas kushtrimit gjithëkombëtar të dhënë nga komandanti legjendar, Adem Jashari me qëndresën titanike, me luftën heroike dhe sakrificën më sublime që e njeh deri më tani historia e njerëzimit dhe luftën e drejtë dhe çlirimtare të drejtuar nga UÇK-ja e cila më moralin e lartë të pa përshkueshëm dhe e militarizuar lehtësisht po triumfonte kudo ndër beteja më gjithë aparatin shtetëror serb në të cilin ishin të përfshirë për pos forcave elite policore e ushtarake edhe serb lokal e të ardhur dhe mercenar të mirë armatosur.
Betejat ishin të panumërta por edhe në altarin e lirisë gjatë vitit 1998 ranë shumë luftëtarë të devotshëm të lirisë, në mesin e tyre edhe shumë komandat e strateg të shquar të luftës. Vjeshta e vitit 1998 po ike e duke e lenë të skuqur me gjak borën e njomë në malet e Pashtrikut ku me 14 dhjetor ra për mos të vdekur kurrë, komandanti Mujë Krasniqi me katërdhjetë bashkëluftëtarë të tij të cilët po e qanin borën e që kishte rastisur të ishte e dendur përgjatë gjithë vijës së brezit të panatyrshëm kufitar që i ndante shqiptarët.
Në momentet më kritike dhe më vendimtare të luftës për liri, atëherë kur propaganda e luftës serbe po përgatitej të kumtonte lajmin e kapitullimit dhe çrrënjosjes së rezistencës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe triumfin ndaj saj. Planin ua prishi një vendim i Shtabit të Përgjithshëm i cili urdhëronte themelimin e radios Kosova e Lirë dhe agjencisë së lajmeve KosovaPress.
Zëri i Kosovës së Lirë do të filloj të dëgjohej më 4 janar të vitit 1999. Qëllimi i këtij mediumi ishte ndër të tjera informimi i drejt nga vijat e luftimeve dhe thirrja për gjithë-mobilizim dhe bashkim më radhët e UÇK-së, për t’ia dhënë goditjen përfundimtare robërisë shekullore.
Aq shumë ka ndikuar zëri i radios Kosova e Lirë në ngritjen e moralit luftarakë sa që për përshkrimin më të saktë të kësaj do të duhej penda e një mjeshtri të vërtetë të fjalës ta elaburonte më në hollësi.
Kjo influencë ishte e dukshme sa që forcat serbe në panik nga zëri i lirisë që po dëgjohej gjithandej tanimë, u sulen në sulm të ashpër ndaj radios Kosova e Lirë duke e identifikuar vendndodhjen e saj dhe sulmin e furishëm më gjithë arsenalin luftarak ndaj saj. Edhe atëherë kur e goditën nuk ia arritën qëllimit. Granatat e tyre që vinin hera nga toka dhe qielli nuk shkatërronin dot mbi teknikën e kësaj radio por as zërin e lirisë që dilte nga nën-shkëmbinjtë dhe rrënjët e lisave. Ai zë që ngrohte zemrat e trimave luftëtarë më atdhedashuri dëgjohej në të gjitha zonat operative si në: Drenicë, Dukagjin, Shalë, Llap, Nerodime, Karadak dhe Pashtrik.
Ndërsa për 24 vitet e ekzistimit të radios Kosova e Lirë është e vështirë të flasësh dhe të shkruash. Gati një çerek shekulli mbijetesë vertikale të këtij mediumi vetëm fal angazhimit dhe vullnetit të jashtëzakonshëm të drejtorit të saj profesor Ahmet Qeriqit, pa përkrahjen as minimale të institucioneve të shtetit.
Edhe atëherë kur disa të tjerë epshi dhe dëshira për pushtet i ka transformuar në pikëpamje dhe qëndrime kontroverse. Radio Kosova e Lirë nuk e ka ndryshuar misionin e saj të nisur në qershor të vitit 1999 duke hartuar dhe transmetuar monografi për dëshmorët e kombit, duke u qëndruar afër familjeve të dëshmorëve dhe vlerave të luftës çlirimtare. Tash e disa vite ky medium i çmuar e ka hapur një dritare të saj, TV Diellin që po e trason dinjitetshëm në mënyrë vizuele radion Kosova e Lirë.
Vitet shkojnë e vijnë, po ashtu brezat e vjetër ikin e ata të rinj vijnë. Por atdheu ynë arbëror do të qëndroj të jetë këtu. Lapidarët e shumë dëshmorëve të kombit do ta vështrojnë kohën deri në përjetësi. Urime radio Kosova e Lirë, përvjetori i themelimit, zëri yt u dëgjoftë sa të këtë mbi këtë tokë shqiptar dhe shqiptari.