Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi” DISA FJALË RRETH PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Pas publikimit të kësaj shkrese dhe jehonës që bëri ajo duke shkaktuar polemika, u bëra kureshtar ta lexoj dhe në disa rreshta do ta shfaq mendimin tim si vijon:

  1. Që në “Shkalla e lartë e korrupsionit, në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike dhe klasat e tyre politike kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të fuqishëm të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, si Moska, Pekini dhe Ankaraja”, thuhet në fillim të këtij shkrimi. Pavarsisht se një konstatim i tillë mund të jetë i qëndrueshëm, Akademia e Shkencave deri më tani nuk e ka ngritur zërin ndaj dukurive devijante në shoqëri, pra edhe ndaj korrupsionit nëse ky po ekzistuaka kaq i lartë. Prandaj shtrohet pyetja: Përse u dashtë të pritet kaq gjatë për të shkruar për këtë çeshtje, në një letër gjithashtu kaq të gjatë?
  2. Duke folur për Betejën e Kosovës është futur edhe ky pasus: “Ndërkaq, eposi shqiptar për Betejën e Kosovës, nëse mund të quhet i tillë, ka një shtrirje tepër të kufizuar dhe se këngët shqiptare për këtë betejë dhe për Milosh Kopiliqin janë nga më të varfrat në pikëpamje artistike dhe nuk qëndrojnë as afër krijimeve të ngjashme të epikës legjendare ndër shqiptarët. Ato janë të vetmet këngë shqipe që i thurin lavde sulltanit, gjë që në këtë pikë mund të përafrohen me disa krijime të vonuara të rrymës së bejtexhinjve, e cila në Kosovë ishte e pranishme deri vonë, deri nga në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX. Është e besueshme se ato këngë do të jenë krijuar nga ndonjë bejtexhi anonim dhe i patalentuar, jo shumë kohë përpara se Margaret Hasluck, Albert Lord dhe Glisha Elezoviq t’i kenë regjistruar dhe t’i kenë bërë të ditura për opinionin shkencor”. Nuk e di çka ju dashtë kësaj akademie që ta fus këtë pasus në këtë analizë, kur dihet se edhe shqiptarët kanë marrë pjesë në Betejën e Kosovës, e të cilën gjë nuk e mohon as përpiluesi apo përpiluesit e kësaj shkrese.
  3. Duke folur për “kontestin e marëdhënjeve shqiptaro – serbe” që në fillim thuhet: “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe shpesh janë përkufizuar si marrëdhëniet më të vështira mes dy popujve të Europës. Në këtë përkufizim janë futur shumë historicizma, perceptime recidiviste, por mbi të gjitha klishe eurocentriste: të dy popujt kanë gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se ata kanë histori të përgjakshme dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet duke i tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të shkuara”. Rreth këtij konstatimi lind pyetja se sa ka bërë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës për t’iu kundërvënë këtyre historicizmave, përceptimeve recitiviste etj… kur dihet se buxheti nuk u mungon për një gjë të tillë. Pra kjo ka të bëj me Akademinë e Kosovës, veçmas me historianët e kësaj akademie.
  4. Po në këtë mestitull theksohet: “Më anë tjetër, për ta përligjur të drejtën historike-mesjetare për ta sunduar dhe dominuar Kosovën, pas Kongresit të Berlinit (1878), Serbia suksesivisht ndërmori akte të rënda gjenocidale mbi popullsinë shqiptare, së pari duke shpërngulur me dhunë rreth 170 mijë shqiptarë (sipas burimeve serbe) nga Sanxhaku i Nishit…”. Ngjajshëm si më parë shtrohet pyetja, për të sqaruar se rreth kësaj teme dihet se kanë shkruar Dr. Sabit Uka, dr. Hakif Bajrami, Dr. Jusuf Osmani. Që të gjithë këta nuk ishin dhe nuk janë pjesë e Akademisë. Sërish shtrohet pyetja çka kanë bërë historianët e kësaj Akademie, apo thënë ndryshe çfarë ka bërë ASHAK-u rreth këtyre temave.
  5. Te mestitulli “Manipulimet me fundamentalizim islamik” thuhet: “Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane, jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë”. Vërtet ka manipulime nga ana e Serbisë dhe, siq ka edhe raste të izoluara të individëve nga radhët e shqiptarëve që kanë rënë pre e këtij fundamentalizmi si ideologji. Por shtrohet pyetja sa është punuar nga institucionet shtetërore, kulturore dhe arsimore, që kjo të mos ndodhë përkatësisht të luftohen këto paraqitje. Ukshin Hoti thoshte se bashkësia ndërkombëtare e ka të qartë se rreth 98% të shqiptarëve janë me fe muslimane, dhe s’kemi nevojë të mundohemi për tu arsyetuar para Evropës. Por kemi nevojë të ja bëjmë të qartë Evropës, duke i luftuar tendencat serbe të satanizimit të shqiptarëve rreth të ashtuquajturit rrezik musliman. Pra sa është punuar në këtë drejtim nga institucionet tona shtetërore e veçmas nga institucionin e ASHAK-ut dhe Bashkësive Fetare, lidhur me kundërshtimin e këtyre tendencave serbe në planin fetar, për të cilin natyrisht kanë dhënë, japin dhe do të vazhdojnë të japin shuma të majme parash, për ti komprometuar shqiptarët përa opinionit ndërkombëtar. Po në këtë funksion e përmend edhe tekstshkruesi (tekstshkruesit) me të drejtë “që pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive, duke afishuar para bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e Kosovës përbëhej nga një popullsi myslimane e prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar. Pamjet e Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja…. Kosova nuk kishte qenë kurrë aq fetare sa ç’donte ta paraqiste Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Me një insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive shumëvjeçare, nga viti 1981 dhe më pas Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t’i deformojë ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të problemeve e pazgjidhura politike”.
  6. Në mestitullin “Kisha serbe si pararojë e hegjemonisë dhe destabilizimit”, me të drejtë konstatohet: “Krerët më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe u bënë zëdhënës të regjimit të Milosheviqit, nxitën aktet e dhunës më barbare kundër civilëve shqiptarë, disa syresh morën pjesë aktive në fushatat e përgjakshme të njësive të armatosura, duke i kthyer kishat në kazerma paramilitarësh, ndërsa manastiret në depo armatimesh”. Por parashtrohet pyetja se ASHAK-u a ka bërë mjaftueshëm në aspektin shkencor lidhur me këto tendenca sidomos në katër luftrat e fundit që zhvilloi Serbia në Ballkan?
  7. Në mestitullin “Shqipëria dhe projekti ‘Ballkani i Hapur”, që në fillim thuhet: “Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin e politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të Shqipërisë më fuqitë botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria serbe i dogji njerëzit e gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar”. Ky formulim është në stilin buxhovian ku ka edhe gjëra që qëndrojnë të përziera me gjëra të pa qëndrueshme, sepse gjërat duhet të vlerësohen në kontest me kohën, rrethanave ndërkombëtare dhe mundësive reale të veprimit të shqiptarëve përkatësisht Shqipërisë. Natyrisht se ka pasur siç edhe ka njerëz që mund ta shesin Kosovën përkatësisht idealizmin e saj për pragmatizmin politik siç thuhet, por kjo vlenë për individë dhe jo për shtetin shqiptarë. Me që është temë e gjërë dhe e përzier nuk po ndalem më gjatë. I njejti mendim vlenë edhe rreth çështjes së Luftës së Dytë Botërore ku qëndrimet në këtë tekst janë në konceptin e Uran Butkës, pra të pa analizuara racionalsisht në raport me kohën e ndodhjes së ngjarjeve. Këtë e ilustron më së miri raporti, i forcave dhe mundësitë e shqiptarëve për të ndikuar më shumë te faktori ndërkombëtar në luftën e fundit në Kosovë.
  8. Konstatimi po në këtë mestitull se: “Pas vitit 1990, ndërkaq, Partia Socialiste e Shqipërisë u bë trashëgimtarja kryesore e ideve dhe e resurseve njerëzore të Partisë së Punës. Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm, si lidhje klanesh, si dominim jugor, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje e ngushtë botëkuptimore me sllavizmin dhe me proveniencën lindore”. Ky formulim, me keqardhje e them, është më së paku analizë, por më së shumti është propagandë, madje edhe tifozllëk. Natyrisht, kjo gjë mund ti lejohet secilit individ në kuadër të lirisë së shprehjes, por jo ndonjë tekstshkruesi Akademik që punon në një institucion si ASHAK.
  9. Gjithashtu në këtë mestitull autori konstaton pa asnjë bazë: “Duke qenë se shumica dërmuese e shqiptarëve të Shqipërisë është ideologjikisht e majtë, qëndrimi i socialistëve shqiptarë ndaj Kosovës do ta përcaktojë edhe qëndrimin e shumicës së popullsisë së saj. Partia Socialiste e Shqipërisë, por jo vetëm ajo, pothuajse rregullisht i kthen në agjendën e saj politike recidivizmat e vjetra antikosovare, sa herë që këtë e sheh të përshtatshme, për të larguar vëmendjen nga ndonjë krizë e brendshme politike. Këtë e ka bërë herë pas here edhe Partia Demokratike, për shkak të “djathizimit të majtë” të saj. Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për idilin e marrëdhënieve miqësore me Serbinë dhe me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit”. Këtë e demanton vetë praktika e qëndrimit të shtetit shqiptarë (natyrisht jo e Sali Berishës) gjatë luftës së fundit në Kosovë, përkrahjen që i kanë bërë kësaj lufte si dhe përkrahjen që i kanë bërë popullatës. Fund e krye konstatim i pa qëndrueshëm.
  10. Ashtu siç i pa qëndrueshëm është edhe konstatimi se në Rrugën e Kombit Shqipëria po marrka “infuzione” permanente nga Kosova. Këtu, kjo qëndron vetëm nese tekstshkruesi don ti hyjë në hatër Vjosa Osmanit, sepse në fakt është mendimi i njejtë përpos që nuk është vendosur fjala “tra”.
  11. Ndërkaq sa i përket çështjeve ekonomike, lëvizjes së lirë të mallrave, po, ka pasur ngërçe doganore si p.sh: “Është e njohur çeshtja e pengimit të futjes së mallrave të prodhuesve nga Kosova në territorin e Serbisë, për shkak të obstrukcionit të vet shtetit serb, por ishte e çuditshme kur një “ngërq” i panevojshëm ekzistonte edhe në kufirin e Kosovës me Shqipërinë, dhe ky kufi funksionon në mënyrë të veqantë nga pala e shtetit shqiptar, kur është fjala për kriteret e kalimit të kufirit me Shqipërinë, të mallrave të prodhuesve të Kosovës! Kjo, edhe mund të duket me shumë se e çuditshme, por, për ta dëshmuar këtë, në këtë rast, po e sjellim vetëm një shembull, nga shumë të tillë: një kg patate në Kosovë gjendej me 8 cent, ndërkohë që referenca për këtë artikull, në doganat shqiptare ishte 18 cent! Vlen të theksohet se kjo referencë për këtë artikull, deri në qershor të atij viti ishte 28 centë. Pra, prodhuesi Kosovar, kur në doganë paguan 18 cent për kilogram, kurse në Kosovë e shet 8 cent, atëherë lind pyetja, se me çfarë çmimi, malli i tillë duhej shitur në Shqipëri? Për shkak të një qasje të tillë, kreu i OEK kishte kërkuar rishikimin e marrëdhenieve tregtare me Shqipërinë, ku pala kosovare pati hedhur dyshimin e bazuar se Shqiperia po bën proteksionizëm për të favorizuar grupe të caktuara të interesit. Me ligjin 9122 të datës 20. 07. 2003 të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, ishte bërë ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Por kjo marrëveshje nga pala e Shqipërisë mbahej e fshehtë. Ndërkohë që kryeministri Berisha pati deklaruar: se “prodhimet e Kosovës diskriminohen pozitivisht nga sisitemi fiskal në Shqipëri”! Prandaj autori i këtij teksti nuk duhet të merret me simbolikën e kësaj rruge, por duhet të merret me gjëra më konkrete…
  12. Më tej në këtë mestitull thuhet sikur populli shqiptarë në Shqipëri na qenka kundër bashkimit kombëtar. Prandaj edhe konkludon: “Nuk është vetëm ideja e bashkimit kombëtar ajo që e trondit klasën politike të Shqipërisë (bashkimi kombëtar për pikëpamjen e shumicës në Tiranë do të prishte balancën e brendshme veri-jug)… Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë përmbysje eventuale të pushtetit aktual në Tiranë, sepse shtrirja politike e “Vetëvendosjes” në Shqipëri është e papëpërfillshme, por me frikën e gjithë spektrit politik të Shqipërisë për një trend të mundshëm, i cili në një të ardhme të afër do të rrezikonte pasurinë kriminale dhe pozitën shoqërore të oligarkëve të Shqipërisë. Prandaj, para se të futet ky trend i ndëshkueshmërisë në Shqipëri, ndikimi politik i Kosovës duhet të neutralizohet maksimalisht dhe kjo mund të bëhet në një mënyrë më të përshtatshme përmes koalicioneve formale dhe joformale me Serbinë”. Kjo nuk mund të konkludohet madje as duke e marrë shembull partinë Lëvizja Vetëvendosje, e cila qoftë edhe në emër të bashkimit dhe me idenë e bashkimit, me mënyrën e veprimit si bëri në Shqipëri, qoftë edhe pa vetëdije, doli keq, sikur të ishte kundër bashkimit. Sepse ishte edhe hapi edhe koha jo e duhur, si dhe mënyra jo e duhur. Puna e bashkimit i ka do punë më të vogla për tu kryer njëherë, e për t’i hapë rrugë hapave të mëdhenjë siç deshi të bëj Lëvizja Vetëvendosje. Në të kundërtën për ata që mendojnë se populli në Shqipëri menduaka kundër bashkimit kombëtar, këtë mund ta mendojnë vetëm jugonostalgjikët dhe ata që përherë kanë qenë kundër bashkimit në Kosovë. Urojë që tekstshkruesi të mos jetë njëri nga këta, qoftë edhe pa vetëdije.
  13. Në mestitullin “Mbështetja e Maqedonisë së Veriut për nismën Ballkani i Hapur”, ka mesi i tekstit ka gjëra që mund të dëgjohen vetëm si krokama të analistëve të disa televizoneve kosovare. Pra, nuk po them për tërë teksin.
  14. Përpos shumë vërejtjeve dhë gjërave të qëndrueshme që përmenden në disa mestituj të ndryshëm, në mestitullin “Ideja për ndarjen e Kosovës” e ka edhe këtë konstatim: “Hashim Thaçi, herë si kryeministër dhe herë si president, futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, qoftë duke bërë marrëveshje të fshehta me Serbinë, qoftë duke pretenduar një amnisti si “mirënjohje botërore”, për arritjet e tij në promovimin e paqes midis dy popujve”, që gjithësesi është i pa qëndrueshëm, është i shpifur, sepse dihet se kjo nuk ishte ide e Hashim Thaçit dhe aq më pak e përmendur për qëllimin që thuhet në këtë shkresë.
  15. Në mestitullin “Gjykata Speciale në Hagë” thuhet: “Sistemi i drejtësisë që u vendos nga UNMIK-u, në bashkëpunim me KFOR-in, hetoi shumë krime, por ishin të rralla rastet që u proceduan në gjykata, me përjashtim të disa rasteve sporadike, të cilat tashmë kishin arritur të dëshmoheshin”. Këtu tekstshkruesi dhe ASHAK-u ose nuk kanë jetuar në Kosovë, ose nuk kanë jetuar me ngjarjet në Kosovë. Prandaj edhe nuk i kanë të qarta të gjitha rastet që janë proceduar në gjykata, të gjitha arrestimet që kanë ndordhur gjatë kësaj periudhe, e që numri i gjithëmbarshëm i të arrestuarëve gjatë kësaj përiudhe është më i madh se numri i gjithëmbarshëm i të arrestuarëve nga GJND në Hagë për të tri luftrat. Nuk e di kujt iu dasht dhe përse iu dasht një formulim i tillë i paqëndrueshëm.

Dhe jo vetëm kaq! Nuk e dimë se edhe për cilën arsyje bëhet ky formulim në këtë tekst: “në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë”. Ky formulim në këtë mënyrë do t’i kishte hije një prokurori të dobët (që Kosova ka me shumicë) dhe jo një akademiku dhe një Akademie. Po, është e vërtet se kanë ndodhur krime individuale. Natyrisht, çdo vrasje është krim, por ato nuk mund të cilësohen në këtë formë pa u zbardhur. Pra, dihet se janë vrarë edhe pjestarë të LDK-së, e të cilët kjo parti i ka përmdur sa herë mbaheshin zgjedhjet, për ta harruar pastaj këtë temë, dhe për tu marrë përsëri në zgjedhjet e rradhës po me këtë temë, duke e drejtuar gishtin në të njëjtin drejtim, siç po e drejton edhe ky tekstshkrues në këtë formë, në këtë shkresë, e që gjithësesi nuk i bën nderë. Nuk i bën nderë pra, sepse vrasje kanë ndodhur edhe nga radhët e pjestarëve të luftës, (pra ish ushtarëve të UÇK-së), ku ky numër gjithashtu nuk është i vogël, por askush nuk ka drejtuar gisht në asnjë drejtim, duke pritur që të zbardhen të gjitha këto gjëra, nga drejtësia e lodhët e deri tanishme.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …