Dr. Zymer Ujkan Neziri: DOLI NGA SHTYPI LIBRI RUGOVA: KRYENGRITJA DHE MASAKRA 1918-1919

Dr. Zymer Ujkan Neziri: DOLI NGA SHTYPI LIBRI RUGOVA: KRYENGRITJA DHE MASAKRA 1918-1919

(Kumtesa të simpoziumit shkencor ’’ 100-vjetori i kryengritjes dhe i masakrave të Malit të Zi e të Serbisë në Shtupeq dhe në katunde të tjerë të Rugovës, më 1919’’, Pejë, më 15 shkurt 2019, organizuar nga Universiteti ’’Haxhi Zeka’’, Pejë, dhe Klubi i Intelektualëve i Rugovës, Prishtinë, projekti prof. dr. Zymer Ujkan Neziri. Botues Instituti i Historisë ’’Ali Hadri’’, Prishtinë, kryeredaktore prof. dr. Teuta Shala-Peli, përgatitja për shtyp prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, prof. asoc. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, 2022, 418 faqe, ISBN 978-9951-9069-6-8) 

Kumtuesit janë studiues të përmendur, shumica nga qendrat tona universitare Tiranë, Prishtinë, Shkup, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër: dr. sc. Arben Arifi, Prishtinë, prof. Binak Ulaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Elinda Ramadani, Shkodër, prof. dr. Fatmira Musaj, Tiranë, prof. as. dr. Fitim Rifati, Prishtinë, prof. dr. Hakif Bajrami, Prishtinë, prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë, prof. dr. Isamedin Azizi, Shkup, prof. dr. Limon Rushiti, Prishtinë, prof. as. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, prof. dr. Lush Culaj, Prishtinë, dr. sc. Mark Palnikaj, Tiranë, dr. sci. Nail Draga, Ulqin, mr. sc. Nikollë Loka, Tiranë, prof. dr. Dom Nikë Ukgjini, Shkodër, dr. sci. Qerim Lita, Shkup, prof. Rexhep Dedushaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Rudina Mita, Elbasan, prof. dr. Shyqyri Hysi, Gjirokastër, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Prishtinë.

Kumtesat trajtojnë temat: Peja e Rugova gjatë Luftës së Parë Botërore; ripushtimi, qëndresa e armatosur për të mbetur Shqipëri; shtabi i kryengritjes, vjeshtë-dimër 1918-1919, me tre rugovas: Mehmet Shabani, Keri i Sadri Bardhit, Bekë Hyseni (?) dhe me gjashtë nga Peja, Plava, Gucia, Podgorica, Gjakova; dokumente për aktivitetet ushtarake serbe e malazeze të katër mijë forcave kundër një mijë kryengritësve shqiptarë; roli i Francës në shuarjen e kryengritjes; mizoritë serbe e malazeze në Rugovë, Plavë e Guci; Masakra e Shtupeqit; shpërngulja; Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës; kërkesat e shqiptarëve në Paris, më 1919: ardhja e ushtrisë amerikane në Rugovë, Plavë e Guci; kujtime për Masakrën e Shtupeqit; krimet në shtypin shqiptar në Amerikë 1919-20; kënga dhe historia 1918-19; gjendja arsimore pas pushtimit të parë e të dytë etj.; portrete drejtuesish të kryengritjes.

Aty është edhe dokumenti i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pjesa për Shtupeqin (e Vogël e të Madh), me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë nëpër shtëpia dhe në Hanin e Isuf Veselit, më 16 shkurt 1919. Mosha e tyre është nga fëmija një vjeç (djali i Shabanit, Sh. i Madh) e deri te plaka 101 vjeçe (gruaja e Ibishit, Sh. i Madh). Ndër ta është edhe bajraktari i Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, Mehmet Shabani – Pepënikaj, i plagosur gjatë luftimeve, i zënë rob në Lipë dhe i mbytur mizorisht bashkë me ndihmësin e tij, Bekë Hyseni – Nilënikaj. Por, ka aty edhe disa emra banorësh që kanë shpëtuar, mirëpo ka edhe emra që mungojnë, prandaj aty kemi edhe versionin e vërtetë.

Dokumenti i KMKK-së, i dt. 8 shkurt-25 shkurt 1919, është dorëzuar në Lidhjen e Kombeve, më 21 dhjetor 1921, me të dhëna për Rugovën, Plavën, Gucinë, Pejën, Gjakovën, Rozhajën. Versioni i tashëm, i botuar në rev. ’Dy Drina’’, Shtupeqi (i Vogël dhe i Madh), është i përkthyer nga frëngjishtja dhe është përgatitur për shtyp nga Kujtim Nuro. Aty është edhe projekti ynë ideor për ndërtimin e Qendrës Përkujtimore në Shtupeq, që do të ketë lapidarin 19 metra të lartë, emrat, si dhe varret e tyre pa eshtra.

Ky libër është përpjekje për të larë borxh ndaj atyre që u masakruan nga Serbia dhe Mali i Zi vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo është dëshmi për ndriçimin e mëtejshëm të historisë më të re, të kryengritjes dhe të krimeve të Malit të Zi e të Serbisë mbi popullin shqiptar. Më kryesorja është që me këtë simpozium t’ia kujtojmë brezit të ri rrugëtimin e përgjakshëm të të parëve tanë nën robëri, nga viti 1912 deri në qershor 1999, kur Rugova e Peja gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përsëri janë masakruar, janë plaçkitur e janë djegur nga Mali i Zi e Serbia. Mirëpo, dihet se deri më sot ato nuk kanë kërkuar falje për krimet, nuk i kanë kthyer eshtrat e të pagjeturve, as nuk i kanë paguar dëmet e shkaktuara, ndonëse luftën e kanë humbur. Madje, Malin e Zi e kanë shpërblyer 80 deputetë shqiptarë, me afër një të tretën e krahinës së Rugovës, më 21 mars 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Recensues të librit janë prof. dr. Bedri Muhadri, prof. asoc. dr. Dr. Luan Tetaj, prof. asoc. dr. Haxhi Ademi, kurse redaktorë janë prof. dr. Lush Culaj, prof. dr. Fatmira Musaj, prof. asoc. dr. Fitim Rifati, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, redaktor përgjegjës. Kumtesat janë të përgatitura për shtyp sipas standardeve të larta: kanë shkurtore, fjalë ҫelësa, përfundime, rezyme në anglisht, fusnota e bibliografi të plota, tregues të emrave dhe një fotoalbum nga simpoziumi.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …