Zëri dhe kënga e Naxhije Bytyçit kanë disa specifika autentike, origjinale
Këngëtarja tashmë e mirënjohur, Naxhije Bytyçi, mbi të gjitha ka një zë me specifika të lindura, me korda zanore të veçanta, ambigjene, femërore e mashkullore. Është një fenomen i lindur që vështirë gjendet edhe një shembull i tillë, dhe, prania e saj në estradën e madhe këngëtarëve shqiptarë gjithsesi se paraqet një fenomen në mënyrën e zërimit e të këndimet, që nuk e di a është vërejtur nga muzikologët, nëse kemi ndonjë, që merret me fenomene të tilla, sa për institucionet, nuk kemi çka flasim.
Në vitet e pas luftës, në studion e Radios-Kosova e Lirë, dikush kishte sjellë një kasetë me këngë të Naxhije Bytyçit, të cilat i dëgjova dhe më bënë përshtypje si zëri, por edhe ndikimi i tepruar i këngëve të Augustin Ukajt e disa të tjerëve, që i kishte emituar për mrekulli. E dija nga përvoja se hapat e parë në muzikë këngëtaret e këngëtarët i bëjnë me emetime, por kishte edhe diçka që më zgjoi interesimin, ishte pikërisht zëri, kordat, timbri, këndimi i lirë tejet i vetëbesueshëm, që manifestohej me një siguri të fuqishme në vetvete.
Tani, Naxhije Bytyçi, është këngëtare e afirmuar e muzikës në përgjithësi si asaj folklorike e rapsodike, po ashtu edhe e muzikës popullore e të lehtë, që mendoj se nuk i përshtatet gjithaq origjinalitetit të lindur të këndimit, por edhe kjo kuptohet dhe nuk është diçka e veçantë, duke mare parasysh konkurrencën, tregun kapitalist që shpërfytyron çdo vlerë dhe krijon vetëm ndërrime formash e trajtash dhe mundësisht shpërlarje nga kënga burimore, tipike, autentike shqiptare që është kënga e muzika më e kompletuar dhe më autentike në trojet e Ballkanit.
Është fat i madh dhe begati kombëtare që kënga majmune e tallavaja nuk po arrijnë dot ta mundin këtë digë të krijimtarisë së kombit, pasi çdo kund në trojet shqiptare në Ballkan ka këngëtarë e këngëtare të njohur, rapsod e rapsode, ka duete, trio, grupe, iso-polifoni e polifoni, por edhe muzikë të lehtë e simfonike me një traditë shumë të begatë, mbi të gjitha edhe shumë profesionale. Pavarësisht se muzika e bastarduar dominon në konkurrencë publike në festivale si këto të sotmet që i organizojnë institucionet, Në Prishtinë, Tiranë e gjetkë, me Dua Lipa, Rita Ora e horrllëqe ku përqendrimi në radhë të parë bëhet në performancën trupore, me gjysmë-lakuriqësi dhe gjestikulime intime, me makijazh e shfrime dhe kurrsesi në melodinë, përmbajtjen e tekstit, porosinë që jep çdo këngë, sepse teksti i këngës duhet të jetë artistik, profesional dhe i redaktuar gjuhësisht dhe të ketë një përmbajtje, të caktuar. Krejt kjo botë muzikore dekadente nuk arrin dot ta mund burimoren, dhe këtë nuk do ta arrijë kurrë, sepse antivlerat dalin në sipërfaqe si flaka e kashtës, që ndizet e merr zjarre menjëherë por edhe shuhet shpejt dhe nga ajo mbetet vetëm bloza e zezë, skëterrë.
Këngëtarja, Naxhije Bytyçi ka një zë akordues dhe mund të këndojë me çdo këngëtarë e këngëtare, në duet, duke ruajtur për mrekulli si origjinalitetin e lindur të këndimit, por edhe akordin, pasi, në të njëjtën kohë i disponon dy gjinitë e timbit të zërit dhe secilës mund t’ i përshtatet sipas rastit. Në këtë segment ajo lehtëson duetin duke i dhënë origjinalitet, të cilin e heton studiuesi i muzikës, por jo të gjithë dëgjuesit.
Dhuntitë e lindura për këndim të kësaj këngëtareje, janë vlera që duhet të ruhen si të veçanta ashtu sikur i kanë ruajtur e restauruar vlerat e veçanta të këndimit, Marije Kraja, Tefta Tashko, Luçije Miloti, Fitnete Rexha, Fatime Sokoli, Feride Kurti, Liri Rasha, Zoja Pali, Vaçe Zela, Paro Ziflaj, Shkurte Fejza, Dava Gjergji, Ylmize Tafallari, Mrika Trumshi, e qindra këngëtare që e kanë ruajtur dhe ruajnë origjinalitetin e stilit, pa u degdisur në tregun e konkurrencës ditore, që i shkatërron vlerat, ashtu si kanceri që shkatërron organizmin.
Për mendimin tim, duke qenë sa ka shumë decenie që merrem me problemet e këngës dhe krijimtarisë artistike në përgjithësi, dhe deri kam botuar qindra shkrime për këngëtarë e këngëtare shqiptare, arvanitase, arbëreshe, greke, turke, algjeriane e të tjera, e them me bindje se një pjesë e këngëtareve tona kanë prekur kulmin muzikës, duke i shprehur përmes saj jo vetëm emocionet, por edhe mënyrat autentike të këndimit, te disa të lindura, te disa të arsimuara e të avansuara profesionalisht.
Në këtë mes, Naxhije Bytyçi, ashtu si shumë këngëtare të tjera të afirmuara duhet ta ruajë bazën, bërthamën e lindur apo të trashëguar, duhet ta ruajë dhe ta begatojnë stilin, për të krijuar origjinalitet, i cili i përballon kohës dhe begaton këngën e muzikën shqiptare të përgjithësi. Degdisja në zhanre, sidomos ne ato të tallavasë, degdisja në ritmet e muzikës greke e turke, te disa këngëtare edhe te ajo sllave, duket për fillim si diçka e re, atraktive, por shpejt zbulohet dhe zhvlerësohet.
Radio-Kosova e Lirë, ka censurë në muzikë dhe nuk i transmeton këngët e Adelinave e Cecalinave, nuk transmeton tallava, përveç në raste të ndonjë lëshimi, nuk u jep hapësirë këngëtarëve e këngëtareve uniforme, të njëlloj prodhimi industrial, që nuk kanë as edhe një element origjinal, por vetëm emetojnë, kopjojnë, adaptojnë këngë e melodi të huaja, përvetësojnë dhe krejt kjo është edhe e dënueshme me ligje të caktuara të mbrojtjes së drejtës së autorit, por është me ato ligjet e shkruara, madje mjaft të unifikuara, të cilat nuk i përfillë askush.
Origjinaliteti i mirëfilltë e stili i këndimit ka shumë komponentë, të cilët përbëjnë tërësinë, dhe vetëm ata këngëtarë që e kuptojnë vetveten, se cila muzikë iu fle në zemër, cilën e duan dhe e dashurojnë më shumë, vetëm ata edhe krijojnë individualitet, të tjerët që e anashkalojnë këtë dhunti të veten, me kohë anashkalohen e vjetërsohen. Këngëtarja e afirmuar tashmë, Naxhije Bytyçi, ka mundësi të arrijë më shumë në tabanin e muzikës burimore, të cilën e zotëron shumë më mirë se zhanret e tjera, sepse rrjedhë dhe është e edukuar nga ajo.
Qëllimi i këtij shkrimi është afirmativ e sugjerues, kurrsesi tendencë për të ndikuar sadopak në rrugën e angazhimet e këngëtarëve e këngëtareve, për të cilët kam shkuar e shkruaj, duke shfaqur në radhë të parë bindjet e mia dhe përvojën shumëvjeçare të studimit në këtë dhe lëmenj të tjerë të kulturës kombëtare.