Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Ambasada e Italisë në Kosovë nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për të mbështetur të rinjtë nga të gjitha komunitetet etnike për të përmirësuar nivelin e punësueshmërisë përmes një sërë trajnimesh të përshtatura për aftësim digjital.
Për të adresuar mungesën e aftësive digjitale në tregun e punës – bazuar në komentet e ofruara nga një sërë biznesesh kosovare – më shumë se 150 të rinjve në Kosovë do t’u sigurohet qasje në një kombinim të trajnimeve të certifikuara dhe për ndërtim karriere gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Paketat e trajnimit përfshijnë Aplikacionin Mobil, Zhvillimin e Uebit, Inxhinierinë e të Dhënave, Rrjetëzimin, Marketingun Digjital dhe Dizajnin Digjital. Disa trajnime do të kenë fokus të veçantë në nevojat e industrisë së turizmit me qëllim rritjen e konkurrencës dhe produktivitetit.
Me ngritjen e nivelit të digjitalizimit në ekonomi, Kosova ka një potencial të fuqishëm për të përshpejtuar rritjen e udhëhequr nga sektori privat – duke përfshirë sektorin e turizmit – dhe për të shfrytëzuar mundësitë brenda rajonit, Evropës dhe më gjerë. Përshpejtimi i transformimit digjital kërkon, megjithatë, një sërë aftësish më të larmishme, të specializuara dhe më të shkathëta.
Gjatë lansimit, ambasadori italian Antonello De Riu theksoi: “Iniciativa të tilla janë vendimtare për dialogun më se të nevojshëm ndëretnik dhe promovimin e mundësive të punës për brezat e rinj. Projekti në fjalë ka edhe avantazhin e fokusimit në një fushë specifike, kapacitetet digjitale, për të cilat ka një kërkesë të konsiderueshme, përfshirë edhe nga sipërmarrjet italiane. Krejt në fund, por jo për nga rëndësia, programi është në përputhje me një iniciativë të fundit të ndihmës (NaturKosovo) e nisur nga Agjencia jonë për Zhvillim (AICS) dhe e fokusuar në turizëm të qëndrueshëm”.
Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, theksoi se: “Digjitalizimi paraqet mundësi të paprecedentë për përshpejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo është duke ndryshuar në mënyrë progresive mënyrën si ne punojmë, si i qasemi shërbimeve dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin. Mbështetja e të rinjve, të të gjitha komuniteteve, për të fituar shkathtësi të buta dhe teknike që kërkohen në tregun aktual është me rëndësi vendimtare për të mundësuar tranzicionin e dyfishtë në Kosovë – atë digjital dhe të gjelbër – ku sektori i turizmit ka potencial të madh”.
Programi i Aftësive Digjitale financohet nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar me 200,000 Euro dhe UNDP me 100,000 Euro dhe do të zbatohet gjatë 12 muajve të ardhshëm.