Pesë ditë më parë, më more në telefon, Sabahajdin, dhe pas përshëndetjes së rëndomtë më the: “Desha edhe njëherë të ta dëgjoj zërin”. Nuk e mora fare seriozisht kumtin dhe t’ u përgjigja se zëri ka kohë që më është prishur dhe mezi po komunikoj, por me shëndet, po mbahem. Pastaj, me një komunikim tejet të sinqertë e vëllazëror, por si gjithnjë edhe me nuanca humori më the: “O profesor sigurisht se do të shihemi, por në botën tjetër!”.
Fjalinë e fundit nuk e mora fare me seriozitet.
Kurrë nuk do të më kishte shkuar në mend se ishte me të vërtetë fjala e fundit, që ta dëgjova zërin përmes telefonit.
Sot e mora kumtin e pikëllimit, Sabahajdin, dhe e kuptova paralajmërimin…
Ti gjete aq forcë shpirtërore për të më thënë lamtumirë, ndërsa unë shpresoja se shpejt do të shiheshim, për të biseduar lidhur me botimin e vëllimit të 19-të, të “Feniksëve të lirisë”, po ja që ti ike bashkë me feniksët, duke u bërë edhe fizikisht pjesë e tyre.
Sot në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Rahavec, të cilin e kishte emërtuar vetë, hyre i qetë në botën e amshimit, bashkë me ata që aq shumë të deshën, të nderuan e të respektuan për së gjalli, ashtu sikur të deshëm, të nderuam e të respektuam ne, që sot ta dhamë edhe lamtumirën e fundit.
Ishim me mijëra, Sabahajdin, nisur nga familja jote e nderuar dhe e respektuar dhe sa e sa bashkëluftëtarë, bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë, miq e studentë, veteranë e invalidë, familjarë dëshmorësh e liridashës nga mbarë vendi, nga mbarë trojet.
Edhe dita ishte plot me rreze dielli, Sabahajdin, edhe pse jemi në janarin e njohur të acarit.
Sot na bërë bashkë te “Kopshti i Dëshmorëve”.
Të përcollëm me dhembje e me dinjitet, pa lot e vaje, por jo edhe pa pikëllim e përdëllim.
Jeta, vepra dhe tërë puna jote në shërbim të kombit e Atdheut, kurrë nuk do të harrohet, sepse ajo është e veçantë, e bujshme e madhështore, krenare dhe e dinjitetshme, sepse është pjesa më e ndritshme e historisë sonë më të re, e historisë së luftës së Ushtrisë tonë Çlirimtare dhe Fitimtare, me të cilën ishe i lidhur si mishi me thoin…
Sot ishte dita jote e fillimit të amshimit, Sabahajdin Cena i dashur dhe i paharruar!
Ahmet Qeriqi
- 1. 2023
Prishtinë