Analisti i shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Eduard Xhozef ka thënë se është plotësisht i bindur se deri në fund të vitit është e mundur të arrihet një marrëveshje e cila do të çojë në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë por ai ka shfaqur rezerva për planin gjermano-francez. “Mendoj se ka shumë mundësi që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen dhe se është e mundur të arrihet një marrëveshje e kënaqshme që do të garantonte vendin e serbëve të Kosovës si qytetarë të Republikës së pavarur dhe funksionale të Kosovës. Kjo është shumë e mundur, por ka një kusht, pra një pengesë që qëndron në rrugën e një marrëveshjeje, dhe ai është qëndrimi i katër vendeve të NATO-s – Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Spanjës. Ata janë e vetmja pengesë për arritjen e një marrëveshjeje që jo vetëm do të kontribuonte në zgjidhjen e këtij problemi, por do të ndryshonte tërësisht orientimin strategjik të Serbisë. Politika e “dy karrigeve” do të përfundonte, Serbia do të kthehej drejt Perëndimit dhe kjo përfshin anëtarësimin në NATO. Unë jam i bindur për këtë”, ka thënë analisti Eduard Xhozef për gazetën gazetën e përditshme “Nova”. Ndërsa duke folur për planin gjermano – francez, ai ka thënë se ky plan nuk do të funksionoj. “Ideja është që Kosova të lejojë formimin e Asociacionit dhe në këmbim Serbia të mos e njeh Kosovën, por të pranojë realitetin, diçka si modeli i dy Gjermanisë. Së pari, nuk mendoj se do të funksionojë dhe së dyti, nuk mendoj se kjo marrëveshje do t’i zgjidhë problemet” ka tërhequr vërejtjen analisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Eduard Xhozef.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …