Takimet në nivelet e larta të Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it po vazhdojnë me qëllim për të gjetur një zgjidhje, meqë misioni të BE-së në vendin tonë i skadon afati i dytë dyvjeçar në rolin e protektorit të Kosovës, edhe pse në gjuhën diplomatike thuhet se është mision për sundimin e ligjit. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi priti në takim shefin e Operacioneve Civile të Bashkimit Evropian, Kenneth Dean, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar dhe shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Gabrielle Meucci. Në këtë takim, ministri Kuçi ka qenë i shoqëruar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Nehat Idrizi dhe nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtsisë, gjatë këtij takimi, përfaqësuesit nga të dyja anët kanë prezantuar pozicionet e tyre lidhur me të ardhmen e mandatit të EULEX-it në Kosovë. “Takimet e kësaj natyre pritet të vazhdojnë edhe nesër me krerët më të lartë shtetëror”, thuhet në njoftim. EULEX-i nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, e njeh autoritetin e Serbisë mbi vendin tonë dhe nuk i jep asnjë përgjegjësi organeve tona shtetërore. Ky mision është institucion paralel i Beogradit në Kosovë dhe tërë veprimtaria e tij e zezë ka të bëjë gjuajtje shtrigash, me akuza drejtuar luftëtarëve të lirisë së Kosovës dhe asnjë akuzë kundër regjimit kriminal dhe fashist të Serbisë së kohës së Milosheviqit.
