Gjergj Kastrioti - Skenderbeu

Mark  Gjon  Zefi:  Libri për  “ORIGJINËN  MIRDITORE  TË  GJERGJ  KASTRIOTIT”,  i autorit, Preng Cub Lleshi, VLERË  PËR  HISTORIOGRAFINË  SHQIPTARE!

(Me rastin e 555 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut)

 

Më 08.10.2022,  në  bibliotekën  “Marin  Barleti”,  Shkodër,  u  promovua  libri  “210  dëshmi  e  referenca  historike  “Origjina  mirditore  e  Kastriotëve”,  i  studiuesit  të  shquar  mirditor,  z.  Preng  Cub  Lleshi.

 

Preng  Cub  Lleshi  ka  lindur  më  02.02.1935,  në  Shëngjergj  të  Dibrrit,  Mirditë. Pas  mbarimit  të arsimit  shtatëvjeçar,  ka  kryer  shkollën  e  mesme  pedagogjike   “ Ndrecë  Ndue  Gjoka”  në  Tiranë,  më  1956.  Emërohet  mësues  në  shkollën  shtatëvjeçare   “Naim  Gjylbegu” të  Shpalit.   Më  pas  ka  vazhdur  me  korrespondencë  studimet  e  larta  në  Institutin  Pedagogjik  të  Shkodrës,  dega: gjuhë  shqipe – letërsi – histori, të  cilat  i  mbaroi  më  1962.  Duke  qenë  një  student  cilësor  dhe  me  pasion  e  përkushtim,  pranohet  për  të  vazhduar  si  student  i  ditës  në  Universitetin  e  Tiranës  në  Fakultetin  e  Historisë  dhe  Filologjisë,  dega:  gjuhë  shqipe  e  letërsi,  ku më 1965  u  diplomua  “Mësues  i  gjuhës  shqipe  e  letërsisë  për  shkollat  e  mesme”. Më  1971 ka  kryer  kursin  e  lartë  të  filozofisë. Nga  viti  1965  deri  më  1991,  që  doli  në  pension,  ka  punuar  mësues  në  gjimnazin  “Bardhok  Biba”  të  Rrëshenit,  Mirditë.

Që  në  bankat  e  shkollës  shtatëvjeçare,  mësuesit  vunë  re  te  Prenga  prirjen  dhe  talentin  në  krijimtarinë  letrare,  i  cili  do  të  shpërthente  dukshëm  në  shkollën  e  mesme  pedagogjike “Ndrecë  Ndue  Gjoka”,  në  Tiranë,  nën  përkujdesjen  e  nxitjen  e  shkrimtarit  të  shquar,  Petro  Marko,  të  cilin  pati  fatin  ta  kishte  profesor  të  letërsisë  në  shkollën  e  mesme. Në  këto  vite  dhe  më  pas,  Prenga  botoi  në  shtypin  e  kohës  poezi  dhe  prozë  cilësore,  prej  të  cilave  ai  nuk  hoqi  dorë  asnjëherë. Në  vitin  1978,  Prenga  u  pranua   anëtar  i  Lidhjes  së  Shkrimtarëve  dhe  Artistëve  të  Shqipërisë. Krahas  krijimtarisë  letrare,  Prenga  u  mor  edhe  me  kërkime  shkencore  në  fushën  e  gjuhësisë,  të  letërsisë  e  kritikës  letrare  duke  u  afirmuar  si  një  polemist  i  spikatur,  e  duke  u  bërë  i  njohur   në  botën  shkencore  e  kulturore  të  kohës. Për  punë  të  mirë  si  mësues,  Presidiumi  i  Kuvendit  Popullor  i  ka  akorduar  medaljen  “Naim  Frashëri”,  në  vitin  1985. E,  megjithëkëtë,  për  arsye  jashtëletrare  e  shkencore,  deri  në  vitin  1991,  nuk  u  lejua  të  botonte  libra.

Botimin  e  librave  Preng  Cub  Lleshi  e  ka  filluar  në  vitin  2001. Nga  ky  vit  e  deri  më  tani,  ai  ka  botuar  22  libra:  poetikë,  publicistikë,  historikë  e  gjuhësorë  me  tematikë  të  larmishme  në  këto  fusha. U  zgjata  me  jetëshkrimin (curriculum vitae)  e  Prengë  Cub  Lleshit,  për  të  pohuar   para  kësaj  audience  se  nuk  kemi  të  bëjmë  me  një  studiues,  letrar,  gjuhëtar  e  polemist  amator,  por  me  një  personalitet  të  kultivuar  shumë  pasionant  e  profesionist  në  këto  fusha,  tashmë  me  emër  jo  vetëm  në  qytetin  e  Rrëshenit,  por  në  të  gjithë  Shqipërinë  e  më  gjerë,  duke  fituar  simpatinë  e  vlerësimin  e  lexuesve  e  specialistëve  në  fushat  përkatëse. 

 Çdo  botim  i  Preng  Cub  Lleshit  është  cilësor,  sepse  ka  brenda  mundin,  përkushtimin  e  profesionalizmin  e  tij,  por  libri  “210  dëshmi  dhe  referenca  historike  “Origjina  mirditore  e  Kastriotëve”  është  një  libër  me  kontribut  të  veçantë  për  historiografinë  shqiptare,  për  njërën  nga  temat  më  madhore  të  kësaj  historie,  siç  është  origjina  e  dinastisë  së  Kastriotëve  dhe,  konkretisht,  e  heroit  tonë  Kombëtar,  Gjergj  Kastriotit.

“Vendorigjina  e  dinastisë  së  Kastriotëve,  sipas  historiografisë  shqiptare  të  derisotme  përmend  vetëm  tri  krahina  si  vendorigjina  të  mundshme  për  dinastinë  e  Kastriotëve:  Matin,  Sinjën  në  Dibër  dhe  Kastratin  në  Has  të  Kukësit,  duke  lënë  në  harresë,  çuditërisht,  Kastrin  në  Vig  të  Mirditës  si  vendorigjina  e  vërtetë  e  Kastriotëve ,  edhe  pse  për  këtë  kishin  folur,  përveç  historianit  Jakob  Falmerajer,  edhe  historianët  shqiptarë  Fan  S.  Noli,  Athanas  Gega  e  ndonjë  tjetër. Është  kjo  arsyeja  që  po  u  paraqes  dashamirësve  të  historisë  së  Shqipërisë  210  dëshmi  dhe  referenca  historike  të  studiuesve  dhe  historianëve  të  ndryshëm,  veçanërisht  të  huaj,  të  cilat,  direkt  ose  indirekt,  sikur  vërtetojnë  në  dritë  të  diellit  se  trojet  e  Mirditës  etnografike  janë  vedndorigjina  jo  vetëm  e  Dukagjinëve,  por  edhe  e  Kastriotëve  legjendarë” – shpjegon që  në  fillim  të  librit  P. C. Lleshi.  

Po  çfarë  e  motivoi  apo  e  ngacmoi  Preng  Cub  Lleshin  në  një  moshë  të  thyer  e  me  probleme  shëndetësore,  por  gjithmonë  i  freskët  në  arsyetim  e  gjykim,  t’i  hynte  një  pune  kaq  të  vështirë  në  shumë  rrafshe?!

Së  pari:  Subjektivizmi  i  historianëve  shqiptarë  në  përcaktimin  e  vendorigjinës  së  Kastriotëve  në  tekstet  e  historisë  së  Shqipërisë  në  të  gjitha  nivelet,  duke  shmangur  apriori,  si  vendorigjinë  të  mundshme  të  Kastriotëve  edhe  Mirditën  etnografike; Së  dyti:  Preng  Cub  Lleshi,  argumentet  e  tija  për  problemin  në  fjalë,  ka  guxuar  jo  vetëm  t’i  shkruajë,  por  edhe  të  ballafaqohet  me  profesionistët  që  kanë  shkruar  e  shkruajnë  tekstet  e  historisë  së  Shqipërisë  të  të  gjitha  niveleve,  madje,  duke  shfrytëzuar  dhe  rubrikat  televizive,  siç  është  ajo  e  R. Xhaxhiut,  për  dëshmitë  dhe  referencat  për  origjinën  e  Kastriotëve;

Së  treti:  Herëpashere,  gjatë  historisë,  pseudohistorianë  të  huaj,  janë  përpjekur  t’i  tjetërsojnë  origjinën  shqiptare  Heroit  tonë  Kombëtar,  Gjergj  Kastriotit – Skënderbeut,  siç  qe  botimi  i  profesorit  austriak  Oliver  Jens  Schmit  mbi  Heroin  Kombëtar  të  shqiptarëve,  ku,  çuditërisht,  pati  edhe  intelektualë  shqiptarë  të cilët  u  ndikuan  nga  interpretimet  e  gabuara  të  Oliverit… për  Heroin  tonë  Kombëtar; Së  katërti:  Për  të  sensibilizuar  e  ndërgjegjësuar  opinionin  publik  shqiptar  dhe  të  huaj,  kudo  ku  ka  interes  për  Shqipërinë  dhe  shqiptarët, se  vendorigjina  e  dinastisë  së  Kastriotëve  është  nga  Kastri  i  Vigut  të  Mirditës  etnografike; Së  fundmi:  Për  të  gjitha  këto,  Preng  Cub  Lleshi  ndërmori  hapin  e  guximshëm  e  të  mundimshëm që,  dëshmitë  dhe  referencat  historike  të  studiuesve  shqiptarë  dhe  të  huaj  për  origjinën  e  Kastriotëve,  t’i  përmbledhë  në  një  libër,  të  cilin  e  botoi  në  vitin  2018  dhe  e  ribotoi  në  vitin  2021  me  210  dëshmi  e  referenca. Autori,  për  dëshmitë  e  referencat  e  mësipërme  ka  studiuar  91  autorë  shqiptarë  dhe  të  huaj,  prej  tyre  59  shqiptarë  e  32  të  huaj; periudhën  historike  të  Shqipërisë  nga  shekulli XIV  e  deri  në  ditët  e  sotme.  Le  të përmendim  disa  nga  dëshmitë  dhe  referencat  e  autorit  të  sjella  në  këtë  libër:  

“Shtegtimin  nëpër  dëshmitë  dhe  referencat  historike  të  studiuesve  dhe  të  historianëve  për  vendorigjinën  mirditore  të  familjes  së  Kastriotëve  kam  vendosur  ta  nis  me  historianin  e  shquar  Fan  S.  Noli. Kjo  ndodh  sepse  ky  historian  pohonte  qartë  e  prerë  se  “Mirditën  dhe  Hasin  i  kishte  Gjon  Kastrioti,  por  Barleti  s’ua  përmend  emrat  fare  dhe  i  përmbledh  me  emrin  e  përgjithshëm  Aemathia”,  duke  shtuar  se  “Aemathia  e  Barletit  ka  qenë  që  nga  koha  e  tij  e  gjer  sot,  një  burim  lajthitjesh (për  historianët-  shënimi i P.C.Ll),  se  me  këtë  emër  quhej  në  kohët  e  vjetra  Maqedonia  Jugore  dhe  shpesh  tërë  Maqedonia .“ – shkruan  P. C. Lleshi.( f.  5)

Për  “lajthitje”  të  tilla  gjeografike  të  studiuesve  të  ndryshëm,  që  Aemathien  e marrin  për  Matin,  kur,  në  fakt,  ajo  del  të  jetë  trevë  e  Mirditës  etnografike,  autori  i  librit  në  fjalë,  sjell  dëshmi  e  referenca. “Për  “lajthitje”  të  tilla, – shkruan  P. C.  Lleshi, – kur  emërtimit  Mat  të  Marin  Barletit  i  korrespondon  krahina  e  Mirditës  në  mesjetë  dhe  jo  Mati  i  shekullit  XXI,  na  dëshmon  dhe  autori  Italian  Feliçe  Kuniberti  në  librin  “Shqipëria  dhe  princi  Skënderbeg”. Këtu,  duke  folur  për  origjinën  mirditore  të  Kastriotëve,  pasi  shkruan  se mirditorët  ushtrojnë  publikisht  fenë  e  tyre  dhe  dallohen  me  nderim  nga  fiset  e  tjera  shqiptare  prej  karakterit  dhe  prej  ideve  morale  më  të  mëdha (qytetëruese- shënim i  P.C.Ll)  e  më  të  larta  shton:  “Ata  kanë  dy  Prenkë  ose  prijës,  një  shpirtëror  që  është  abati  me  miter  i  Oroshit,  qytet  i  vogël,  por  i  rëndësishëm  në  luginën  e  Matit (?!),  tjetri  tokësor,  që  është  një  anëtar  i  familjes  së  Lekëve”,  kur  dihet  se  Oroshi  gjendet,  pothuaj  në  zemër  të  Mirditës  dhe  jo  “në  luginën  e  Matit,  por  në  të  majtë  të  luginës  së  lumit  Fani  i  Vogël”…(f. 6). 

Për  “lajthitje”  të  tilla  gjeografike  autori  përmend  edhe  autorë  e  burime  të  tjera  si: “Antologjinë  e re  të  shkencave  e  letërsisë  dhe  arteve”,  vol.  33,  botuar  në  Firence  më  1876,(f.  7);  Conrad  Malte  Brunin,  në  veprën  “Për  Shqipërinë  e  shqiptarët”,(f. 7); Zhan  Klod  Faverialin  në  librin  e  tij  “Historia  e  Shqipërisë”, (f. 9)  etj. “Dhe  “lajthitjet”  e  disa  studiuesve  e  historianëve  duket  se  kanë  ardhur  për  dy  arsye:  ose  sepse  nuk  e  kanë  kuptuar,  ose  nuk  kanë  dashur  ta  kuptojnë  historianin  Marin  Barleti” –  shpjegon  P. C. Lleshi.(F.7)

Po  kështu  edhe  për  tezat  që  i  bën  Kastriotët nga  Dibra  apo  nga  Kastrati  i  Hasit  a  i  Shkodrës,  Preng  Cub  Lleshi  i  referohet  Fan  S.  Nolit  kur  shkruante  se  “Në  Dibër  të  Poshtme  ka  një  katund  të  quajtur  Kastriot,  por  nuk  dihet  a  e  ka  marrë  emrin  katundi  nga  Kastriotët,  apo  Kastriotët  nga  katundi… se etimologjikisht,  është  shumë  e  rëndë  të  dalë  llagapi  Kastriotët  nga  një  Kastrat.”, (f. 10)  dhe  për  toponimin  “Kastrat”  i  referohet  historianit  Kroat,  Milan  Shuflay  se  “ Kastratët,  embrioni  i  të  cilëve  ishte  afër  rrënimeve  të  “taborit” romak  pranë  rrënojave  të  Kastrës,  në  vitin  1559,  banonin  mbi  vijën  Shkodër – Orosh.” (f.  11).  “Dhe  ky  pohim,– shkruan  P.  C.  Lleshi,  –  tregon  se  Kastratasit  ikën  nga  Kastri  pas  vdekjes  së  Gjergj  Kastriotit,  në  vitin  1501,  kur  venedikasit  e  shkatërruan  kështjellën  e  Kastrit,  për  të  mos  ua  lënë  në  duar  turqve  dhe  atje  kastratasit  e  ndërruan  fenë  e  të  parëve  të  tyre,  duke  u  islamizuar.” (f. 11) “Edhe  hipotezën  që  i  bën  Kastriotët  me  origjinë  nga  Dibra  e  Poshtme,  duket  se  e rrëzon  qoftë  edhe  një  pohim  i  Marin  Barletit,  i  cili  sqaron  se  Kastrioti  erdhi  në  Dibër  të  Poshtme,  në  prag  dhe  gati  mu  në  kufi  të  mbretërisë  së  vet”. (P. C. Ll., f.  11) “Drejt  Kastrit,  si  vendorigjina  e  Kastriotëve,  na  çon  edhe  historiani  Athanas  Gega,  të  cilin  Fan  S.  Noli  e  quante  “njohësin  më  të  mirë  të  historisë  së  Skënderbeut”. Në  veprën  e  tij  “Arbëria,  Gjergj  Kastrioti”, ky  historian,  si  dhe  të  tjerë  dëshmon  se    “Kastriotët  zotëronin  …  territorin  e  përfshirë  në  verilindje  të  Shkodrës  dhe  të  Lezhës  e  deri  në  Prizren”,  duke  shtuar  se  “Në  perëndim  shtriheshin  pronat  e  Dukagjinit,  që  përfshinin  fushat  e  Zadrimës  dhe  lokalitetin  e  Fanit. . . . Dhe  Thanas  Gega,  ky  njohës  i  thellë  i  historisë  së  Heroit  tonë  Kombëtar,  u  vë  kurorë  mendimeve  të  tij,  kur  shkruan  se  “Mbiemri  Kastrioti…  që  ka  mbijetuar  në  histori,  lidhet  më  shumë  me  lokalitetin  e  Kastrit  në  Mirditë,  që  ndodhet  midis  fshatrave  të  Dibrit,  Mnelës,  Kashnjetit  e  Vigut,  se  sa  me  lokalitete  të  tjera,  që  kanë  të  njëjtin  emër”. Ky  pohim  lapidar,  çuditërisht,  edhe  pas  vlerësimeve  të  Fan  S.  Nolit  për  historianin  Athanas  Gega,  u  kalua  në  heshtje  nga  historianët  shqiptarë,  para,  gjatë  dhe  pas  gjysmës  së  dytë  të  shekullit  XX”. (P. C. Ll., f.19-20)

Janë  me  dhjetra  historianë  e  studiues  shqiptarë ,  të  cilëve  u  referohet  studiuesi  P.  C.  Lleshi,  që  dëshmojnë  për  origjinën  mirditore,  nga  Kastri  në  Vig  të  Mirditës,  të  familjes  së  Kastriotëve.  Po  dhe  32  studiues  e  burime  të  huaja,  që  dëshmojnë  të  njëjtën  gjë. Kështu,  gjeografi  dhe  etnografi  francez,  Ami  Bue  pohonte  se  “kishte  dëgjuar  që  Skënderbeu  kishte  lindur  në  fshatin  Kastër  të  Mirditës,…  gjysmë  ore  larg  fshatit  të  sotëm  Vig”,  dhe  albanologu  gjerman  George  fon  Hahn  të  njëjtën  gjë  dëshmonte  kur  theksonte  se  “Don  Engjëlli  më  konfirmoi…  që  Skënderbeu  kishte  lindur  në  një  qytet  të  madh,  tashmë  të  shkatërruar,  rrënojat  e  shpërndara  të  të  cilit  ndodheshin  gjysmë  ore  në  perëndim  të  famullisë  së  tij  të  Vigut…,  të  cilin  populli  e  quante  edhe  sot  e  kësaj  dite  Kastri.” (P.C.Ll., f.18 – 19).

Në  këtë  hulli,  d.m.th.  që  Kastrin  në  Vig  të  Mirditës  etnografike  e  njohin  si  vendorigjina  e  familjes  së  Kastriotëve,  shkojnë  dhe  tregimet,  legjendat  dhe  gojëdhënat  të  mbledhura  në  fshatrat  e  Mirditës  nga  studiuesi  Zef  Vorf  Neka  dhe  akademiku  Mark  Tirta.  Edhe  krijimet  poetike  në  periudha  të  ndryshme  të  historisë,  siç  është  Zef  Jubani,  Risto  Siliqi,   Lasgush  Poradeci  etj.  i  referohen  Kastrës  si  vendorigjina  e  Gjergj  Kastriotit – Skënderbeut. Edhe  pse  janë  dëshmi  e  referenca  të  autorëve  e  burimeve  të  ndryshme, e në  periudha  të  ndryshme  për  origjinën  mirditore  të  Kastriotëve,  në  libër  ato  “shkrihen” mjeshtërisht  nga  autori,  nga  njëra  tek  tjetra  me  një  stil  emfatik,  ritëm  elegant,  me  gjuhë  të  pasur  në  fjalë  e  shprehje  e  ndërtime  sintaksore  të  qarta,  të  pasura  e  plot  frymëzim,  çka  përbëjnë  një  vlerë  më  vete shumë  të  bukur të  punimit. 

Pas  gjithë  këtyre  referencave  e  dëshmive,  që  paraqet studiuesi  Preng  Cub  Lleshi  për  origjinën  mirditore  të  Kastriotëve  dhe  që  deri  tani  nuk  është  kontestuar  nga  kundërshtarët   profesionistë të kësaj teze,  historiografia  shqiptare  duhet  ta  marrë  të  mirëqenë  tezën  se  Kastriotët  janë  me  origjinë  nga  Kastri  i  Vigut  të  Mirditës   etnografike,  duke  shtuar  këtu  arsyetimin  e  akademik  Mark  Tirtes “Se,  siç  janë  përpjekur  grupe  historianësh  shqiptarë  për  të  vërtetuar  se  vendorigjina  e  Kastriotëve  duhet  kërkuar  në  Has  e  të  tjerë  në  Kastriot  të  Dibrës  a  në  Mat,  duke  ngulur  këmbë  secili  në  pikëpamjen  e  vet,  edhe  ky  autor  ka  të  drejtë  të  mbrojë  pikëpamjen  e  tij,  sipas  të  cilës  vendorigjina  e  Dukagjinëve  dhe  e  Kastriotëve,  duhet  kërkuar  në  trevën  e  Mirditës,  e  cila  konsiderohet  si  vatra  e  shtetit  të  Arbërit. Dhe  teza  e  tij,  se  Kastri  në  Vig  të  Mirditës  është  vatra  e  hershme  e  Kastriotëve,  është  krejt  e  arsyetuar  me  citimet  e  shumta  që  sjell  autori  në  favor  të  saj.”( M. Tirta “Trojet e Mirditës …,f. 5)

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …