Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë, ka urdhëruar SPAK-un të hetojë pasurinë e Ilir Metës dhe Sali Berishës, saktësinë e deklaratave të pasurisë sipas ligjit dhe nëse gjenden lidhje mes të dyve dhe një prej ngjarjeve më të rënda të trazirave të viti 1997. Me një vendim që daton në nëntorin e 2022, por që është bërë publik vetëm sot, Gjykata e Posaçme e urdhëron Prokurorinë e Posaçme që të regjistrojë njëkohësisht procedimin penal për vjedhjen e 280 kg ar në tunelet e sigurisë së lartë, në Krrabë. Vendimi mban firmën e gjyqtares Flojera Davidhi, e cila rrëzon vendimin të 7 tetorit 2022 të prokurores së SPAK, Manjola Kajana, për mosfillimin e procedimit penal për këtë çështje. Çështja u hap me kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri, i cili paditi në SPAK disa muaj më parë, Berishën dhe Metën si të dyshuar për organizim dhe përfitim nga vjedhja në Krrabë. Në vendimin e mosfillimit, prokurorja Manjola Kajana thotë se vepra penale e referuar në kallëzimin e Idajet Beqirit:
Së pari është parashkruar sipas legjislacionit penal, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vite nga krimi.
Së dyti, prokurorja e SPAK-ut Manjola Kajana thekson se për këtë ngjarje janë dënuar 5 persona në vitin 2001, me vendim të formës së prerë të Gjykatës Ushtarake.
Dhe së treti, sipas prokurores, vepra penale e referuar nga Beqiri, ajo e grupit të strukturuar kriminal, nuk ekzistonte në legjislacionin penal të kohës.
Por avokati paditës e ankimoi këtë refuzim të prokurores në gjykatë. Sipas Beqirit, vendimi anashkalon akuzat më të rënda dhe ka arsyetime vetëm për një pjesë të vogël të këtyre akuzave. Gjyqtarja Flojera Davidhi, duke rrëzuar vendimin e mosfillimit të procedimit penal, arsyeton se SPAK nuk mund të dalë në konkluzione, pa kryer hetime. Ajo thekson se mund të jemi para “vazhdimësisë së veprës penale”, prandaj ajo duhet hetuar nga burimi i dyshuar fillestar, në mënyrë shteruese.
Denpncuesi Idajet Beqoro dëshmon se Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë krijuar pasuri me floririn e vjedhur që më pas ka vijuar të shtohet me këtë burim. Sipas gjykatës, kallëzuesi nuk ka mundësi për ta provuar këtë akuzë, ndaj SPAK duhet të hetojë dhe verifikojë në vijimësi përgjatë viteve, burimin e pasurisë së Metës dhe Berishës, përfshirë kontrollin e shkresave drejtuar ILDKPKI, hipotekës dhe të gjithë institucioneve të tjerë përgjegjës.