Gjon Bruçi: “Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve”

Gjon BRUÇI: Miliona lek për “Big Brother Vip” (Rrip), dhe as një qindarkë për Muzeun  e Alfabetit Shqip të Manastirit!

115 vjet më parë, dhe pikërsht nga 14 – 22 Nëntor të vitit 1908, në qytetin shqiptar të Manastirit, në shtëpinë e Fehim Zavalanit, u mbajt Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe. Emri i kësaj ndërtese dhe veçanërisht historia e saj, u transmetuan në librat e nxënësve të shkollave dhe dokumentet e Akademive dhe Institucioneve arsimore e kulturore. Por ky “transmetim” asnjëherë nuk ishte i plotë dhe me gjithë shkëlqimin e  veprës që realizuan  atdhetarët e famshëm, Gj. Fishta, M. Frashëri, S. Peci, N. Mjeda, Sh. Kolonja, B. Topulli, P. Qiriazi, F. Zavalani etj.  Para viteve nëntëdhjetë për shkak të shovinizmit jugosllav të regjimit Tito-rankoviç, që Manastirin tonë e emërtuan “Bitola”; ndërsa në tri dekadat e fundit, kur falë “demokracisë” pluroborgjeze na u hap “sipari”, vëmendja jonë u terratis nga euro dhe dollari, çka harruam jo vetëm autorët e Alfabetit, por edhe vetë Manastirin, me historinë e tij kombëtare.

Indicien për këtë shkrim, na e dha studentja nga Shkupi, Ermira Jakupi. Ermira jonë, në bashkëpunim me  atdhetarë të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, lëshoj një thirrje drejtuar gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen. Thirrja ishte e shkurtër, por shumë domethënëse: “Shqiptarë, na dhuroni nga një libër në gjuhën shqipe, që të ngremë Bibliotekën e librave shqip në ndërtesën ku u ngjizën germat e alfabetit të gjuhës sonë, në Manastirin e lashtë e të bukur!”

Thirrja nuk u transmetua nga mediat e qeverisë, apo bosat e medias, por nëpërmjet mjeteve të tjera, me të cilët komunikojnë qytetarët tanë. Duke ndjekur emisionin televiziv “Shqipëria live”, që e kishte kapur këtë thirrje, arritëm të njihnim edhe nismën e studentes, Ermira, e cila kishte marrë mbi supe këtë barrë jo të lehtë për shpatullat e saj të njoma, por shumë të rëndësishme dhe domethënëse për çdo shqiptar të vërtetë.

“Isha nxënëse shkolle, kur erdhi në Manastir, gazetari nga Shqipëria, Marin Mema, i cili bëri një reportazh, që më preku tej mase”. Dhe nëpërmjet tregimit gjithë pasion të studentes në fjalë, ne të përgjumurit e këtyre tri dekadave, morëm vesh disa gjëra, që për turpin e politikanëve, qeveritarëve dhe elitës së inteligjencës sonë, nuk i dinim, ose i dinim por heshtnim, kur duhej të bërtisnim deri në kupë të qiellit. 

Gjatë tri dekadave të fundit, të reklamimit të “krushqisë” dhe bashkëpunimit miqësor në rajon, gjer tek nisma më e fndit “Open Ballkan”, ndërtesa historike e Manastirit shqiptar, është sulmuar e dëmtuar nga shovenët maqedonas, të paktën tri herë: në 2013, në 2016 dhe në 2021.  Në vitin 2001, kur pati konflikt në Kumanovë, bisneset e shqiptarëve në Manastir u sulmuan e u shkatërruan. Prej një viti e gjysëm, “Muzeu ynë i Alfabetit”, thotë Ermira, nuk ka energji elektrike, janë thyer xhamat e prishur dritaret; njëra nga sallat është kthyer në “vend punimi e shitje pllakash” etj. Kuptohet se si mund të jetë gjendja eksponateve historike të muzeut në fjalë. 

Por vandalizmi mbi gjuhën shqipe shkon më tej. Në MV, asnjë shkollë e mesme nuk e ka në program gjuhën shqipe. Në Manastir ka vetëm një shkollë fillore, ku mësohet gjuha shqipe, por frekuentimi me nxënës shqiptarë po shkon drejt zeros. Kjo, sepse mësuesit maqedonas, që janë në mazhorancë, shpesh dhunojnë nxënësit shqiptarë, ndaj prindërit i largojnë prej aty. Kërkesat e vazhdueshme të komunitetit, për hapjen e një shkolle të mesme shqipe kanë rënë në vesh të shurdhër. Shqiptarët e Manastirit, por edhe të qyteteve të tjerë, kanë frikë të deklarohen shqiptarë. Autoritetet u kanë shtuar mbiemrave të tyre nga një “ovski”, ndaj ata nuk mund të regjistrohen si shqiptarë, edhe nëse deklarohen të tillë. Falë këtij qëndrimi antishqiptar, këta të fundit po e harrojnë gjuhën e tyre amtare.

Po autoritetet shqiptare në MV: politikanët, partitë politike, deputetet dhe zyrtarët qendrorë e vendor, çfarë bëjnë për këtë problem jetik të ardhmërisë së shqiptarëve në trojet e tyre amtare?!  Fatkeqësisht, kumton studentja Ermira, ata gjithë kujdesin e kanë përqëndruar në sigurimin dhe mbajtjen fort të kolltukut dhe miradinave që ofron pushteti. “Në shumicën e rasteve ministrat e arsimit i kemi patur shqiptarë, por për gjuhën shqipe dhe për Muzeun e Alfabetit tonë, kurrë nuk janë ndjerë”.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për politikanët dhe qeveritarët në Shqipërinë “mëmë”. Ndonëse kemi një kryeministër që vjen nga institucionet e arsimit e të kulturës, dhe dy ministresha, njëra për arsimin e tjera për kulturën, asnjëri nga këta, siç duket, nuk e kanë haberin se ku bie me shtëpi “Manastiri ynë”, dhe aq më pak të dinë për sallën, ku u mblodh Kongresi i Alfabetit të Shqipes. Kryeministria  me ministrat e ministreshat e tij, njohin tërë botën gjer në Dubai e tej tij, por kurrë nuk kanë qenë në Manastir për ndonjë punë, veç në paçin kaluar tangent si vizitor. Ama, një gjë na çudit: Kur qeveritarët e mësipërm, përfshi edhe ata para tyre, kanë një njohje kaq të cekët për trojet e tyre amtare, si arrijnë të fantazojnë “Open Ballkane” e marrëveshje dy, tri, e shumë palëshe me kolegët “vëllezër” të Maqedonisë, dhe sivëllezërit e tyre në rajon?!  Si nuk u shkoi në mendje këtyre “atdhetarëve të flaktë”, të hapnin një shkollë të mesme shqipe, të paktën në Manastirin e famshëm të Alfabetit?  Mirëpo kjo e fundit nuk mund të ndodhë, sepse i pengon “Big Brother VIP” që kollufit milionat për të na nxjerrë “Big Bry. . ra. Rrip”!

Më së paku, si ka mundësi që Kryeministri ynë karizmatik, kur shkoi në Shkup, për përurimin e “Openit” nuk e hodhi vështrimin mbi Manastir? Ose, ato ditë që përqafohej me Kryeministrin maqedon në Shkup a në Tiranë, si nuk u kujtua t’i thoshte “kolegut”, të hiqte të paktën atë llaçin e pllakave që përgatiten e shiten në Muzeun tonë të Manastirit, apo të vinte ca xhama që patën thyer “vandalët” e vendit të tij?!  Dhe më e pakta, të çonte pak tel e ca llamba për të ndriçuar “odën” e famshme, që do të ndriçonte shqiptarët me germat e alfabetit të gjuhës së tyre?  

Studentja nga Shkupi ka marrë nismën, që në ndërtesën ku u mblodh Kongresi i famshëm, të rregullojë e të kompletojë një bibliotekë me libra shqip, për bashkëatdhetarët e saj. Në ndihmë të Ermirës, janë vënë plot shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora, të cilët kanë nisur të dërgojnë ndima monetare dhe sidomos libra në gjuhën shqipe. Ndërsa nga Shqipëria “mëmë”, ndonëse e ka të shkruar si detyrim në Kushtetutën e vendit, asnjë institucion nuk ka lëvizur, qoftë dhe për të mësuar “nismën” e studentes, Ermira Jakupi.

Gazetarët e “Shqipëria live”, në fund të emisionit, iu drejtuan Ermirës me kërkesën: “Pse nuk hapni një bisnes privat, ku të keni edhe libra në gjuhën shqipe, çka do të eleminonte rrezikun e sulmeve dhe prishjeve të bibliotekës në ndërtesën e Kongresit?

Ermira u përgjigj: Unë dua të hap bibliotekën në ndërtesën ku u mbajt Kongresi i Alfabetit tonë, dhe këtë do ta realizoj, pavarësisht nga rreziqet dhe kërcënimet, që nuk kanë munguar e nuk do të mungojnë. Kam mbështetjen e gjithë shqiptarëve, dhe jam e sigurtë se do ta realizoj objektivin që kam marrë përsipër.

Eh, sikur të kishim shumë Ermira të tilla të moshës rinore, nuk do të pyesnim për vetullat e ngrysura, apo gojën e shtrëmbëruar nga ngërdheshja, e politikanëve, deputetëve dhe pushteraëve këtej e matanë Drinit tonë të përbashkët.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …