Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Wever thotë për Radion Evropa e Lirë, se mosdhënia e detajeve nga takimet e ndërmjetësuesve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, janë sinjal se ende ekziston bllokada në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Dje më 20 janar, Prishtinën dhe Beogradin e ka vizituar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesko Talo. Temë e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ndërmjetësuesit nga Perëndimi theksuan se kanë pritur nga Prishtina më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi. Ndërkaq në Beograd, sipas tyre, kanë vënë re një “qasje të përgjegjshme dhe gatishmëri për vendime të vështira”. Weber konsideron që problemi në këto bisedime është se ato po mbahen prapa dyerve të mbyllura, ndërkohë që “edhe më tej ka rezistencë në tentimin për të arritur përparim lidhur me propozimin e BE-së ose të ashtuquajturit propozim gjermano-francez”. Ai gjithashtu shpreh mendimin se shprehja “kompromis”, që përdoret nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në kontekstin e mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është “tejet e rrezikshme. Kjo ka qenë pika kryesore e Vuçiqit dhe e regjimit serb në bisedimet rreth propozimit për shkëmbimin e territoreve”. Weber nuk i përjashton krizat eventuale në veri të Kosovës, përderisa, siç thotë ai, nuk publikohen marrëveshjet dhe të mos u lihet palëve mundësia që t’i interpretojnë secili sipas bindjes e pozitës së vet.
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …