Fjalë rasti në Akademinë Përkujtimore për Axhën Isuf Islam Krasniqi
Të nderuar përfaqësues të Pushtetit lokal dhe Qendror të Kosoves. Përfaqësues të familjes Murat Uka nga Syrigana. I nderuar Prof. Ibrahim Gashi. Drejtor dhe anëtarë të personelit mësimor e nxënës të Shkollës fillore “Jusuf Gërvalla” Negroc. Të nderuar familjarë të Lagjes dhe bashkëfshatarë të fshatit Negroc. Zonja dhe zotërinj të nderuar,
Isufi ose axha Isuf siç e quanim ne, ishte fëmija i dytë i prindërve Islam (Ahmati)-Krasniqi dhe Rabishe (Kajtazi)-Krasniqi. Qysh si fёmijë dhe i ri, dallonte me veti prej mashkulli tё pashёm e me potencialet pёr rritje e zhvillim tё shёndetshem fizik e trupor. Nuk ndoqi shkollё e nuk pati mundёsi tё arsimit institucional, por jepte shenja tё tё riut me mençuri natyrore dhe punёtori tё devotshëm nё punёt e fushёs dhe tё llojeve tjera tё punёs pёr sigurimin e nevojave tё ekonomisё e tё mirёqenies familjare.
U rrit dhe u burrërua në frymën e traditës familjare dhe bisedave e porosive që dëgjonte nga fjalët e trimave atdhetarë të dëshmuar, vizitorë të shpeshtë në kullën më vonë të bërë shkollë të Babës Salih Ahmati – Paroshku. Këta ishin trima të dëshmuar të kohës, të cilët edhe sot e gjithnjë kujtohen me respekt për dashurinë dhe gatishmërinë që treguan për ruajtjen e shtrirjen gjeografike të gjuhës e të identitetit kombëtar shqiptar kundër përpjekjeve për shpërnguljen dhe për zhbërjen e qenies shqiptare nga trojet stërgjyshore.
Sipas mbamendjes sё vëllezërve të mi mё tё mëdhenj dhe burimeve historike, hordhitё serbo-çetnike, tё udhёhequr nga Drazha Mihailloviq e tё mbёshtetura edhe nga forcat ushtarake tё Nediqit, brenda vitit 1944, e edhe më përpara, tё etura pёr pushtimin e tokave e pёr shfarosjen e shqiptarёve nga Kosova, filluan tё organizojnё aksione tё ashpra, me spastrime e masakra gjakpirёse ndaj popullatёs vendëse, muslimane dhe sidomos shqiptare nё rajonin e Zonёs Neutrale qё pёrfshinte rajonin e Kollashinit, Rozhajës, Tutinit, Novi Pazarit, Mitrovicёs, Plavёs, Gucisё e tё tjera vendeve rreth tyre.
Me tё marrё nё dijeni pёr kёto aksione, Ministria Shqiptare, urdhёron Prefekturën e Pejës qё tё marrё masa tё menjëhershme pёr kёtë dhe Prefektura e Pejёs, kishte urdhёruar Nёnprefekturёn e Drenicёs qё urgjentisht tё dërgonte 200-300 vullnetarё pёr Kollashin. Kushtrimit tё Prefekturёs sё Pejёs e tё Nёnprefekturës sё Drenicёs i pёrgjigjen vullnetarё tё shumtё. Qёllimi i kёtij organizimi tё popullatёs shqiptare ishte ”… mbrojtja e kufijёve shtetёrorё, por edhe mё tepёr (…) , mbrojtja e kufijёve etnikё” tё Shqipёrisё dhe “shpёtimi i popullatёs sё pafajshme nga gjenocidi”. Populli shprehej i gatshëm pёr mbrojtjen e kufirit. ”Nuk kёrkonte gjё tjetёr pёr me i dalё zot vendit veçse armё dhe, mbi tё gjitha municion”. Gjatë nisjes për në front dhe gjatë luftës brohoritnin: “Nuk duam gjë tjetër nuk, veç armë edhe pak bukë”.
U armatosën brenda mundёsive qё ishin dhe tё rreshtuar nёpёr çeta (kompani) morën rrugёn pёr nё frontin e luftёs. Edhe Bajraktari i Bajrakut tё Krasniqes nё Astrazub, Qazim Bajraktari, kishte formuar çetёn (kompaninё) e vet dhe ishte nisur pёr nё Kollashin. Kronika e luftёs nga ajo kohё tregon se “Nisja e vullnetarёve pёr nё front ishte bërё plot entuziazёm dhe kangёt patriotike ushtonin nё tё gjitha anёt”. Motoja e nisjes për në luftë ishte: “Ja vdekje ja liri”. Pёrmes shkresës sё sipёrpermendur, Prefektura e Pejёs urdhёronte qё “… nё asnjё mёnyrё tё mos lejohet kalimi i kufirit” nga ana e forcave paramilitare e ushtarake serbo-çetnike. Nga mbamendja e vёllezёrve të mi mё tё mёdhenj, asnjёri prej tё cilёve asokohe ende nuk kishte mbushur moshёn madhore, Isufi, vёlla mё i vogёl se Baba Ajet, kishte vendosur qё ai t’i bashkangjitet rradhёs sё luftëtarёve vullnetarё tё çetёs sё Qazim Bajraktarit. Tё gjithё kёta vullnetarё i’u bashkuan Brigadёs sё Drenicёs, tё udhёhequr nga Shaban Polluzha. Pёr rrjedhën e bisedёs dhe marrjen e vendimit se cili prej vёllezёrve do shkonte, po japim mё poshtё bisedёn e zhvilluar nё mbrёmjen kur duhej vendosur se cili prej vёllezёrve do t’i pёrgjigjej thirrjes e tё niset pёr frontin e luftёs.
“Isha fёmijё i moshёs afro 10-vjeçare. Ishim duke ndejtur kur nё odё hyri Baba Ajet me njё pushkё tё re Mauzer. Pasi u ul e mori pak frymё, nisi bisedёn me vёllezёrit – Isufin dhe Xheladinin në lidhje me kushtrimin e lёshuar nga Bajraktari pёr shkuarje nё fushё tё betejës. I’u bёri me dije vёllezёrve se ditёn e nesёrme nёpёr fshatin tonё do tё kaloj çeta e luftёtarёve vullnetarё tё Bajrakut tё Qazim Bajraktarit. Jam i thirrur prej Alush dhe Murat Smailit nga Llazica dhe kam vendosur t’ju bashkangjitem vetё. Pa e zgjatur shumё ndёrhyri Isufi – i dyti prej vёllezёrve pёr nga mosha. Ti, Ajet, je mё i madhi prej vëllezërve dhe duhet tё kujdesesh pёr shtёpinё e familjen. Xheladini ёshtё i ri dhe pa pёrvojё ushtarake. Unё do t’i bashkangjitem Çetёs sё vullnetarёve luftёtarё. Dhe kështu u bë. Tё nesёrmen, njё ditё e ftohtё dimri, arritën luftёtarёt vullnetarё tё çetёs sё Qazim Bajraktarit. Me flamurin kombёtar nё ballё e me jehun e kёngёve patriotike, si “Kur u dha kushtrimi n’Kosovë” e “Malet me blerim mbulue” i’u bashkua edhe Isufi e vullnetarё nga lagja e nga fshati. Kishin pёr shteg marshimi fshatin Tёrdec, Rezallё, Syriganё (ish Suhagёrllë) drejt Kolashinit tё Ibrit. E mbronin popullatёn muslimane e shqiptare dhe duhej tё pengonin hyrjen e forcave çetnike brenda kufijёve tё atёhershëm tё Kosovёs”.
Tё nesërmen, njё natё dimri, pas kёsaj bisede tё zhvilluar mes vёllezёrve, çeta e Qazim Bajraktarit arrinё nё fshatin tonё dhe vullnetarёt e caktuar nga lagja e fshati i bashkohen çetës.
Pёr realizimin e aspiratave pushtuese tё tokave shqiptare, ndodhte qё elementi me origjinё sllave t’i bashkoheshin çetave drazhiste qё vepronin nё Kosovё. Aksione luftarake kishin filluar mё 17 shkurt 1944. Por, njё akcion mё i madh luftarak me çetat drazhiste ndodhi sidomos, me datёn 11 mars 1944 nё vendin e quajtur Kolashin. Forca tё shumta çetnike, prej afro 7,000 vetash, kishin sulmuar fshatrat pёrreth. Lufta ishte e fortë, e ashpёr dhe jo e barabartё. Bashkё me forcat serbe vepronin edhe trupa tё rregullta tё Nediqit. Nga forcat shqiptare, pёrveç vullnetarёve, nё luftime merrnin pjesё edhe regjimentet e Pejës e tё Prishtinёs. Nё kёtё pёrleshje tё ashpёr luftarake, pati shumё shqiptarё tё plagosur por edhe tё vrarё pёr vdekje. Kёtu mori plagё vdekjeprurёse edhe axha ynё Isuf Islam Krasniqi.
Me tё parё tё plagosjes tepёr tё rёndё, bashkёluftёtarёt nga pozicionet mё tё afёrta: kushëriri i tij Sahit Asllani, Demir Rexhepi e Bajrush Muhaxheri (tё gjithё nga fshati Negroc) dhe Sylejman Fazlia nga fshati Tёrdec e Hud Gashi nga fshati Vёrmicё, bёnё krejt ç’ishte e mundur nё rrethanat e kohёs pёr tёrheqjen dhe shpёtimin e tij. Ata, deshmitarё nga vendi e momenti i ngjarjes, tregonin se plagёt ishin tё rёnda, kullonin gjak dhe, tё thuash, pa shpresa pёr shpёtim. Megjithatë, nёn breshёrinë e plumbave tё armikut provuan t’a nxjerrnin nga vendi. I fundit prej tё pёrmendurve, nga axha ynё Isufi, ishte ndarё Hudi. I vendosur pёr t’i ndihmuar, ulet pranё tij dhe i premton se “…s’do tё la vetёm, do tё qёndroj me ty deri nё vdekje”. Isufi, axha ynё, duke i ndjerё dhimbjet e forta e gjendjen e rёndё shёndetёsore i lutet Hudit ta lё, ”…mos shko posht pёr mua, i thotë, se s’ka ymyt qё mund tё shpёtoj. Por, aman, para se tё ndahemi, ma mbush pushkën me fishekё, s’i dihet, mund t’më duhet pёr çdo rast”.
Hudi, tё cilit i jemi falenderues pёr jetё, i’a plotёson kёrkesёn axhёs tonё – Isufit. I’a mbushё pushkën plot, pёrshëndetet me të dhe vazhdon rrugёn drejt bashkimit me çetёn e luftёtarёve vullnetarё tё cilës i pёrkiste. Isufi mbetet nё vendin e plagosjes. Luftimet vazhdojnё dhe erdhi momenti kur pjestarё tё ushtrisё e tё vullnetarёve çetnikё gjenden para Isufit tё plagosur. Axha Isuf, edhe me atё pak forcё qё kishte, siç deklaronin dёshmitarёt nga vendi i ngjarjes, kishte shkrepur pushkёn dhe kishte lёnё tё vdekur dy prej tyre.
Disa ditё mё vonё kthehet dhe lajmin e hidhur pёr vdekjen nё luftё tё axhës Isuf na e sjellё kushëriri ynё Sahit Asllani. Na bёhet sikur sot ndjejmё dhimbjen e madhe, pikёllimin e thellё e lotёt qё s’ kishin tё ndalur. Shumё shpejt, Baba Ajet bisedon me Sahitin, Nuredinin dhe Izetin. U mendua se do të jetë më mirë që Izeti e Nuredini të rrinin në shtëpi e të përgatiteshin për kthimin e trupit të pajetë të axhës Isuf. Kështu u vendos dhe Baba Ajet dhe Baci Sahit Asllani u pёrgatiten e u nisën pёr udhё drejt Kolashinit, pёr t’a prurё e varrosur trupin e pajetё tё axhës Isuf, nё varrezat familjare nё fshatin e lindjes, nё Negroc. Këtyre ju bashkohet edhe Halim Hajdini – bashkёfshatar i ndodhur nё luftё nё momentin e plagosjes pёr vdekje tё axhës tonё Isufit.
Nё vendin ku kishte mbetur trupi i pajetё i axhës Isuf, ishte ndodhur edhe Bajram Jashari nga fshati Rezallё, mik shtёpie i axhës Sahit. Ai, duke e parё kufomёn e dёmtuar shumё e tё dekompozuar, mbetur mbi dhè afro dy javё pas vdekjes, i propozon Babёs Ajet dhe tё tjerёve qё ishin me të qё, trupin e pajetё tё Isufit të mos e dërgojё pёr varrosje nё Negroc, por varrimin t’a bёjmё nё Syriganё (ish Suhagërllё), te miku i tij, Murat Uka. Baba Ajet pajtohet dhe trupin e pajetё tё axhës Isuf e hypin tё lidhur nё njё kali dhe diku rreth gjysmёs sё natёs ndalen nё shtёpinё e Murat Ukёs. Ai, si burrё trim e atdhetar qё ishte, tё nesёrmen i lajmёron banorёt e fshatit se nё varrezat e familjarёve tё tij do tё varrosё trupin e vdekur tё njё luftёtari tё rёnё nё mbrojtje tё kufijёve tё Kosovёs. Shtroi drekё pёr tё gjithё dhe me nderime mё tё larta varrosi eshtrat e axhës tonё Isufit.
Eshtrat dhe varri i tij gjenden edhe sot aty, nё mesin e varreve tё familjarёve tё Murat Ukёs. Pёr mirёmbajtjen e tij, Murati dhe familjarёt e tij u kujdesën, e mirёmbajtën dhe e ruajtën si tё ishte i familjes. Sipas adeteve, e pastruan dhe pёrtrinë pёr çdo festё fetare e kombёtare. Pёr kёtё u thirr shpesh nё pёrgjegjёsi policore. Mori kritika tё ashpra, e quajtën strehues e familje ballisti dhe u maltretua, por nuk u pendua dhe s’hoqi dorё nga kujdesi pёr të. Pёr kёtё arsye, atij vetë dhe familjarёve tё Murat Ukёs i mbetemi borxh pёr mot e jetё.
Pas mbarimit tё Luftёs dhe fitimit tё lirisё nё Kosovё, nga Shaipi – djali i Isufit dhe i ne pasardhёsve tё Babёs Ajet e axhës Xheladin u shkrep ideja pёr zhvarrosjen dhe rivarrimin e eshtrave tё Axhёs Isuf nё varrezat tona familjare nё Negroc ose Komoran. Vendosem t’ia hapim kёtё ide tonёn pasardhёsve tё Murat Ukёs. Mё i madhi prej tyre ishte Hasani, ndjesё pastё. Kishim biseduar e parё drejtpёrdrejt me të edhe mё pёrpara. Paralajmёruam dhe shkuam njё ditё, bashkё me Shaipin, nё shtёpinё e tij nё Mitrovicё. Pas disa minutash bisede tё lirё hyrёse, siç ёshtё adet nё vizitat tona familjare, i’a çelëm temёn e bisedës. Nё fjalёn e tij, Hasani i’u kthye goxha larg kujtesës. Foli pёr raste tё keqtrajtimeve nga organet e ndryshme tё pushtetit lokal por edhe pёr ca raste reagimi e mospajtimi tё bashkёfshatarёve pёrkitazi me varrosjen atje tё eshtrave tё axhës tonё Isufit, pёr t’i dhёnё fund me fjalёt “… Isufi ka qenё babё i yti, Shaip, dhe mashkull i familjes tuaj tё madhe. Ju vendosni si tё doni, por ku po mbeten hjekjet e babёs tim, Murat Ukёs, dhe e neve – pasardhёsve tё tij”. Kёto fjalё tё Hasanit qenё vendimtare qё Shaipi vendosi të mos i luaj eshtrat e tё heqё dorё nga rivarrosja e babёs sё tij – Isufit, nё vendin e lindjes, nё Negroc ose nё Komoran. Edhe ne, pasardhёsit e Babës Ajet, anipse jo tё gjithё e me plot bindje, u pajtuam me kёtё vendim tё tij. Dy ishin arsyet kryesore për marrjen e këtij vendimi:
- Respekti dhe falënderimi ynë për gjithë mundin e sakrificën e familjes Uka për kujdesin dhe,
- Burimet e natyrës materiale, siç janë edhe varrezat, janë dëshmitë më bindëse për vendin dhe arsyet e të rënëve për liri dhe pavarësi të atdheut.
Aty, nё Syriganё (ish Suhagёrllё) u rregullua nё mёnyrё modeste, por me shumё mjeshtёri, varreza dhe brenda saj pushojnё edhe sot tё qetё eshtrat e babёs sё Shaipit e axhёs tonё tё nderuar, Isuf Islam Krasniqi. Lutemi t’a ketё pasur shpёrblimin e Zotit dhe shpirti i tij tё prehet i qetё nё parajasё. Besojmё tё jetё ashtu sepse ai i dha fund jetёs nё mbrojtje tё atdheut. E, “Kush vdes nё mbrojtje tё vatanit, shkon shehid”, thuhet nё letёrsinё e besimit islam. Ndёrkaq, mjeshtërit e fjalës e të penës së artit letrar shkruajnë “Kush nё luftё ra pёr atdhe, Ai s’ka vdekun, por ka le”.
Baci Isuf i yni, po edhe të rënët tjerë në Betejën e Koleshinit nuk janë me frymë, por në kujtesën tonë historike mbeten të gjallë sa të ketë shqiptarë e Shqipëri për faktin se:
- “…kjo ishte lufta me më së shumti luftëtarë pas kryengritjes së Hasan Prishtinës më 1912.
- se motiv i gjithë këtyre luftëtarëve vullnetarë ishte të shpëtonin popullatën e pafajshme të Sanxhakut të Pazarit të Ri / Novi Pazarit/ nga gjenocidi.
- se “Lufta e Koleshinit paraqet standardin më të lartë të patriotizmit në historinë shqiptare…”.
- Ishte organizim dhe sakrificë e ndërgjegjes dhe solidarizim me tjetrin, me të pafajshmin,
- Se aty “nuk u mbrojt vetëm kufiri shtetëror, por edhe më tepër, u kaluan kufijtë shtetëror për t’u mbrojtur kufijtë etnikë”.
Sa e përgjakshme e sa me motive të larta patriotike e njerëzore që ishte, por sa e dhimbshme e sa i çuditshëm është fakti se në shkollë nuk mësuam e në programet dhe tekstet shkollore nuk u shpjegua motivi dhe historiku i kësaj lufte të lavdishme. Dhe, jo se nuk u mësua, por edhe u bë temë e ndaluar dhe u mallkua. Pjesëmarrësit e familjet e tyre u cilësuan “familje ballisti”, ”familje armiqësore” e “të rrezikshëm për shtetin” dhe u leçitën e privuan nga shumë të drejta bazë njerëzore e qytetare.
Le të jetë ky organizimi ynë sot një thirrje për vendimmarrësit e arsimit dhe hartuesit e kurrikulave lëndore e të teksteve mësimore për prezantimin dhe mësimin meritor edhe të Betejës së Koleshinit.
Beteja e Koleshinit të mos jetë temë e ndaluar dhe e mallkuar. Të bëhet temë e përmbajtje programore që nderon gjakun dhe jetën e luftëtarëve e të mbështetësve të tyre për ruajtjen e trojeve të Shqipërisë Etnike.
Lavdi e gjithmotshme gjakut dhe jetës së të rënëve dhe të pjesëmarrësve të mbetur gjallë në Betejën e Koleshinit dhe të gjitha luftërave për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë Etnike.
Ju faleminderit…
Prof. Dr. Islam Krasniqi Negroc, 21 Janar 2023.