Anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kërkojnë që përmes Kuvendit ta shkarkojë kryetarin aktual, Mehmet Kraja. Ata kanë kërkuar nga Kryesia mbajtjen e Mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit. Kërkesa për mbajtje të Kuvendit është nënshkruar nga dhjetë anëtarët. Kuvendi është thirrur për vetëm një pikë të rendit të ditës: Veprimet e papërgjegjshme të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Në mbështetje të Ligjit Nr. 05/L-038 për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), neni 13, para. 4.3 dhe të Statutit të ASHAK, neni 29, para. 4.3, 8 dhe 13, ne, të nënshkruarit, anëtarë të rregullt dhe anëtarë korrespondentë të ASHAK, i kërkojmë Kryesisë së ASHAK-ut që në afatin statutor ta thërrasë KUVENDIN E JASHTËZAKONSHËM, me një pikë të rendit të ditës: VEPRIMET E PAPËRGJEGJSHME TË KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS”, thuhet në kërkesën e tyre.
Në këtë dokument bëhen të ditura edhe arsyet për thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Kuvendit:
Kryetari i ASHAK, Akademik Mehmet Kraja, me sjelljet e tij imponuese, të papërgjegjshme, e të paligjshme, si dhe me deklaratat skandaloze publike e ka dëmtuar rëndë Akademinë dhe imazhin e saj në qarqet shkencore dhe artistike.
Seksioni i Shkencave Shoqërore, unanimisht, në mbledhjen e mbajtur më 23 dhjetor 2022, i ka dënuar sjelljet e Kryetarit dhe ka kërkuar nga ai “reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë, duke e botuar rrejshëm dokumentin “SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR.” Me atë rast, Kryetari e ka shkelur rëndë edhe integritetin e Administratës së ASHAK, duke e shtyrë që atë dokument me autorësi të falsifikuar, ta publikojë në faqen zyrtare të ASHAK-ut.
Shkeljet flagrante dhe anti statutore të Akademikut Kraja ngrisin shqetësimet e anëtarëve të ASHAK edhe në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Mehmet Kraja është kritikuar ashpër në vend, pas publikimit të analizës skandaloze: “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.