A kanë ngjashmëri skandalet politike të Mehmet Krajës dhe të Albin Kurtit
Për elaboratin skandaloz, antikombëtar të Mehmet Krajës, kryesia e Akademisë po i respekton përgjegjësitë e veta, po për lëvdatat që kryeministri, Albin Kurti ia bëri kriminelit shqiptarë-vrasës, Oliver Ivanoviq, cili institucion nëse jo Qeveria do të kërkojë dorëheqjen e tij, pasi opozitës po shihet mirëfilli se nuk i intereson dorëheqja, sepse nuk është unike, as e gatshme ta marrë përsipër dhe të merret me problemet aktuale politike, shoqërore dhe të sigurisë me të cilat po ballafaqohet vendi.
Pse opozita nuk mbështet zërat e bijve dhe bijave të dëshmorëve të kombit, të cilët më 23 janar në protestën e tyre, para ndërtesës së Qeverisë kanë kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti të kërkojë falje për deklaratën e tij skandaloze, ose të japë dorëheqje, deklaratë kjo gjithsesi edhe antikombëtare, madje më e dëmshme sesa ajo e Mehmet Krajës.
Pse opozita nuk kërkon shkarkimin e Albin Kurtit, me mocion mosbesimi pas deklaratës më të rrezikshme dhe më antikombëtare që rehabiliton një shqiptar-vrasës i akuzuar nga gjyqi për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. Pse nuk u mor fare parasysh as deklarata e disa muajve më parë kur Kurti kishte thënë se Millosheviqi nuk e ka pyetur Vuqiqin, dhe ai, po sipas Kurtit nuk paska kryer krime në Kosovë, edhe pse ishte ministër në kohë lufte i kriminelit Millosheviq, ministër i informimit i cili mes tjerash kishte dhënë urdhër për bombardimin e selisë së Radios-Kosova e Lirë, më 27 mars të vitit 1999.
Kjo gjendej, kjo rezignatë tragjike, që po mbretëron në Kosovë tregon më së miri se vendi nuk ka dalëzotës, se dalëzotësit e vërtetë, jo rastësisht ndodhen në Hagë, madje të akuzuar pse e kanë themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën një pjesë e qarqeve antishqiptare, po e kualifikojnë si “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Qeveria Kurti tani ndodhet në pozitën “të jesh apo të mos jesh”
Qeveria Kurti tani ndodhet në pozitën më të vështirë që nga themelimi. Kokëfortësia, arroganca dhe pamundësia e tij, për ta bindur opinionin ndërkombëtarë me mendësinë e tij njëdimensionale ka bërë që emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar ta nxjerrë jashtë loje, duke e injoruar deri në nivelin e një individi, duke e margjinalizuar në mënyrën më poshtëruese. Në vazhdën e këtij injorimi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kosovë, ka konfirmuar se më 31 janar do të fillojë diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në një përgjigje për KosovaPress, Ambasada tregoi qëllimin e këtij diskutimi ndërsa nuk bëri të ditur nëse ka një ftesë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në cilësi të kryetarit të Vetëvendosjes. KosovaPress ka mësuar nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, që deri më 24 janar kryeministri Kurti nuk ka pranuar një ftesë për diskutimin e 31 janarit. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar një ftesë të tillë, po ashtu edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, konfirmoi ftesën dhe pjesëmarrjen. Emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për refuzimin e Kurtit për të themeluar Asociacionin, tha se “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar”. Ambasada amerikane ka bërë të ditur se diskutimi i 31 janarit është në përputhje me angazhimet e veta dhe në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Deri te kjo e papritur erdhi pasi Serbia e pranoi planin e rishkruar franko-gjerman, i cili i jep përparësi dhe hapësirë shumë të madhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke paraparë një autonomi të zgjeruar, madhe më shumë se ajo që është përkufizuar me marrëveshjen e vitit 2013, në Bruksel. Shefi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur qëndrimin e kryetarit serb, Aleksandar Vuçiq, të datës 23 janar, rreth propozimit evropian, i cili parasheh rrugën përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Borrell iu ka referuar deklaratave të Vuçiqit para qytetarëve të Serbisë, në të cilin ka thënë se diplomatët e huaj i kanë treguar që nëse ai nuk e pranon planin e BE-së, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik. Vuçiq, po ashtu, ka pranuar se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është kornizë e re negociuese për Serbinë. Propozimi i BE-së, i njohur në publik edhe si plani franko-gjerman, u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Duket se kësaj radhe kryetari i Serbisë, Aleksander Vuqiq nuk përsëriti gabimin që bëri regjimi i Millosheviqit, në mars të vitit 1999, që nuk e nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë, fakt që çoi në bombardimin e NATO-s dhe nënshkrimin e kapitullimit në Marrëveshjen e Kumanovës me 10 qershor të po atij viti. Kurti tani po e bën të njëjtin gabim, i cili nuk mund të jetë pa pasoja për të dhe për të gjithë ata që e përkrahin në këtë rrugë pa krye, por nuk besoj se do të ketë pasoja për Kosovën, pasi vetë emisari amerikan, Gabriel Escobar ka thënë se Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe si ajo e Bosnjës, por një autonomi e zgjeruar me shumë kompetenca, të cilat i parasheh përditësimi i fundit i planit franko-gjerman.
Kryeministri dhe Qeveria ka zgjedhur heshtjen tani për tani, por kjo heshtje nuk mund të zgjasë shumë dhe sa më shumë që zgjasë, degjeneron keq e më keq.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
25.1. 2023