Gjykata Speciale ka njoftuar se Trupi Gjykues ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për apelimin e disa pjesëve të vendimit për rastin e të pandehurit, Pjetër Shala. Zëdhënësja, Angela Griep tha se në çështjen gjyqësore kundër Pjetër Shalës, Trupi Gjykues e miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për apelimin e disa pjesëve të vendimit të tij për të pranuar si prova intervistat e z. Shala për Tribunalin e Hagës në vitin 2005 dhe 2007, si dhe intervistat me autoritetet belge në vitet 2016 dhe 2019. Në veçanti, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Pjetër Shalës për apelimin e konstatimit se ai ishte informuar mjaftueshëm lidhur me natyrën e dyshimit kundër tij, kur i dha ato intervista dhe nëse ishte i informuar mjaftueshëm kur hoqi dorë nga e drejta për avokat në ato raste, tha zëdhënësja e Gjykatës.
