Delegacione të shumta, kryetarë komunash e zyrtarë qeveritare, janë duke vizituar këto ditë kryetarin e Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, për shkak të situatës së krijuar pas të reshurave të ditëve të fundit që shkaktuan përmbytje në pjesë të mëdha të komunës, duke shkaktuar dëme dhjetëra milionëshe, në ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi. Sot, kryetari Nura ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini me bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të partive politike në këtë komunë, me të cilët ka diskutuar për situatën e aktuale dhe dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Kryetari Xheladini i ka kumtuar nikoqirit iniciativën që nëpërmjet Kuvendit Komunal të Dragashit, të ndajë mjete financiare, me qëllim që të ndihmohet Skenderaj dhe qytetarët e prekur nga përmbytjet. Kryetari Nura është shprehur falënderues ndaj homologut nga Dragashi, për gatishmërinë për të ndihmuar komunën e Skenderajt, për të tejkaluar situatën e rëndë.