Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Arbër Ademi, mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve për Çështje Evropiane – KOSAK, që po mbahet në Stokholm.
Në Konferencë u prezantuan programi dhe prioritetet e ardhshme të Kryesimit të Suedisë me Këshillin e BE-së, për gjysëmvjetorin e parë të këtij viti, për të cilin fjalim hyrës mbajti Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Çështjeve Evropiane të Suedisë, z. Kristijan Danielson. Duke iu referuar prioriteteve suedeze, sigurisë, konkurrencës, tranzicionit në energjinë e gjelbër dhe sundimit të së drejtës, Danielson theksoi se pika qendrore e këtij Kryesimi do të jetë mbështetja ekonomike dhe ushtarake e Ukrainës. Me ç’rast, theksoi,se agresioni rus kërcënon sigurinë e Evropës dhe ka pasoja të rënda në ekonominë evropiane dhe furnizimin me energji.
Ademi, në fjalimin e tij, përshëndeti agjendën e Kryesimit të Suedisë, dhe në këtë kontekst mbështetjen suedeze për zgjerimin e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor, si rezultat i realitetit aktual gjeopolitik dhe nevojës për përshpejtimin dhe dhënien e dinamikës së re procesit të tyre eurointegrues. Ademi, po ashtu, përshëndeti vendimet e Komisionit Evropian për dhënien e statusit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, për t’i ofruar BE perspektivë Gjeorgjisë, si dhe liberalizimin e vizave Kosovës.
Lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës, Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut e mbështet Bashkimin Evropian në çdo aspekt dhe se i ofron mbështetje politike, ekonomike, ushtarake dhe humanitare Ukrainës.
Duke u fokusuar në procesin aktual të skriningut, të cilin Qeveria e udhëheq në Bruksel, Ademi informoi se Komisioni Evropian e vlerësoi pozitivisht nivelin e gatishmërisë së administratës sonë dhe fillimin e shkëlqyer të procesit të skriningut. Përkujtoi se Maqedonia e Veriut është lider në rajon dhe më gjerë, në kulturën e dialogut dhe të kompromisit, dhe që si shtet, shoqëri dhe qytetarë, jemi të përgatitur dhe të gatshëm pas përfundimit të skriningut,t’i fillojmë negociatat në klasterin e parë, në të cilin janë kapitujt më të rëndësishëm 23 dhe 24, të cilët kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Për ndryshimin e Kushtetutës sonë, me qëllim të futjes së bashkësisë bullgare në Kushtetutë, tha se vendi është i vetëdijshëm për rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe se energjia jonë për rrugën evropiane aktualisht është e përqendruar në realizimin e kësaj detyre. Theksoi se pret që edhe opozita ti mbështesë ndryshimet kushtetuese, me qëllim që të shfrytëzohet momentumi aktual në BE për procesin e zgjerimit.
Në diskutim, u theksua se agresioni rus kundër Ukrainës së pavarur e ka aktualizuar çështjen e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe se tani është veçanërisht i rëndësishëm uniteti brenda Unionit, si përgjigje ndaj zhvillimeve aktuale në kontinentin evropian.