Jeta dhe veprat e simbolit unikat të qëndresës aktive shqiptare, në Kosovë dhe troje të pushtuara nga Jugosllavia, Adem Demaçi ( 26 shkurt 1936- 26 korrik 2018) ka qenë e po mbetet burim frymëzimi për brezat liridashës, por edhe burim i analizave të ndryshme kombëtare e politike të së kaluarës së kohës së tij, që është një jetë e tërë kushtuar kombit e atdheut, një jetë e tërë në shërbim të kombit e atdheut, një jetë në vazhdim për të mësuar se ku kemi qenë, ku jemi dhe për ku po synojmë.
Na kanë mësuar apo jemi mësuar në mënyrë paushalle, që kur e kujtojmë apo shkruajmë për Demaçin t’ i përmendim 28 vitet e tij kaluara në burgje si kapital kombëtar e politik i qëndresës së tij të pashembullt, i vizionit të tij realist në pasqyrimin e rrjedhave e rrethanave në të cilat është gjendur, ka jetuar dhe ka vepruar, por krejt pak për aktivitetin e tij paraprak, sidomos në vitet 50-të, kur Demaçi ishte formuar si personalitet-protagonist, kishte ideuar dhe kishte lëshuar në diskutim me një rreth të gjerë shokësh e miqsh, projektin e tij për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Njohësit e veprave dhe jetës së Adem Demaçit, qoftë nga ata që rrahim gjoks se e kanë njohur më mirë se të gjithë, qoftë nga studiues e historianë që e interpretojnë nga këndet e tyre, qoftë nga ata që e kanë përdorur dhe keqpërdorur si ombrellë, për të fshehur të ligat dhe zezonat e tyre, askush dhe asnjëherë nuk mund ta përvetësojë, sepse Adem Demaçi gjatë tërë jetës së tij ka qenë vetvetja, shqiptari më i pathyeshëm i të gjitha kohëve, vizionari profetik dhe shembulli unikat, shembulli lapidar i fenomenologjisë njerëzore, në rastin konkret edhe kombëtare, shqiptare.
Demaçi ka jetuar dhe ka vepruar thjesht, pa synime megalomane, pa pretendime për të treguar epërsi apo luftë për pushtet, pa pretendime për të treguar se ishte i pari edhe kur ishte në të vërtetë, sepse ishte më i përkushtuari, më oratori, më luftaraku, më i guximshmi ashtu sikur edhe kishte qenë, se ishte më i pazëvendësueshmi, ashtu sikur ka qenë në jetë, por nuk e ka pranuar kurrë, sepse nuk i ka dashur lavdet e krekosjet.
Shembulli i jetës së veprave të Demaçit është “sui generis”, është më i veçanti në të gjitha pikëpamjet sesa shembulli i ndonjë personaliteti tjetër i kombit, në kohën kur jetoi dhe veproi.
Andaj ende ka shumë çka mësohet nga vepra e tij, prore, nga çdo brez, nga çdo gjeneratë, e sidomos nga ata që e kanë njohur mirë, e kanë kuptuar e mirëkuptuar dhe kanë ecur dhe ecin rrugës së idealeve të tij.
Ende nuk është e prezantuar sa duhet aq më pak e analizuar si duhet veprimtaria e tij deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, e të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë.
Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt lirshëm dhe i vetëdijshëm, për të gjitha rravgimet e vuajtjet jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht.
Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera.
Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit, pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Opinioni i përgjithshëm në Kosovë ka njohur dhe, mjerisht ende njeh si emra meritorë shumicën e denoncuesve të Adem Demaçit, të cilët për hir të së vërtetës kishin dëshmuar me korrektësi, sepse për asnjërin syresh, inspektorët e regjimit titist nuk kishin pasur nevojë të nxjerrin deklaratat dhunshëm e me presion fizik apo psikik. Ata kishin dëshmuar pa asnjë presion dhe të gjithë përveç, Sabit Ratkocerit, më vonë bashkëmendimtar e bashkëveprimtar i tij kishin komentuar paraqitje e tij armiqësore ndaj Jugosllavisë.
Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre.
…
Në mesin e dëshmitarëve në hetimet kundër Adem Demaçit në dhjetor të vitit 1958 ishte edhe gazetari i asaj kohe në Rilindje, Sylejman Drini, Ai ka deklaruar se Adem Demaçi në çdo rast, në çdo bisedë ka shfaqur qëndrimin e tij anti-jugosllav dhe ka mbajtur e mbanë qëndrim pro regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri. Pasta ai shkon edhe më tej, duke deklaruar se Demaçi nuk ka paraqitur fakte për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, por i përmbahet fjalimeve të Enver Hoxhës, i cili e akuzonte Jugosllavinë për shkeljen e të drejtave të popullatës shqiptare, rrahjen dhe likuidimet në Aksionin e armëve, pastaj dëbimi për në Turqi, burgosjet e maltretimet e shqiptarëve liridashës. Sylejman Drini ka folur edhe për qëndrimin e Demaçit kundër Fadil Hoxhës, i cili ia kishte kthyer një përgjigje Enver Hoxhës. Edhe ky dëshmitar si gjithë të tjerët pranon se deklarata është dhënë lirshëm pa presion dhe nuk ka përkrahur asnjë nga qëndrimet e Adem Demaçit.
- SYLEJMAN DRINI
Dëshmitari i tretë Sylejman Drini, më datën 6.12.1958, në Prishtinë, para organit të autorizuar të Punëve të Brendshme deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh që nga viti 1956, kur ka ardhur në Sipërmarrjen Botuese “Mustafa Bakija”, tani “Rilindja”. Deri në arrestimin e tij kemi qenë bashkë në një zyrë në Redaksinë e Edicionit të “Rilinjdes”.
Kur është shtuar propaganda ndaj Jugosllavisë dhe vendeve të tjera nga ana e Shqipërisë, kam vërejtur se Demaçi gjithnjë e më shpesh lexonte artikuj nga shtypi lidhur me fushatën kundër Jugosllavisë dhe të njëjtit artikuj i komentonte, gjegjësisht na i përcillte ato që i lexonte dhe që i dëgjonte. Pas mbajtjes se fjalimit të Enver Hoxhës, diku në vitin 1957. disa fragmente nga ky fjalim, Demaçi, i komentoi para meje. Më ka thënë se në këtë fjalim Enveri ka treguar se si pushteti jugosllav po i maltreton shqiptarët në Kosmet, duke mos u dhënë kurrfarë të drejtash nacionale, duke e ngulfatur kulturën e tyre nacionale, se si pushteti me plan po i shpërngul shqiptarët për në Turqi dhe kështu po bënë denacionalizimin kësaj pakice. M’i ka treguar të gjitha më të këqijat që i ka thënë Enveri në këte fjalim. Për qëndrimin e këtillë, Demaçit ia kam tërhequr vëre – që të jetë më i kujdesshëm për faktet që i sjell Enveri në fjalimin e vet Nuk me kujtohet nëse Demaçi para meje të këte vërtetuar se faktet që sjell Enver Hoxha lidhur me pozitën e pakicës shqiptare në Kosmet, Janë të sakta. Gjithashtu, para meje ka folur edhe për fjalimin e Fadil Hoxhés, në të cilin Fadili i ka dhënë një përgjigje paraqitjes se Enver Hoxhës. Per çështjen turke, gjegjësisht për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, Demaçi ka diskutuar diçka në praninë time, por saktësisht nuk me kujtohet se si e ka komentuar këtë.
Më kujtohet se Demaçi e ka komentuar një artikull të botuar në NIN, në të cilin është dhënë përgjigjja e një deklarate të një udhëheqësi bullgar, në lidhje me Bullgarinë e Shën Stefanit. Në lidhje me këte artikull Demaçi ka thënë se në rast të fitores së luftës, rusët do t’ia jepnin Kosmetin – Shqipërisë, kurse Maqenoninë – Bullgarisë. Këtë deklaratë Demaçi e ka thënë diku në muajin gusht të vitit 1958 në zyrën ku punonte. Me një rast në zyrën e ish Sipërmarrjes “Mustafa Bakija” Demaçi para meje, Mehmet Gjevorit e Eshref Kiserit, ka thënë se do të formojë partinë e të verbërve, ngase mbante syza. Kur e ka thënë këtë nuk e kam kuptuar çka ka menduar dhe as çka ka dashur të thotë. Nuk më kujtohet që para meje të ketë folur për çështje politike. Procesverbalin e kam lexuar dhe në të janë shënuar fjalët e mia, prandaj e nënshkruaj.
U krye në orën 13. Procesmbajtës: Leposava Bukonjiq. Organi i autorizuar hetues: Momir Çanoviq. Dëshmitari: Sylejman Drini
Një tjetër dëshmitar në procesin e hetimeve kundër Adem Demaçit ishte edhe shoku i tij i gjimnazit, në Prishtinë, Shefqet Popova. Për dallim nga të tjerët, ky dëshmitar tregon se në një rast ka dëgjuar Demaçin duke thënë e do të ishte mirë të vritej politikani slloven, Alesh Bebler, pasi ishte person i njohur dhe vrasja e tij, në Prishtinë do ta tërhiqte vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për Kosovën. Ai madje pranon se e ka përkrahur një ide të tillë, por pa e menduar mirë dhe pa e ditur pse. Shefqet Popova është ndër të vetmit, i cili e ka përkrahur Demaçin për qëndrimin e tij kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, të cilin e nxiste dhe e përkrahte regjimi titist-rankoviçist. Madje ai jo vetëm që ishte pajtuar, por ishte në depresion sa që kishte menduar edhe vetëvrasjen, pasi një pjesë e familjes së tij të afërt kishte lënë Kosovën dhe ishte vendosur në Turqi.
- SHEFQET POPOVA
Dëshmitari i katërt, Shefqet Popova, në zyrën e organit të Punëve të Brendshme, më 9.12.1958, deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh që nga viti 1949 kur kemi mësuar bashkë në Gjimnazin e Prishtinës. Pas përfundimit të Gjimnazit me Demaçin jam takuar disa herë, sepse që të dy kemi studiuar në Beograd gjatë viteve 1954-55, dhe më vonë në Prishtinë.
Më kujtohet se kemi qenë bashkë me Demaçin diku në muajin tetor të vitit 1958. Me ne ishte edhe Shemsi Osmani nga Prishtina. Atë ditë ka ardhur nga Beogradi Alesh Bebleri në Prishtinë dhe ka mbajtur një ligjëratë në lidhje me udhëtimin e tij nëpër Indi. Ne të tre e kemi përcjellë atë ligjeratë dhe pas saj kemi biseduar për Alesh Beblerin. Më atë rast, duke shëtitur në korzo, Adem Demaçi tha: sikur të bënim atentat në Alesh Beblerin sa bukur do të jehonte në botë. Unë e kam përkrah dhe jam pajtuar se një atentat i tillë, gjithsesi, do të bënte jehonë në mbarë botën. Për këtë kemi biseduar pa ndonjë qëllim të caktuar, përkatesisht unë nuk kam pasur kurrfarë qëllimi, e Demaçi çka ka menduar per kete nuk më është e njohur. Nuk më kujtohet se para apo pas kësaj bisede, Adem Demaçi, të njëjtën gjë e ka thënë para meje. Me Adem Demaçın kam këmbyer letra, me kujtohet diku në janar të vitit 1958, dhe njëhere i kam shkruar se po ndihem shumë keq dhe shpesh me vjen të mos jetoj më dhe të zhdukem si qen dhe për këtë e urrej veten. I kam shkruar se disa shpresa me mbajnë në jetë, por deri kur? Më tutje i kam shkruar se si për vitin e ri 1958 dëshiroj që “zotërit e tokës të ma plotësojnë një dëshirë. E kjo dëshirë e madhe ka qenë që ai kanali i hapur, që është mjaft i thellë dhe që sjell gjak në trupin tonë për shkretinë e Azisë së vogël, të mbyllet për të mirë. I kam thënë më tutje se kjo varet nga të tjerët e jo nga unë dhe për këte jam tepër i pikëlluar, ngase nuk kam kurrfarë fuqie në duar etj. Këtë ia kam thënë sepse familja ime e afërt ka shkuar për në Turqi dhe për këtë kam reaguar dhe jam ankuar.
Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e nënshkruaj, sepse në të është shënuar krejt çka kam thënë.
U krye në orën 12. Procesmbajtësi: nuk është nënshkruar. Organi i autorizuar hetues: M. Çanoviq. Dëshmitari: Shefqet Popova
Vazhdon…